Lotët e mikut tim të vjetër, Xhevahir Spahiu, për ikjen e pabujë të poetit të madh kombëtar, Fatos Arapi, nuk mund të harrohen lehtë. Lot, që mua m’u dukën se ranë si breshër në mestetorin e shkuar edhe mbi portretin zyrtar të polit(h)ikës hipokrite majtas e djathtas. Portrete që koha do i retushojë pa mëshirë nëpër faqet publike të medias e të vetë historisë shqiptare. Asnjë ceremoni e nderim shtetëror! Veçse lexuesit e shumtë në breza do e kujtojnë e vlerësojnë gjatë lirikun e papërsëritshëm.
Ndërsa mua në Tiranë më thoshte shpesh me atë buzëqeshjen fine në buzë “mos harro, të kemi dhëndrin tonë në Zvërnec”, parmbrëmë m’u faneps një nga shkrimet e tij publicistike tepër të rralla në shtyp (në mos i fundit para ca vjetësh), ku foli açik dhe me zemër shqiptare e intelektuale të vërtetë.
Foli bukur e mbushamendës për luftën që duhej bërë pa kompromis e në praktikë kundër nepotizmit si sëmundje e rëndë që ndryshk e gërryen themelet e shtetit të së Drejtës dhe ushqen ditë e natë pseudodemokracinë mejhane e sharlatane. Po ta gjeja sot atë shkrim jo dosido, me autor një intelektual ekselent e krijues peshërëndë si Arapi, do ia dërgoja për ribotim gjithë shtypit serioz në Shqipëri e jashtë saj.
Kjo përsiatje e shkurtër më erdhi vetiu ditët e fundit, kur shigjetat me nota qesëndie e helmatisëse nisën avazin e vjetër mbi ministrin në detyrë, Gent Cakaj. Po përse e cilët gudulisi deklarata e tij koncize, e qartë, konkrete dhe e drejtpërdrejtë, sidomos për shthurjen urgjente të rrjetës nepotike, klienteliste e korruptive në Shërbimin tonë Diplomatik? Pa përjashtuar ata llafollogë e interesaxhinj të rëndomtë që u ha sot dhe e kruajnë të nesërmen! Kam ndjekur jo pa vëmendje vërshimin e përrenjve rreth kandidaturës së tij për ministër. Prononcime egërshane, të tharta e rrallë të ëmbla.
Sinqerisht, nuk doja të hyja edhe unë në atë flakadan ziliqarësh megalomanë që tërë jetën e kanë shtyrë mbi pupla dhe shpesh u bënte edhe gjeli vezë! Sepse Gentin nuk e kam takuar kurrë gjer më sot. Madje pse jo, kam dëshirë ta njoh nga afër e të pimë një kafe, thjesht si shqiptar i Shqipërisë a si gazetar jo i ri. Të mirëkuptohemi, në ditët e para më shkoi mendja gjetkë: Më e pakta, mos vallë ato shigjeta çoroditëse kanë patur parasysh atë llafin e njohur “Fjalët e hidhta para-punët e ëmbla prapa”! Por s’paskësh qenë e thënë kështu.
Paragjykime, pandehma, konkluzione e polarizime ekstreme nëpër komentet currila ligësie, por edhe… fyerje krejt të pamerituara ndaj një djaloshi të pafajshëm. Djalosh që me siguri është shokuar duke pritur me qetësi “betë e rrufetë” e veshura me mantel “patriotik”, “diplomatik” e sidomos “politik”.
Autorët realë e anonimë, përgjithësisht janë nga ajo racë që u shkoi jeta vaj nëpër istikamet “me tapi” të shtetit monist e pluralist. Dhe as i vrau ndonjëherë këpuca. Prandaj e vërteta lakuriq duhet thënë para publikut pa arra e bajame nëpër dhëmbë: Gra sojllesha e tekanjoze, fëmijë të velur e të përkëdhelur në metropol, motra, vëllezër, kunata, nuse e dhëndurë, kushërinj e kushërira, krushq e krushka që s’dinë ende ku lidhet gomari e mushka, ashtu si papritur e pakujtuar u strehuan fët e fët si në një teqe të madhe a vend vakëf, fiks në Shërbimin Diplomatik.
