Pak pas mesnate në afërsi të banesës së vajzës së mitur, e cila denoncoi pak muaj më parë mësuesin e saj 63-vjeçar se e kishte ngacmuar seksualisht, janë dëgjuar të shtëna me armë. Familjarët e vajzës së mitur kanë ngritur alarmin dhe thonë se të shtënat janë një formë kërcënimi. Ata kanë telefonuar pranë “Report Tv” për të shprehur shqetësimin.
Gazetari Piro Nase është nisur drejt banesës së familjes së vajzës së mitur. Ai ka mundur të kontaktojë me ta dhe thotë se të gjashtë anëtarët janë të frikësuar dhe në ankth pas ngjarjes së mbrëmshme. Ata kanë telefonuar menjëherë policinë, por blutë e Tepelenës kanë mundur të shkojnë vetëm sot në orët e para të mëngjesit pranë banesës.
Ndonëse familjarët e vajzës drejtojnë gishtin nga mësuesi, të cilin e kanë akuzuar për abuzimin, pritet që grupi hetimor të dalë me një version për ngjarjen.
Një mësues i kaluar në moshë në prag pensioni, u akuzua më 8 qershor se ka abuzuar seksualisht me nxënësen e tij minorene, banore e fshatit Luftinjë, pjesë e Bashkisë së Memaliajt. Mësuesi 63-vjeçar pas denoncimit që i është bërë nga familja e vajzës së mitur është arrestuar dhe liruar nga policia, sepse sipas policisë nuk janë vertetuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, këtë ngjarje e ka mbajtur tërësisht të fshehtë çka ka bërë që Report TV, të hulumtojë dhe të nxjerrë në dritë gjithë ngjarjen e ndodhur të rrëfyer nga prindërit e vajzës 13 vjeçare të abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj.
Në deklarimin përpara kameras së Report TV, dy prindërit e vajzës 13-vjeçare të dhunuar seksualisht rrëfejnë momentet kur mësuan abuzimin që kishte kryer ndaj vajzës së tyre, mësuesi 63-vjeçar, me të cilin janë bashkëfshatar. I ati i vajzës 13-vjeçare ka mbetur i shokuar kur ka mësuar përmes gruas së tij ngacmimet seksuale që i kishte bërë të bijës, mësuesi.
Ai dhe bashkëshortja e tij kanë mësuar gjithçka pas një telefonate anonime të kryer në telefonin e shtëpisë të shtunën e kaluar. Kjo thirrje në telefon ka qenë informuese për abuzimet që ka kryer mësuesi ndaj të miturës. Pas kësaj, i ati i vajzës ka gjykuar që këtë çështje ta ndjekë në rrugë ligjore.
Isha në gjumë kur ra telefoni. Foli vajza, filloi të qajë dhe më tregoi të vërtetën. Mësuesi e kishte zhveshur, i kishte nxjerrë nxënësit e tjerë përjashtë. do ndjekim rrugët ligjore, na ra bomba në shtëpi. Mësuesi ka ardhur këtu për vakira, nuk kishim gjë me të.
Babai i ‘viktimës’
Ndërkaq e ëma e vajzës së ngacmuar seksualisht, e thellon akoma skandalin, duke pranuar se mësuesi i fshatit, ka lënë gjurmë në abuzimet seksuale në dëm të së bijës.
Vajzën e ngrita unë nga gjumi dhe e rraha. I thashë ‘çfarë janë këto që po dëgjoj’. Më tha se ka dy vjet që ndodh, por nuk kam treguar se kisha frikë se më rrihte babai. Vajza më tregoi se i nxirrte nxënësit e tjerë jashtë dhe e mbante atë në klasë. Ne kemi pasur raporte shumë të mira me mësuesin, na ra si bombë kjo.
E ëma e ‘viktimës’