Pas reagimit me dokumente zyrtare nga ish-ministri Arben Ahmetaj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i rekomandoi prokurorit Elvin Gokaj, të rivlerësojë procedimin, sepse konstatoi që dosja ishte me shkelje procedurash, me prova të kundërta, pa hetim në burimin zyrtar të provave nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe me hetim të njëanshëm nga prokurori i çështjes, për motive, shërbime e interesa që i di ai…
Një zhvillim i kundërt ka ndodhur në SPAK, me dosjen hetimore të privatizimit të ish-Fabrikës së Bukës-Tiranë, për të cilën prokurori Elvin Gokaj, ka marrë të pandehur ish-ministrin Arben Ahmetaj, me akuzën e dëmit 7 miliardë lekë ndaj arkës së shtetit.
Dy javë pas bërjes publike të procedimit penal, dhe pas reagimit me dokumente nga ish-ministri Ahmetaj, kreu i SPAK Altin Dumani, pasi është njohur me lëndën e dosjes, i ka rekomanduar prokurorit të çështjes Elvin Gokaj, të verifikojë e ballafaqojë provat mbi të cilën ka ndërtuar akuzën, me dokumentet që ka servirur ish-ministri dhe ato që janë në arkivën e ministrisë.
Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti”, prokurori Elvin Gokaj ka pezulluar procedimin ndaj ish-ministrit Ahmetaj për dosjen “Fabrika e Bukës”, dhe ka filluar të rishikojë gjithë praktikën e dokumentet mbi të cilën ka ndërtuar akuzën.
Këtë pezullim, verifikim e rivlerësim provash, ai është detyruar ta bëjë, për shkak se në “zinxhirin” hetimor për privatizimin e Fabrikës së Bukës, nuk janë përfshirë një seri procedurash, aktesh gjyqësore, noteriale, ekspertime, urdhra e vendime para vitit 2014, kur ka nisur privatizimi i aksioneve dhe skema e shitjes totale të saj.
Verifikimi dhe hetimi, do fillojnë nga Urdhri Nr. 2/25, datë 26 tetor 1995 i ish-Ministrit të Financave, Dylber Vrioni, i cili urdhëroi Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, të shiste 49% aksione të Fabrikës së Bukës-Tiranë, aksione që u shitën pas 2 muajve më 20 dhjetor 1995.