lir Meta, i ka dhënë dje një tjetër goditje kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sa i takon 13 tetorit. Basha qysh kur Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nxori dekretin e ri, u pozicionua hapur kundër kreut të shtetit, duke e lënë atë në baltë dhe refuzuar 13 tetorin. Ndërkohë që, goditjen finale Presidenti e mori dy ditë më parë, kohë kur partive politike iu skadoi afati për regjistrimin e koalicioneve politike për zgjedhjet e dekretuara nga ai. Por i gjendur përpara kësaj situate, presidenti Meta ka nisur ditën e djeshme sulmet ndaj kryedemokratit Basha, i cili vazhdon të insistojë se nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Në një deklaratë të shkurtër të shpërndarë për mediat, pas takimit me zëvendëskryetaren e grupit parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert, ai ripërsëriti se e vetmja zgjidhje e kësaj krize janë zgjedhjet dhe se sipas tij, 13 tetori është një mundësi që nuk duhet humbur pasi vetëm do e përshkallëzonte më tej atë. “Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, deklaroi ai. Pra, ky është një mesazh i qartë për Bashën, i cili e la në baltë Metën, sa i takon 13 tetorit. Ndër të tjera, Meta bëri me dije se në takimin me zyrtaren e Bundestagut ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe vëmendjen e posaçme që Gjermania po i kushton Shqipërisë, rajonit dhe perspektivës sonë europiane.
Meta bën thirrje për “luftë” ndaj së keqes
Por sulmeve të Presidentit Ilir Meta duket se nuk i ka shpëtuar as kryeministri Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta ka përkujtuar 95-vjetorin e At Zef Pllumit, duke e cilësuar si një udhëheqës të ndritur shpirtëror dhe simbol të humanizmit e sakrificës. “Në 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, udhëheqësit të ndritur shpirtëror, simbolit të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut”, u shpreh ai. Ndërkohë që, në shënimin e tij teksa përdor fjalët e At Zef Pllumit, kreu i shtetit duket që thumbon edhe kryeministrin Rama duke e cilësuar si të keqe që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas. Sipas Metës, veprat dhe fjalët e At Zef Pllumit duhet të jenë udhërrëfyes për ne në mënyrë që të luftohet e keqja që largon Shqipërinë nga Bashkimi Evropian dhe synon ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas. “Rrno vetëm për me tregue”, veprat dhe dëshmitë e tij të tjera rrëqethëse për krimet dhe monstruozitetin e regjimit komunist, mbeten gjithmonë aktuale si udhërrëfyes, jo vetëm për të njohur me transparencë të kaluarën tonë dhe për të mos ta harruar kurrë atë, por edhe për të na ndihmuar për të luftuar çdo të keqe dhe formë despotike që na largon nga Europa e Bashkuar dhe synon ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas”, nënvizoi ai. Pra, kjo thirrje e Presidentit Ilir Meta për “luftë” ndaj së keqes shkon indirekt për qeverinë.
Rigels Seliman