Dalin në dritë të tjera detaje mbi karrierën politike të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sot opozita është ngritur në këmbë dhe sulmon qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet po ashtu kërkohet qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Gazeta prej disa ditësh ka bërë një paralele mes asaj që kërkon opozita sot dhe veprimeve të saj kur ishte në pushtet.
Të gjithë i mbajnë mend ngjarjet e vitit 2011, ku edhe pse kishte dyshime të qarta për manipulimin e zgjedhjeve, Berisha refuzoi të hapet kutitë.
Opozita hyri dhe në grevë urie dhe sërish nuk bëri asgjë. Por përtej kësaj, departamenti Amerikan i Shtetit dhe gazeta “The New York Times”, kanë në arkivat e tyre pa fund dokumente, që dëshmojnë se si ka manovruar Berisha kur ishte në pushtet dhe në opozitë. Sot gazeta po tregon detaje nga zgjedhjet e vitit 1996, të cilat ishin zgjedhjet më të manipuluara që ka parë vendi.
“Duke përshkallëzuar taktikat shtypjes që shënuan zgjedhjet parlamentare të dielën, policia speciale e qeverisë rrahu dhe arrestoi mbështetës të partisë opozitare në sheshin kryesor. Edhe pse President Sali Berisha pretendoi fitore në zgjedhje, shumë vëzhgues ndërkombëtarë thanë se ato ishin njollosur nga shkelje të rënda. Ai ndaloi mitingun e opozitës sot, por shumë nga ata që sfiduan masën e ndalimit, duke përfshirë burra të vjetër e gra pranë sheshit kryesor, u rrahën me shkopa gome nga policët specialë, teksa monitoruesit e shokuar të OSBE shikonin gjithçka nga ballkoni i një hoteli aty pranë. Në shesh kishte shumë njerëz të gjakosur në fytyrë”, thuhet në artikull.
Dhuna ndaj opozitës
Një ngjarje e rëndë e vitit 1996 është ajo kur u dhuna opozita. Përfaqësues të saj u masakruan dhe u rrahën barbarisht. Edhe gazeta amerikane ka dhënë detaje për këtë gjë. “Rreth 12 liderë të opozitës u rrahën dhe u futën me forcë në furgonët e policisë në shkallët e Pallatit të Kulturës. Shumica e tyre më vonë u lirua, por zv/kryetari i opozitës socialiste Servet Pellumbi, mbeti i ndaluar dhe sekretari i Aleancës Demokratike, Arben Imami, raportohej në gjendje të rëndë në spital.
Dhuna e sotme ishte më e rënda që prej zgjedhjeve kaotike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se ishte më e keqja që kishin parë në Evropën Lindore që prej rënies së komunizmit. “Nuk e kisha parë ndonjëherë fytyrën totalitare si sot, njerëz të rrahur, kamera të sekuestruara”, tha Yuraj Atabaki, një vëzhgues nga Holanda që monitoron zgjedhjet që prej vitit 1991. Nga fundi i votimit të dielën, opozita njoftoi se po tërhiqte kandidatët e saj dhe se nuk do të njihte rezultatin. Mitingu i sotëm ishte për thirrjen e zgjedhjeve të reja”, thuhet artikull.
Berisha komunist
Më tej, në artikull Berisha cilësohet si një komunist, ndërsa thuhet se frika e ndërkombëtarëve ishte se ai po rikthente kohën e diktaturës. “Veprimet e zotit Berisha, për të cilin kritikët tremben se po merr formën e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, kanë një domethënie të veçantë se pse SHBA dhe Perëndimi e kishin pranuar atë si njeriun e tyre në një rajon të rëndësishëm të Ballkanit. Uashingtoni e kishte mbështetur ish-komunistin Berisha, ekonomikisht dhe ushtarakisht.
Në këmbim Berisha kishte ndaluar shumicën shqiptare në Kosovën fqinje të kërkonte autonomi nga Jugosllavia. Në të njëjtën mënyrë qeveritë evropiane e kishin shikuar me simpati prej përpjekjeve të tij për ndalimin e emigracionit ilegal të shqiptarëve të varfëruar drejt Italisë dhe Gjermanisë. Hezitimi i Uashington dhe OSCE për të kritikuar zyrtarisht shkeljet e mëdha zgjedhore zemëruan shumë vëzhgues ndërkombëtarë që ishin dërguar nga qeveritë perëndimore”, theksohet më tej.
Ja si OSBE rrëzoi Berishën
“The New York Times” në atë kohë ka raportuar dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve. Në artikull thuhet se OSBE ishte skandalizuar me sjelljen e qeverisë ndaj votuesve dhe opozitës. “Rreth 40 nga 53 vëzhguesit e dërguar nga OSBE. thanë se kishin dëshmuar abuzime elektorale bazë gjatë zgjedhjeve. Më shumë se 12 vëzhgues nënshkruan një deklaratë ku thuhej se zgjedhjet nuk arritën standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të drejta.
Ata thanë se në shumë raste numri votave kalonte numrin e votuesve në lista dhe se shumë vota ishin ndryshuar ose bërë të pavlefshme në favor të partisë demokratike të Berishës. Ata thanë se prezenca e policëve të armatosur dhe atyre që besoheshin si policë sekretë civilë në qendrat e votimit e kishin kthyer atmosferën nga e tensionuar që ishte fillimisht, në atmosferën trembjeje dhe imponimi në ditën e zgjedhjeje”, thuhet më tej.
Lufta në Kosovë
Gazeta amerikane i ka kushtuar një rëndësi të madhe dhe luftës së Kosovës. Por dhe në këtë rast protagonist është bërë Berisha. Sipas gazetës amerikane, edhe pse ai hiqej sikur e mbështeste luftën, kjo bëhej me qëllim që të merrte pushtetin. “Ferma familjare e ish President, Sali Berisha, i cili u largua nga pushteti vitin e kaluar, është bërë një bazë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, grupi etnik shqiptar që lufton për pavarësinë e provincës nga Serbia. Vendimi i Berishës për t’i liruar vendlindjen e tij rebelëve është pjesë e strategjisë së tij të manipulimit të krizës në Kosovë me qëllim rikthim e tij politik, thonë diplomatët perëndimorë.
Por rikthimi i tij nuk do të ishte i mirëpritur nga Uashington, i cili fajëson administratën e Berishës për shkatërrimin ekonomik dhe prishjen e rendit ligjor. Trazirat nisën pas shembjes së skemave piramidale, shumica e të cilave të kontrolluara nga qeveria, të cilat morën me vete miliona kursime të shqiptarëve”, thuhet aty./ Kliti Topalli