Ditën e sotme në Tiranë është mbajtur takimi i Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste.
I pranishëm në takim ishte edhe kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal tek rëndësia e procesit të integrimit europian, ku tha se që nga prej daljes nga diktatura, Shqipëria ka për herë të parë shansin real për të hyrë në BE.
Teksa një pjesë e zyrtarë dhe ish-zyrtarëve socialistë ndodhen nën hetim apo në burg, Rama u shpreh se nga pikëpamja njerëzore nuk është mirë të shohësh njerëz që i njeh prej kohësh të dalin para drejtësisë.
Por shtoi gjithashtu se shpata e ndëshkimit ka kaluar nga pushteti ekzekutiv te drejtësia. Kryesocialisti tha se duhet bërë investim te shkollat politike që të ndihmojmë brezin e ri të kuptojë se politika nuk është e keqja.
Rama është ndalur edhe tek mediat sociale. Ai tha se ato janë kthyer në një instrument që kanë shkatërruar shumë gjëra, ndër to edhe idenë e politikës.
“Të gjithë duhet të investojmë në shkolla politike, të ndihmojmë brezin e ri të kuptojë që politika nuk është e keqja, por është një instrument që njerëzim nuk mund të përballojë ta humbë, në të kundërt do të shkojmë drejt një jete mjaft të egër. Nuk ka asnjë vendim politik për të financuar edukimin politik për të ndihmuar të rinjtë që duan të merren me politikë të kuptojnë se çfarë është. Pa politikë njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë, përveçse të vrasin e luftojnë njëri-tjetrin.
Ajo çfarë po ndodh me median sociale është një shkatërrim i shumë gjërave, shkatërrimi i idesë së politikës. Jetojmë në një kohë kur kemi parë që antipolitika nuk mund të bëjë shumë, që ato që formohen nga urrejtja dhe nga tërbimi, cinizmi, por kanë pasur mundësi si parti që të vijnë në pushtet, kanë bërë gjëra të këqija. Është pikëpyetje e madhe se kush do ta ndryshojë këtë gjë sa i takon edukimit të brezit të ri me idenë e politikës dhe pastaj mund të zgjedhin të djathtën, të majtën apo PS fituese.”