Bashkia e Kamzës ka shkelur ligjin të paktën pesë herë, në pesë tendera të mbajtura gjatë periudhës maj-qershor të këtij viti. Të dhënat janë të publikuara në regjistrin e Prokurorimeve Publike.
Në secilin prej pesë tenderave të mbajtura, në mënyrë të paligjshme, janë s’kualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të fituesit të paracaktuar që më parë. Në total, shuma e shpërndarë tek miqtë e Xhelal Mziut dhe Lulit në këtë formë tejkalon 2 milionë euro.
Konkretisht, në datën 30 maj, u publikua nga Bashkia Kamëz tenderi për ndërtimin e rrugës Veli Dede & Xhorxh Martini & Prengaj & Zigur Lelo, Babrru, me vlerë totale 289 milionë lekë të vjetra.
Pesë kompani aplikuan për këtë kontratë, por në fund katër u s’kualifikuan pa u lejuar të hynin në garë, duke i dhënë kontratën në muajin korrik firmës “Liqeni VII SHA”.
Një tender tjetër i publikuar në muajin qershor, ishte ai për “rrethmin e varrezave publike tek reparti rr. Konferenca e Mukjes, Babrru. Për kontratën me vlerë 260 milionë lekë aplikuan plot 10 kompani, por nëntë prej tyre u vlerësuan se nuk i plotësonin kriteret dhe fituesi rrjedhimisht u shpall pa garë, firma e vetme e mbetur.
Tenderi më i madh gjatë kësaj periudhe ishte ai për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare, në lagjen “Frutikulturë” Kamëz. Publikuar në qershor, tenderi me vlerë 1,6 miliardë lekë njohu 5 aplikues, nga të cilët katër të s’kualifikuar përpara se fituesi të caktohej në mënyrë të kundraligjshme, në muajin korrik.
E njëjta histori me tenderin për rikonstruksionin e rrugës “Myslym Shyrri & Serafin Kodra”. Ndërkohë, tenderi tjetër për rrugën “Arras & Rruga Horizonti* pati vetëm dy konkurrentë, që përsëri ndalohet nga ligji.
Ajo që bie në sy është është që konkurrenti i s’kualifikuar, sipas zakonit është një firmë që ka fituar tenderin e parë, pra “Liqeni VII ShA”. Sipas dyshimeve të arsyeshme, një firmë e tillë, pasi mori lekët e saj në tenderin e parë, është futur në garë vetëm për të legjitimuar fituesin tjetër, edhe ai mik i kryetarit Mziu.
Një e dhënë e tillë skandaloze, për procedurat që ndjek Bashkia Kamëz për tenderat e saj vjen vetëm një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi një video në të cilën akuzonte qeverinë për procedurat e ndjekur të tenderave.
Megjithatë, shifrat e Bashës në atë video, ishin 6 herë larg të vërtetës. Lexo më shumë në – http://lexo.com.al/akuzat-per-tenderat-shifrat-e-bashes-6-here-larg-te-vertetes/
Sipas Bashës, 1 në 3 tendera të qeverisë caktohen përmes procedurës së njohur ligjërisht, të negocimit pa shpallje. Shifrat zyrtare tregojnë se nëse ky raport ka qenë i vërtetë deri disa vite më parë, për shkak të rritjes së kontrollit dhe ndryshimeve ligjore, aktualisht vetëm 7% e tenderave i nënshtrohen kësaj procedure./Lexo.al