Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka reaguar pas takimit që delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, zhvilloi me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Cakaj thotë se Merkel ka konfirmuar mbështetjen absolute të Gjermanisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoj edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania.
Shqipëria do të vazhdon të luaj rolin e saj të pazëvendësueshëm në stabilitetin rajonal dhe afirmimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perendimorë! Shumë mirënjohës për përkushtimin e Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë”, deklaron Cakaj.
Gjithsesi, Gent Cakaj nuk sqaron nëse ‘mbështetja absolute’ e Gjermanisë për hapjen e negociatave do të ketë rezultat këtë qershor, apo Shqipërisë do t’i refuzohet për herë të tretë ky proces, pavarësisht qëndrimit pro në parim në Berlinit.