Lejimi për vijimin e Shkollës së Magjistraturës nga KLGJ dhe KLP i fëmijëve dhe i bashkëshorteve të gjyqtarëve e të prokurorëve të shkarkuar, të larguar me dorëheqje apo të dënuar për korrupsion, ngre pikëpyetje për standardin e verifikimeve të figurës dhe të pasurisë, që kryhen prej institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë, duke ndikuar negativisht edhe në besimin e publikut. Emërimi si pedagogë të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës i dy ish-magjistratëve të dorëhequr nga detyra gjatë procesit të vetingut, vlerësohet nga Komisioni Europian dhe nga ekspertët si një kambanë për nevojën e ndryshimeve ligjore, me qëllim moslejimin e edukimit të brezave të ardhshëm të magjistratëve nga individë të tillë.
Gjashtë vjet nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë përmbyllur, duke mbetur edhe tre vjet mandat për shkallën e dytë të institucioneve të vetingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas një zgjatjeje mandati me dy vjet vitin e kaluar, pushon se ekzistuari në dhjetor të vitit 2024. Ende pa përfunduar vetingu i magjistratëve, familjarë të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të shkarkuar apo të dorëhequr nga detyra duket se kanë nxituar, që të plotësojnë vendet vakante, të krijuara në sistemin e drejtësisë si pasojë e Reformës në Drejtësi.
Zgjedhja e profesionit është një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të gjithë nënshtetasit shqiptarë, por standardet e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në verifikimin e pasurisë së kandidatëve për magjistratë duket se janë të ndryshme nga ato të institucioneve të vetingut, duke ngritur pikëpyetje mbi verifikimet e kryera deri tani, si dhe të atyre në vijimësi.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë nuk kanë gjetur probleme për pasurinë e tetë familjarëve të magjistratëve të larguar nga sistemi për probleme po për pasurinë apo të dorëhequr gjatë vetingut, duke iu hapur derën për të zënë vendet e prindërve apo bashkëshortëve të tyre, rrethana që ngrenë pikëpyetje edhe mbi qëllimin kryesor të Reformës në Drejtësi, atij të rikthimit të besimit të publikut. Po ashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka gjetur probleme lidhur me figurën dhe pasurinë për vajzën e një ish-prokurori të dënuar për korrupsion në vitin 2016.
Ndërkohë, një ish-gjyqtar dhe një ish-prokuror, që aktualisht janë të punësuar si pedagogë të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, kanë hequr dorë nga statusi i magjistratit gjatë procesit të vetingut dhe iu është ndaluar rikthimi në funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Legjislacioni nuk e ka përcaktuar pozicionin e pedagogut të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës në listën e funksioneve që ndalohen për t’u emëruar për 15 vjet në rast të dorëheqjes gjatë procesit të rivlerësimit.
Nevoja e një reforme në sistemin shqiptar të drejtësisë lindi bazuar në raportet monitoruese të partnerëve ndërkombëtarë dhe të organizatave lokale, që, bazuar edhe në sondazhet e kryera, konstatuan se besueshmëria e qytetarëve te sistemi i drejtësisë ishte në nivelet më të ulëta, me një trend përkeqësues në vijimësi. Problemet e konstatuara ishin të shumta, që nga keqfunksionimi, mungesa e profesionalizmit të magjistratëve, e pavarësisë dhe e eficiencës së tyre, mungesa e integritetit, e transparencës, e llogaridhënies dhe e besueshmërisë.
Këto fenomene në institucionet e drejtësisë u pranuan gjerësisht rreth një dekadë më parë dhe për këtë arsye në nëntor të vitit 2014 u ngrit komisioni i posaçëm parlamentar për të analizuar situatën, duke shënuar fillimin e Reformës në Drejtësi, me qëllimin kryesor rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Pas miratimit në Kuvend me unanimitet të legjislacionit të vetingut të magjistratëve në korrik të vitit 2016, si dhe pas ngritjes së institucioneve, që po kryejnë procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve që prej fillimit të vitit 2018, shumica e këtyre të fundit janë verifikuar në tri kritere: për pasurinë, për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.
Sipas të dhënave statistikore, të publikuara prej KPK për periudhën 8 shkurt 2018-30 nëntor 2023, janë dhënë 712 vendime, nga të cilat, 312 për konfirmimin në detyrë; të shkarkuar nga detyra janë 242 magjistratë; është ndërprerë procesi i rivlerësimit për 101 magjistratë të tjerë për shkak të dorëheqjes nga detyra, të cilëve iu është ndaluar të rikthehen në sistem për 15 vjet; 8 vendime për pushimin e procesit; 48 vendime për përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe 2 vendime pezullimi.
