Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh se është njohur me problemet e tyre, ku papunësia dhe taksat e larta janë ndër kryesoret.
Po ashtu, ajo ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Rama për daljet e fundit të tij, duke thënë se bën premtime që nuk i mban. Kryemadhi shtoi se votuesit nuk duhet të merren më me Ramën, por më 25 prill duhet që të votojnë për veten e tyre.
“Gjëja e parë që më thonë të rinjtë është se na ka ardhur në majë të hundës me mashtrimet e kryeministrit në ikje. Një urrejtje për shkak të papunësisë, taksave të larta, mungesës së punës së mirë paguar dhe shikoj që në televizor ka që në orën 9, ora po shkon 12. Një nga pikat më të forta të tij ka qenë profesioni llafazan, i cili ju ka dhënë shqiptarëve vetëm llafe, premtime, mashtrime.
Detyra jonë është që në 25 prill të gjithë ju që jeni votues për herë të parë, ta filloni jetën mbarë, duke votuar për veten tuaj”, tha ajo. Ndër të tjera, Kryemadhi i garantoi të rinjtë se pagat në Shqipëri do të jenë si në çdo vend tjetër të BE dhe nuk do të lejojë që vendi të shitet.
Ajo gjithashtu theksoi, se programi i LSI në qeveri do të ketë ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare, teksa theksoi se do krijohet dhe një vizion i ri për të ardhmen. “Ne si LSI në programin tonë kemi pesë prioritete shumë të thjeshta, që kanë impakt të drejtpërdrejt te familjet tuaja, tek prindërit tuaj, tek gjyshërit tuaj. Kanë impakt tek ju dhe kanë impakt për të ardhmen e Shqipërisë.
Nëse ne nuk mendojmë për të ardhmen tuaj, atëherë është e kotë që të flasim dhe të vijmë këtu t’ju takojmë. Fuqia e LSI-së kanë qenë gjithmonë votuesit për herë të parë, të rinjtë dhe të rejat, sepse në fund të fundit ne jemi e vetmja parti që e mban fjalën e saj, i mbajmë njerëzit, u përgjigjemi atyre. Është e vetmja parti politike”, bëri me dije ajo. Sakaq, Kryemadhi u shpreh se me ardhjen në pushtet, në vend do të rikthehet shpresa. Ajo bëri me dije se për të rinjtë po ashtu do të krijohen mundësi të reja punësimi.
“Ne këtë duam të bëjmë, të rikthejmë shpresën, të krijojmë hapësira të reja për të rinj e të reja. Ne këtu sot jemi një numër simbolik të qytetit të nxënësit, me gjimnazistë, maturantë, votues për herë të parë të kësaj zone. Ajo që më pëlqen më shumë është energjia dhe pozitiviteti që unë gjithmonë kam gjetur në këtë zonë”, bëri me dije Kryemadhi.