Pasi la mandatin e deputetit, vendimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka ngjallur interes edhe tek mediat e huaja, që kanë raportuar ngjarjen më të rëndësishme sot, në Shqipëri.
E para ka qenë prestigjiozja amerikane, “Washington Post”, e cila ka publikuar një raportim të Associated Press, për vendimin e Saimir Tahirit, që të dorëzojë mandatin e deputetit. Ja çfarë shkruan “WP”:
“Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, ka dhënë dorëheqje si deputet për të lejuar hetuesit që të provojnë përfshirjen e tij të supozuar në një rrjet të trafikimit të drogës.
Saimir Tahiri tha të enjten se heq dorë nga ky post në mënyrë që hetimi të mos interferojë me rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Tahiri, që ka shërbyer si ministër i Brendshëm nën qeverinë socialiste nga viti 2013 deri në vitin 2017, akuzohet për lidhje të dyshuara me një grup të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit.
Disa nga liderët e grupit janë arrestuar në Shqipëri dhe Itali. Tahiri ka mohuar lidhjet me grupin.
Vitin e shkuar, parlamenti i hoqi imunitetin Tahirit, në mënyrë që prokurorët të mund ta pyesin dhe t’i kontrollojnë banesën.
Shqipëria pret që Këshilli Europian të miratojë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në qershor”, shkruan “WP”./Tellalli