Në më të shumtën e rasteve gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë shkarkuar nga detyra, janë gjetur me probleme në kriterin pasuror, ndërsa ata, që iu është ndërprerë vetingu dhe iu është ndaluar rikthimi në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, e kanë dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit, pasi janë njohur me rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka gjetur të drejtë shumicën e vendimeve të KPK.
Por, investimi disavjeçar për të larguar nga sistemi magjistratët, që nuk justifikonin pasuritë, duket se po vendoset në pikëpyetje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku kryhet edhe procesi i vlerësimit të figurës dhe pasurisë për kandidatët magjistratë, që kanë fituar Shkollën e Magjistraturës. Janë pikërisht këto dy institucione të qeverisjes së sistemit të drejtësisë që në vitet në vijim do të kryejnë verifikimin e pasurisë, të figurës dhe të profesionalizmit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Por, ka disa raste, kur institucionet e vetingut e kanë rrëzuar verifikimin e kryer prej këtyre institucioneve, si dhe konkluzionet e ndryshme për pasurinë, të arritura për familjarët e magjistratëve të shkarkuar për probleme në këtë kriter, sugjerojnë të paktën një nivel më të dobët verifikimi nga ana e këshillave, që qeverisin sistemin e drejtësisë.
Komisioni Europian vlerëson se është thelbësore që institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë të zbatojnë në vijimësi të njëjtat standarde të arritura nga procesi i vetingut për vlerësimin e pasurisë, të figurës dhe të profesionalizmit për kandidatët për magjistratë dhe për magjistratët. Po ashtu, rekomandon ndryshime ligjore për të bërë të mundur që të shkarkuarit apo të larguarit me dorëheqje gjatë procesit të vetingut të mos edukojnë gjeneratat e ardhshme të magjistratëve.
Pikëpyetje ngrihen edhe nga drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i cili edhe ai sugjeron ndryshime ligjore për të përmirësuar situatën.
Familjarët e të shkarkuarve, në sistem
Institucionet e vetingut të magjistratëve kanë krijuar një praktikë të re në verifikimin e pasurive, duke ua kaluar barrën e provës subjekteve, që të vërtetojnë ligjshmërinë e burimeve të krijimit dhe duke e vendosur theksin në ligjshmërinë e të ardhurave, që kanë shërbyer për mbulimin e investimeve dhe të shpenzimeve. Në “sitën” e verifikimeve kanë kaluar edhe pasuritë e familjarëve të magjistratëve të rinj, që kanë rezultuar të jenë krijuar para fillimit të detyrës nga ana e tyre. Kjo me qëllim verifikimin, nëse këta magjistratë gëzojnë, qoftë edhe nëpërmjet trashëgimisë, pasuri me burime të ligjshme ose jo, pavarësisht se rezulton të jenë krijuar nga familjarët e tyre, përpara së të ushtronin funksionin.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dy institucionet e reja që qeverisin sistemin e drejtësisë, kryejnë verifikimin e pasurisë dhe të figurës së kandidatëve, që janë shpallur fitues në konkurrimin për në Shkollën e Magjistraturës. Janë pikërisht KLGJ dhe KLP ato që pas kryerjes së verifikimeve për këto dy kritere vendosin t`i lejojnë ose jo fituesit për të vijuar Shkollën e Magjistraturës. Ky verifikim kryhet, edhe pasi kandidatët për magjistratë kanë përfunduar me sukses trajnimin trevjeçar në Shkollën e Magjistraturës, përpara se të emërohen në detyrë.
Por, duket se hetimi i kryer për pasurinë nga KLGJ dhe KLP është i një standardi tjetër nga ai i krijuar nga institucionet e vetingut, duke ngritur pikëpyetje për vijueshmërinë në të ardhmen lidhur me kontrollin që do t’iu ushtrohet magjistratëve, si dhe në lidhje me besimin e publikut te drejtësia, pasi janë këto dy institucione, që kanë kompetencat për kryerjen e vlerësimit të magjistratëve të rinj dhe atyre aktualë, si dhe në të ardhmen.
