Të paktën 10,569 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë me qendër në Gaza.
Numri i të vdekurve përfshinte 4,324 fëmijë, tha Ashraf al-Qedra, zëdhënës i ministrisë së drejtuar nga Hamas, duke shtuar se konflikti i vazhdueshëm Izrael-Hamas ka çuar në plagosjen e më shumë se 26,000 njerëzve.
Ai tha se gjatë ditës së kaluar, 241 njerëz në Gaza u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në sulmet izraelite.
Zëdhënësi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë popullin palestinez nga sulmet izraelite, pasi shumica e viktimave ishin fëmijë dhe gra.
Organizata bamirëse “Save the Children” po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, për të ndalur atë që ajo e quan katastrofë humanitare. Drejtori i kësaj organizate për Territoret Palestineze, Jason Lee i tha Zërit të Amerikës në një intervistë nga Jeruzalemi se fëmijët po paguajnë çmimin më të lartë nga konflikti.
Shumë nga 1,400 të vrarët nga sulmi i Hamasit në Izrael ishin fëmijë, ashtu si edhe një pjesë e rreth 240 personave që mbahen peng. Ndërkohë nga mbi 10 mijë personat që Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi thotë se janë vrarë në Gazë, 40 për qind janë fëmijë. Zoti Lee i tha koleges Keida Kostreci se vuajtja e fëmijëve do të jetë trashëgimia e komunitetit ndërkombëtar, nëse nuk i bën palët të respektojnë ligjin humanitar dhe të mbrojnë civilët.