Filmi i regjisorit Namik Ajazit, “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, ka sjellë në Shqipëri aktorin e madh Remo Girone-n.
Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast të zgjedhur aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie gjatë viteve të diktaturës.
Bëhet fjalë për historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian.
Remo Girone dha një intervistë ditën e sotme për “Ftesë në 5”, ku foli për rolin e tij në film, por edhe për vizitën për të dytën herë në Shqipëri.
“Është një histori e bukur, një histori e vërtetë, e cila ka ndodhur në ato vite.
Bëhet fjalë për një lidhje dashurie mes vajzës së ambasadorit italian dhe një djali shqiptar, i cili pikërisht për këtë arsye bëri tetë vite burg.
Mund të them se është një histori, e cila e përmbledh më së miri atë epokë”, tha Girone.
Ai u shpreh se ka parë ndryshime të mëdha në vendin tonë.
“Kam shkuar në disa restorante të mira kam parë pallatet e reja që po ndërtohen, stadiumin.
Pikërisht sot u takova me kryetarin e Bashkisë, një njeri i jashtëzakonshëm.
Biseduam dhe mendoj se është njeri me ide tepër të qarta.
Këtu punojnë shumë arkitektë italianë dhe më duket se qyteti po merr një zhvillim të mire”, tha aktori.
Një ndër gjërat që Girone vlerëson më shumë në vendin tonë është gatimi.
“Gjatë xhirimeve të këtij filmi, kemi dalë thuajse çdo mbrëmje e kështu më është dashur të kapërcej drekën ndonjëherë. Restorantet dhe gatimi në Shqipëri janë shumë të mirë. Këtu, peshku është i shkëlqyer. …
Natyrisht edhe në Itali ka restorante tepër të mira, por kushtojnë shumë, shumë më tepër. Këtu në Shqipëri gjen jo pak restorante ku gatuhet me shumë cilësi.
Pastaj ka shumë peshk, vërtet shumë… Në fund të fundit ngjan shumë me kuzhinën italiane. Pranë hotelit tonë është një restorant shumë i mirë ku shkojmë vazhdimisht”, tha aktori.