Djali i një gjyqtari të shkarkuar për probleme me pasurinë në nëntor të vitit 2021 arriti që po atë vit të vijojë Shkollën e Magjistraturës, pasi u gjet pa probleme për figurën dhe pasurinë, megjithëse ai është trashëgimtari ligjor i pronave të prindërve. Gjatë procesit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në vitin 2023 ky gjyqtar u mbrojt nga i biri, student i Shkollës së Magjistraturës. Megjithatë, shkarkimi i tij mbeti në fuqi edhe në Kolegj.
Në vitin 2021 u lejua nga KLGJ që të vijojë Shkollën e Magjistraturës vajza e një gjyqtari të shkarkuar në vitin 2019 nga KPK, vendimmarrje që u la në fuqi në vitin 2020 edhe nga KPA, për probleme në kriterin e pasurisë dhe në kriterin e profesionalizmit. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk gjeti një vit më vonë probleme në pasurinë, që e bija e gëzon në cilësinë e trashëgimtares ligjore.
Trupës së magjistratëve të rinj, nga të cilët pritet të vijë ndryshimi në sistemin e drejtësisë, i janë bashkuar edhe fëmijët e dy gjyqtarëve, të cilëve iu është ndërprerë vetingu dhe janë ndaluar për 15 vjet, që të mbajnë funksione të magjistratit ose të barasvlershme, për shkak të dorëheqjes së tyre nga funksioni gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Njëri prej tyre u dorëhoq në mes të vetingut që po kryente KPK, kurse tjetri, pasi iu rrëzua kërkesa për çeljen e hetimit administrativ për figurën dhe profesionalizmin.
Ngjashëm ka vepruar dhe KLP në verifikimin e familjarëve të magjistratëve të shkarkuar. Vajza e një gjyqtareje të shkarkuar në vitin 2020 për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë u lejua nga KLP të vijojë Shkollën e Magjistraturës një vit më vonë. Shkarkimi i nënës së magjistrates së re u la në fuqi në vitin 2023.
Po në vitin akademik 2021-2022 filloi Shkollën e Magjistraturës djali i një gjyqtari të shkarkuar në vitin 2019 për probleme të pasurisë.
Trupës së kandidatëve për magjistratë i është bashkuar në vitin akademik 2022-2023 edhe vajza e një ish-prokurori të dënuar për korrupsion pasiv në vitin 2016. Personat e hetuar për krim të organizuar konsiderohen si kontakte të papërshtatshme. Vepra penale, për të cilën është dënuar babai i kandidates për prokurore, aktualisht hetohet dhe gjykohet nga juridiksioni i posaçëm, që ka kompetencat të hetojë edhe krimin e organizuar.
Verifikimet e KLGJ dhe KLP për pasurinë dhe figurën e kandidatëve për magjistratë bëhen më të diskutueshme për faktin se janë lejuar që ta vijojnë Shkollën e Magjistraturës bashkëshortet e dy gjyqtarëve të shkarkuar për probleme të pasurisë, megjithëse ato kanë qenë bashkëpronare dhe janë konsideruar si kontribuuese në krijimin e pasurive, që, sipas institucioneve të vetingut, nuk janë krijuar me burime të ligjshme. Edhe në këto raste, KLGJ e KLP nuk kanë gjetur probleme për pasurinë e dy kandidateve për magjistrate, bashkëpronare në pasuritë e vlerësuara si të paligjshme nga institucionet e vetingut, megjithëse pritet që së shpejti të marrin detyrën, njëra si prokurore dhe tjetra si gjyqtare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, i pyetur për verifikimin e këtyre rasteve, pohoi për INA Media-n nëpërmjet një kthimi përgjigjeje me shkrim se ka vlerësuar se kandidatët kanë përmbushur kriteret ligjore dhe nuk ka ekzistuar ndonjë shkak për shkualifikimin e tyre.
“Këto vendime nuk e cenojnë aspak besimin e publikut, por janë brenda çdo parashikimi ligjor”, – citohet në përfundim të përgjigjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë lidhur me pyetjet për standardet e ndjekura në verifikimin e pasurisë së familjarëve të magjistratëve të shkarkuar për probleme po në kriterin pasuror, si dhe në lidhje me besimin e publikut, referoi regjistrimet audio të seancave plenare, ku janë paraqitur dhe janë votuar projektvendimet, por pa dhënë ndonjë koment apo qëndrim për sa u pyet.
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, shprehet se një situatë e tillë nuk mund të krijojë besim në publik.
