Fati i Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese do të vendoset të martën e 26 nëntorit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kjo pasi KPK nuk dha një vendim për të, pasi Xhaferllari nuk e gëzon statusin e gjyqtares. E gjithë historia nisi kur Marsida Xhaferllari, anëtarja e dytë e Gjykatës Kushtetuese e dekretuar nga presidenti, i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kalojë në sitën e vetingut. Sipas këtij institucioni, për Xhaferllarin nisën procedurat e hetimit për të tre kriteret e rivlerësimit.
Proceduralisht, Xhaferllarit iu kalua barra e provës dhe u njoftua për seancë dëgjimore, e cila u zhvillua, por mbeti pa një përfundim. Në vendimin e publikuar në maj të këtij viti, KPK vendosi që të mos japë një vendim për subjektin e rivlerësimit, pasi, kjo e fundit nuk e gëzon më statusin e gjyqtares. Në arsyetimin e bërë në vendimin e publikuar, subjekti i rivlerësimit, pas 8 vitesh punë në Gjykatën e Fierit, ka bërë kërkesë që të punojë në Ministrinë e Drejtësisë, kërkesë që iu pranua. Në postin e këshilltares në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë ajo punoi një vit, dhe më pas, deri në 2013, mbajti postin e Drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë.
Pas kësaj, Xhaferllari paraqiti një kërkesë për t’u emëruar Kryeinspektore në KLD, kërkesë që iu pranua. Por shkëputja e subjektit për disa vite nga posti i gjyqtares, sipas ligjit mbi organizimin e gjyqësorit të ndryshuar në 2008, mbi ruajtjen e statusit të gjyqtarit për gjyqtarët që shërbejnë jashtë gjyqësorit, parashikon që për një periudhë kohore prej 3 vitesh e më pas të rikthehet në pozicionin e tij. Kjo nuk është respektuar nga Xhaferllari, e cila është larguar dhe nuk paraqiti asnjë kërkesë për t’u kthyer në pozicionin e saj të mëparshëm, që nga dhjetori 2007 dhe deri më sot. Për këtë situatë, në vendimin e zbardhur, KPK njofton se subjekti i rivlerësimit, Marsida Xhaferllarit e ka humbur statusin e gjyqtarit në mars të vitit 2011.
Por Xhaferllari argumenton ndryshe. “Ruajtja e statusit të magjistratit/gjyqtarit mbështetej edhe në ligjin për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas subjektit të rivlerësimit, ky ligj nuk përmban ndonjë afat për shërbimin jashtë gjyqësorit. Për pasojë, sipas subjektit të rivlerësimit, ajo e ka ruajtur statusin e gjyqtarit”, ka deklaruar Xhaferllari pranë KPK-së.