Nga paraardhës e pasardhës në pushtet! Prandaj Genti e hodhi hapin e parë e serioz për “cilësinë e burimeve njerëzore”. Opinioni i gjerë e mbështet plotësisht. Opinion qytetar e intelektual që i njeh mirë rrënjët dhe degët e pista ku mbahen fort ato emërime (dhurata) irrituese e dëshpëruese në kurriz të shtetit demokratik. Këto fakte të hidhura, nuk është se u zbuluan për herë të parë si sensacione për të ushqyer median “opozitare” e atë “të pavarur”. Në këtë rast e rëndësishme mbetet se kush i denoncoi publikisht, portierët e ministrive, sanitaret, shoferët, specialistët, drejtorët, zëvendësministrat apo vetë Njëshi i Dikasterit?! Pa u mbërthyer te pëshpëshet gojë më gojë e vesh më vesh, mbi e nën tavolina, rreth filxhanit të kafesë a gotës së rakisë, me zë e nën zë. Përballë të vërtetës përvëluese bëhen copë e thërrime edhe “teoritë konspirative” që shakullepsin e korkolepsin me shushamë tymuese opinionin e ndershëm…
Së pari, më tregoni qoftë edhe një ministër të çdo qeverie majtas e djathtas, gjatë 3 dekadave të tranzicionit rrumpallë, që ka folur aq troç për paaftësinë dhe nepotizmin me brirë! Ose dy legjislaturat e fundit. Megjithëse pas 6 viteve në pushtet, më tregoni një ministër që hapi gojën para publikut të zhgënjyer qoftë në ditët e para e qoftë në ditët e fundit të nusërimit zyrtar! Personalisht, mendoj se ajo deklaratë i bën shumë mirë mazhorancës, por edhe vetë opozitës që ka patur e ka jo me pakicë njerëzit e saj në Shërbimin Diplomatik. Është fjala kryesisht për ata që nuk plotësojnë hiç as standartet ligjore, e as ato profesionale e morale. Rroftë e qoftë nepotizmi me në krye “Maliqin” e pamposhtur! Zgjedhin edhe selitë e kryeqytetet më shkëlqimtarë e mbrothëtarë. Dhe qejf o qejf që bën dervishi! Duke pritur me gogësima e psherëtima aspak inatçore, hyrjen rrokopujë në Europë…
Së dyti, më kap një i madhi gaz, kur shikoj që i japin ministrit sillë, këshilla e shëllirë disa rondokopë që nuk derdhën kurrë një pikë djerse dhe paradoksalisht u zvarritën mbi kodra e maja diplomatike pa asnjë meritë personale. Më tej. Disa nga ky sua i lig, dridhen e përdridhen përpara djaloshit kosovar duke e miratuar edhe bërjen “prift” a “hoxhë”, por me një kusht: Duan t’i heqin “mjekrën”! Gent Cakaj, besoj e shpresoj se nuk ka hyrë në politikë e diplomaci thjesht për t’u pasuruar si ca paraardhës fodullë e pa mullë. Më shqip: Jo për të vjedhur e bërë karrierë që nesër mund të bjerë erë…
Mendoni për pak çaste sikur ky djalë i shkolluar e me kulturë perëndimore, të kishte këtu në Tiranë a nëpër Shqipëri disa familjarë, farë e fis, shoqe a shokë klase, gjimnazi e fakulteti! Besoj e merrni me mend stuhinë e furtunën e verbër nëpër pordhale (siç i thërrasin me të drejtë vërsnikët e mi në vendlindje), në gazeta e ekrane laramane… Sigurisht, ai djalë nuk ka rënë nga qielli! Por nisma e tij për të prerë pa mëdyshje rrënjët kalbëzuese të nepotizmit e të klientelizmit vrasës të meritokracisë profesioniste, duhet përshëndetur.
Shkelja e kallove private kërkon edhe guxim, trimëri, mençuri e atdhetari të lartë. Përndryshe do vazhdojmë të mbetemi “përtej Urës së Qabesë”! Qëndrimi i tij realist e modest përmes një procesi transparent, duket qartë edhe te fjalia që nënvizova:” Kjo përpjekje nuk fillon nga hiçi dhe kjo duhet thënë zëshëm…”. Faleminderit Genti Caka, për të vërtetat që thua! Sepse nuk duhet të ndodhë si te ajo rrëfenja jonë që dikush ha kumbulla e të tjerëve u mpihen dhëmbët.
Apo të sjellim në kujtesë atë copëzën e bukur nga Tolstoi i pavdekshëm, për ta mbyllur me pakëz humor rreth së vërtetës: “…Mamaja kishte blerë kumbulla. Vanja nuk pat ngrënë kurrë kësi frutash. Kur mbeti vetëm, fëmija nuk mundi t’i qëndronte ngasjes për të provuar disa prej syresh. Kështu që, kur erdhi mamaja, pa se mungonin disa kokrra. Dhe pyeti: -Mos i keni ngrënë gjë ju kumbullat? Të gjithë u përgjigjën:-Joo! Vanja u lëkuq në fytyrë, por tha:-Jo, as unë nuk i kam ngrënë. Atëherë foli gjyshi: -Ah, sa mirë që asnjë nga ju nuk i ka ngrënë! Pu, pu, ç’fatkeqësi do të ishte po t’i hante! Sepse brenda kumbulla ka një bërthamë që shkakton vdekjen pas pak orësh. Ah, sa mirë që nuk i paskeni ngrënë!…
Atëherë Vanja nuk mundi të duronte më dhe bërtiti i frikësuar: -Jo, gjysh! Bërthamat unë i hodha jashtë nga dritarja! (Të gjithë filluan të qeshin, kurse Vanja ia plasi të qarit)./Nga Kristo MËRTIRI