“Fëmijët e tyre nuk mund të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht se kjo ndikon në perceptimin në publik se Shqipëria është një vend i vogël, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Riciklimi i brezave të rinj në sistemin e drejtësisë nuk mund të krijojë besim të madh në publik. Në thelb, çdo individ duhet gjykuar për aktet e tij dhe e shoh si një konflikt, që lidhet me konceptin e demokracisë dhe me aftësinë tonë si shoqëri, por edhe me aftësinë e sistemit për të promovuar dhe për të krijuar individë të pavarur edhe nga familjet e tyre dhe për t’i gjykuar ata lidhur me arritjet profesionale gjatë vendimmarrjeve apo gjatë ushtrimit të profesionit”, – pohoi ndër të tjera Krasniqi.
Rastet e pranimit të bashkëshorteve të magjistratëve të shkarkuar Krasniqi i vlerëson si një defekt të madh në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, kjo situatë është produkt i një sistemi klientelist, që qarkullon edhe në sistemin e ri të drejtësisë. “Meriton hetim dhe verifikim se sa drejtësi prodhoi sistemi i drejtësisë dhe sa hapësira të reja, spekulative janë krijuar nga ata që hartuan ligjet për të krijuar përfitime”, – thekson Krasniqi.
INA Media kërkoi koment nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për këtë situatë, por, pasi ky institucion u shpreh se ishte jashtë tagrit të tij, operacional në Shqipëri, që të parashtronte opinion për rastet në fjalë, siguroi se pyetjet do t’i përcilleshin Komisionit Europian, i cili paraqiti qëndrimin e tij.
Komisioni Europian sjell në vëmendje se Shqipëria, si vend kandidat për në Bashkimin Europian, është angazhuar të përafrojë standardet europiane për sundimin e ligjit, përfshi dhe zbatimin e vazhdueshëm të Reformës gjithëpërfshirëse në Drejtësi dhe në veçanti atë të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Po ashtu, Komisioni Europian vëren se është duke ndjekur nga afër konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Lidhur me çështjet e ngritura për standardet e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë nga ana e KLGJ dhe KLP, Komisioni Europian nënvizon se duhen zbatuar të njëjtat standarde të larta, të vendosura nga procesi i vetingut, duke theksuar se ai standard mbetet thelbësor.
INA Media iu dërgoi pyetje për koment lidhur me këto konstatime dhe 12 prej 24 ekspertëve të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi, për të cilët u arrit që të siguroheshin kontakte, por deri në publikimin e këtij shkrimi vetëm kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ktheu përgjigje, duke thënë se nuk mund të shprehej, pasi është një çështje, e cila mund të bëhet objekt i një vlerësimi gjyqësor dhe dëmton imparcialitetin e qëndrimit të tij në të ardhmen.
Të dorëhequrit, pedagogë të magjistratëve
Vetingu ndaj ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 1 shkurt 2021, për shkak të dorëheqjes së tij nga statusi i magjistratit. Po ashtu, u vendos dhe sanksioni, që i ndalon Ligorit që të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për 15 vjet.
Henrik Ligori, i cili ka qenë edhe një prej ekspertëve të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi, që prej vitit 2018 ushtron detyrën si pedagog i Brendshëm i Shkollës së Magjistraturës. Legjislacioni i vetingut nuk ka përcaktuar mes funksioneve të sanksionuara pozicionin e pedagogut të brendshëm të Magjistraturës, megjithëse ka një rol kyç në formimin e brezave të magjistratëve të rinj. Aktualisht, Ligori ushtron njëkohësisht dhe profesionin e avokatit, ku kryesisht mbron të pandehur në çështje me interes publik, si në rastin e përfaqësimit ligjor të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur për “Shpërdorim detyre” lidhur me ngjarjen tragjike në Gërdec në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Në vitin 2020 ish-prokurori, Henrik Ligori, njoftoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se nuk e ushtronte më detyrën e prokurorit e për rrjedhojë nuk gëzonte më statusin e subjektit të rivlerësimit.
Me pretendimet e tij Ligori shmangu vetingun edhe në cilësinë e ish-magjistratit, që është një nga mënyrat e përcaktuara në legjislacionin e vetingut për kryerjen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ai parashtroi në Komision se nuk mund të vetohej as si ish-prokuror, pasi në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut gëzonte statusin e magjistratit.
