Nga Artur Ajazi
Mbledhja e kryesisë, sipas sekretarëve të Lulzimit, i paraprin mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Këto dy forume fantazëm, do të miratojnë statutin e ri (të panevojshëm) të PD që do i paraqitet për votim Kuvendit Kombëtar.
Në Kuvendin e PD të datës 28-29 prill, do të ketë ftesa edhe për kritikët e kryetarit Basha, thjesht për procedurë. Por ajo që të bie në sy në gjithë veprimtarinë e PD së Lulit, janë ditët e javës, ku spikatin e marta dhe e shtuna. Në një nga këto dy ditë të javës, Lulzimi dhe Ervini vendosin të mbledhin ose “kryesinë”, ose mbledhjen e grupit parlamentar.
Mjafton të kujtosh se edhe protestën më të fundit për “bllokimin e rrugëve nacionale” Lulzimi e ka vendosur bashkë me Ervinin e tij, ta bëjnë të martën e 10 prillit, po ashtu edhe mbledhjen e radhës së asaj që ai e quan kryesi e partisë, e ka lënë pikërisht ta bëjë të shtunën.
Patjetër këto dy ditë të javës, duhet të jenë me “ogur” për Lulzim Bashën, madje edhe për opozitarin më të “flaktë” të asaj partie, Ervinin. Eshtë e habitshme që sa herë që vendi, ndodhet përpara një periudhe qetësie dhe pritshmërie drejt përmbylljes së procedurave të hapjes së negociatave, opozita kërkon patjetër një shkak për “protesta” dhe trazira, për të risjellë kaosin dhe shkatërrimin.
Mjafton të kujtojmë vitin e zi 1997, për ti risjellë në vëmëndje shqiptarëve frikën dhe ankthin e përjetuar, tek shohim çdo të martë dhe të shtunë, përpjekjet e atyre që duan me patjetër të rivijnë në pushtet me thirrje antiligjore. Mjafton të kujtojmë kushtrimin e Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit, apo Strazimirit dhe ndonjë tjetri, për të menduar se kjo opozitë është krejt jashtë kontrolli.
Platforma e saj është e ndërtuar si një politikë kuturru, ku çdo thirrje dhe kushtrim sjell një shkatërrim dhe kaos, duke i imponuar vehtes dhe një pakice shqiptarësh idenë e “përmbysjes së pushtetit mes dhunës”. Tek shikon Lulzim Bashën që ulet “këmbëkryq” të martave me “popullin” në mesin e rrugëve, çdo njeri normal mendon se ky kryetar partie nuk është “lider” por një rastësi e politikës shqiptare. Lulzimi i ulur në rrugë mes “popullit” si dikur Enveri, përpiqet dëshpërimisht ta kopjojë atë.
Përplasja e fundit në sallën e Parlamentit me tendencë bllokuese, duke nxjerrë në vijën e parë figura të konsumuara politikisht të Partisë Demokratike, u tregoi edhe njëherë shqiptarëve se si mund të ishte qeverisja e asaj partie , që për 8 vjet ishte e mbushur me mediokër, të korruptuar dhe të pangopur në prona dhe para.
Por pavarsisht se çfarë do të vendosë mbledhja e kryesisë, apo dhe mbledhjet e tjera të grupit parlamentar të PD që Lulzimi i mban ose të shtunave ose të marten, një gjë është e sigurtë, ndryshimi i statutit të asaj partie nuk ka fare rëndësi. Pranimi i gjoja “propozimeve” për ndryshimet e statutit të partisë, janë thjesht makinacione të Lulit dhe beniaminit të tij Ervin, për të krijuar terrenin e duhur dhe për ti mbushur mëndjen demokratëve se “PD po hapet, por mbushet me të rinj”.
Hapja e Partisë Demokratike i ngjet një iriqi, që sa herë ngacmohet ai mblidhet dhe bëhet më hermetik. Kjo ndodh edhe me atë parti, e cila ka vendosur që aksionet opozitare ti konturojë dhe përcaktojë në dy ditët e javës, të martave dhe të shtunave, dhe natyrisht duke u tallur me sentimentet e atyre mijëra demokratëve që presin më kot, se ndoshta një ditë Lulzim Basha do të reagojë.
Sa herë Lulzimi deklaron “hapjen e PD” apo sa herë ai shpall përmes Ervinit të tij “konkursin” e propozimeve të reja për ndryshim statuti, aq më shumë kjo parti largohet nga realiteti duke u zhytur thellë në mjerim politik. Kjo evidentohet edhe më shumë tani, në prag të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të asaj partie. Të vetmet simbole me të cilat PD krenohet se “po bëjmë opozitë të fortë” sot ndoshta janë e marta dhe e shtuna, pasi simbolikat e tjera të saj, kanë kohë që janë fshirë për të mos u ringjallur kurrë .