Takimi i ambasadores amerikane Yuri Kim me kreun demokrat Lulzim Basha të premten duket se e ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha.
Teksa zhvilloi ditën e djeshme një “Foltore” me demokratët e Vaut të Dejës, Berisha nuk i ka kursyer akuzat dhe sulmet ndaj Kim.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë reagim nga ambasadorja ndërkohë që vendi është i zhytur në korrupsion. Ish-kryeministri e cilësoi reformën në drejtësi të dështuar teksa akuzoi Kim se po vazhdon ta reklamojë atë nga afera në aferë. Sipas tij, Kim nuk thotë asnjë fjalë për korrupsionin e qeverisë, por vetëm për ish-zyrtarë.
“Si ka mundësi që Shqipëria u mbush me drogë dhe nuk e thatë një fjalë kundër qeverisë. Kur drejtësia italiane solli dosjet e trafikantëve ministra i krahasuat këto dosje me dosje të thjeshta.
Si ka mundësia që nga Shqipëria ikën investitorë të mëdhenj të huaj dhe nuk thoni një fjalë. Si ka mundësi që ikin qytetarët nga vendi dhe nuk thoni një fjalë kundër Edi Ramës. Si ka mundësi që vazhdoni të reklamoni reformën e dështuar në drejtësi. Si ka mundësi që një njeri kalon nga afera në aferë. Ne jemi miq të SHBA.
Kjo që po bëjmë ne sot është praktikë strikte e amerikanëve. Do bëjmë gjithçka të afrohemi me atë vend. SHBA na kanë ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Qeverisja e përparme ia doli të dyfishojë rroga dhe pensione duke luftuar korrupsionin. Kjo zonjë nuk thotë një fjalë për korrupsionin e qeverisë, por vetëm për ish-zyrtarë”, u shpreh ish-kryeministri.
Berisha rikujtoi një sërë ngjarjes si situata në FSHF, blindimi i selisë blu si dhe zgjedhjet e 25 prillit për të cilat u shpreh se ambasadorja nuk tha asnjë fjalë, madje dhe uroi kreun e KQZ për zgjedhjet. Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit ishin më të këqijat në histori. “Shikoni çfarë bëhet me FSHF. Kanë votime ata. Përdoret tritoli, përdoren tatimorët kundër një njeriu që nuk e mundin dot me votë.
Ky është standardi. A thuhet një fjalë për blindimin e selisë së PD? A keni dëgjuar një fjalë? Asnjë. Këto janë parime të George Soros. Do të qëndrojmë në të drejtën tonë sepse pamë me sytë tanë si vota e lirë u përzu nga Shqipëria. Natën e 25 prillit zonja uroi kreun e KQZ për zgjedhjet më të këqija”, tha Berisha.
Berisha vijon me akuzat ndaj Bashës
Nga ana tjetër ish-kryeministri ka vijuar me sulmet ndaj kreut demokrat Lulzim Basha si dhe kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se Rama mbështet Bashën, por përveç kësaj, Basha mbështetet edhe nga përfaqësuesit amerikanë. Sipas Berishës, kjo mbështetje një lojë shumë te rrezikshme për pluralizmin.
“Edi Rama është njëra anë. Sot siç e shihni ju, kallp opozitën, apo peng Bashën nuk e mbështet vetëm Edi Rama, por fatkeqësisht e mbështesin edhe përfaqësues të vendit të madh të lirisë dhe kjo mbështetje është një lojë e rrezikshme me pluralizmin në Shqipëri.
Fatkeqësisht, sot Bashën nuk e mbështet vetëm Edi Rama, por edhe përfaqësues të vendit të madh të lirisë. Kjo mbështetje është një lojë e rrezikshme për pluralizmin në Shqipëri. Kë po mbështesin ata me përkrahjen ndaj Lul Bravës? Lulzim Basha është i marrë peng me një dosje për larje parash në SHBA dhe Tiranë. Ai firmosi që për të mos shkuar në burg, do të largonte Sali Berishën nga politika”, tha Berisha.