Megjithatë, Komisioni mbylli hetimin administrativ dhe thirri në seancë dëgjimore Ligorin, por ky i fundit e cilësoi të panevojshme. Megjithëse i ka cilësuar të drejta përfundimet e KPK në vetingun e tij, Ligori është shprehur se me dorëheqjen e vitit 2018, kishte zgjedhur të ushtronte detyrën e pedagogut të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës pa ndonjë afat të kufizuar, bazuar në përcaktimet e ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Duke iu referuar procedurave të emërimit të Ligorit si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, KPK ka vlerësuar se ai nuk e gëzon statusin e magjistratit, pasi nuk është emëruar sipas përcaktimit ligjor “Pedagogët gjyqtarë ose prokurorë”, të cilëve iu garantohet statusi i magjistratit dhe rikthimi në detyrë. Por, për shkak se është provuar se Ligori ka dhënë dorëheqjen nga detyra, është vlerësuar sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës, që përcakton se ndërprerja e vetingut në rast të dorëheqjes së magjistratit, shoqërohet edhe me humbjen e së drejtës për t’u emëruar në disa funksione në sistemin e drejtësisë.
Pedagogu dhe avokati Henrik Ligori nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve për koment që INA Media i dërgoi në postën elektronike.
Ngjashëm si në rastin e Ligorit, një tjetër magjistrat i dorëhequr nga detyra ka fituar një pozicion si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës. Ish-gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Amarildo Laçi u shortua në Komision në vitin 2018, por pas rreth një viti e gjysmë ai u dorëhoq nga detyra, pak përpara se të përfundonte procesi i vetingut ndaj tij. Kur Komisioni e ftoi në seancë dëgjimore në maj të vitit 2020, ai njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen nga detyra pak ditë më parë. Veç ndërprerjes së vetingut, edhe në këtë rast u zbatua neni G i Aneksit të Kushtetutës, duke i ndaluar Laçit emërimin në disa funksione për 15 vjet, por ky sanksion nuk e pengoi që të jetë një prej pedagogëve në Shkollën e Magjistraturës.
Ish-gjyqtari Amarildo Laçi ishte i paarritshëm për t`u pyetur për koment lidhur me faktin se, edhe pse është dorëhequr në fund të procesit të vetingut, aktualisht mban një pozicion, që ndikon dhe në brezat e rinj të magjistratëve.
INA Media i kërkoi koment nëpërmjet postës elektronike edhe drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipit, por ende nuk ka mbërritur një përgjigje prej tij.
Krasniqi e cilëson emërimin në Shkollën e Magjistraturës të subjekteve, që kanë dhënë dorëheqjen nga vetingu, si një shkelje të dukshme të parimeve dhe të standardeve të vetingut dhe të drejtësisë së re.
“Do duhej që Shkolla e Magjistraturës të kishte një sistem shumë më profesional, sidomos për stafin pedagogjik dhe drejtimin. Shkolla e Magjistraturës meritonte një staf tjetër dhe është paradoksale, që sistemi i drejtësisë testohet në periferinë e vet dhe në gjithë nivelet e gjyqësorit dhe të prokurorisë, edhe niveli më i lartë, ai i përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, […] të ketë kaq standard të ulët të përzgjedhjes së stafit të tyre edhe për individët, që përfshihen në edukimin e brezave të ardhshëm”, – shprehet Krasniqi, duke nënvizuar se lektorët janë ata që ndikojnë në strukturën e re të drejtësisë.
Sipas Krasniqit, problem është edhe promovimi i të larguarve nga sistemi i drejtësisë në stafet pedagogjike e drejtuese të fakulteteve. “Kjo meritonte një vlerësim, pavarësisht se paketa e Reformës në Drejtësi nuk i ka prekur. Meriton një vlerësim nga parlamenti, për të parë se ku duhej të ishte ndërhyrja”, – sugjeron Krasniqi.
Edhe Komisioni Europian i mëshon nevojës së ndryshimeve ligjore. “Duhet të paraqiten ndryshime legjislative, për të përforcuar integritetin e stafit mësimdhënës në Shkollën e Magjistraturës, duke u siguruar që ish-magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vetingut ose ata që kanë dhënë dorëheqjen përballë tij, nuk po trajtojnë gjeneratat e ardhshme të magjistratëve”, – theksohet në përgjigjen e Komisionit Europian./ Investigative Network Albania
Shënim: INA Media vlerësoi të mos i bëjë publikë emrat e kandidatëve për magjistratë, familjarë të gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar ose të larguar me dorëheqje gjatë vetingut, duke konsideruar të drejtën e tyre kushtetuese për zgjedhjen e profesionit, si dhe për faktin se ata nuk mund të konsiderohen përgjegjës për veprime të kryera nga familjarët e tyre.