Ditët e fundit është vënë re një dozë e lartë sulmesh kundër prokurorisë. Sulmet kanë dalë nga selitë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Eksponentë të lartë të këtyre partive, që pas marrjes në pyetje të kreut të demokratëve, Lulzim Basha, kanë shpërthyer në akuza, duke e quajtur organin e akuzës si të kapur. Por për avokatin Spartak Ngjela, një sjellje e tillë e opozitarëve, tregon frikë.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ai deklaroi se ata që sulmojnë janë të trembur nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku sepse e dinë që do të hetohen për aferat e tyre korruptive. Ngjela paralajmëroi se pas datës 15 dhjetor, kur pritet të ngrihen edhe organet e reja të drejtësisë, çdo politikan i korruptuar do të harxhojë kohën duke menduar për “mbijetesë”. “Respektojeni të çmendurin që ka hall. Kur shthurja mendore vjen nga halli dhe nga presioni i padisë penale, nuk dihet se çfarë flitet.
Dy janë personat që këta duan me çdo kusht që të mos i kenë: Arta Marku dhe Fatmir Xhafaj. Të dy këta i kanë tmerr sepse e dinë që këta do t’i hetojnë. Njëri po merret dhe po rregullon e godet krimin, ndërsa tjetra po ngre akuzat. Le të tjerrin sa të rregullohen gjykatat. Mua do të merrni në telefon pastaj dhe do të më pyesni kur të jenë gati Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme. Këto i ke të dala dhe gati deri në 15 dhjetor. Deri në 15 dhjetor nuk e heqin dot Arta Markun, pas 15 dhjetorit nuk do të kenë më kohë të merren me Markun, por do tentojnë të shpëtojnë veten”, u shpreh Spartak Ngjela.
Reagon Fatos Klosi
Sulmet e njëpasnjëshme të opozitës ndaj prokurorisë i komentoi ditën e djeshme edhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Në një reagim të dhënë për gazetën po ditën e djeshme, Klosi u shpreh se kampet opozitare janë të pakënaqura nga lëvizjet e prokurorisë dhe për këtë arsye mbajnë edhe këtë qëndrim. Ai shtoi se mund të bëhet fjalë edhe për një ndjesi frike pasi akuzat e ngritura kanë gjithmonë pasoja, edhe në qofshin të vogla. “Mua më duket shumë e qartë nga se vijnë këto akuza.
Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk iu pëlqejnë vendimet e prokurorisë. Dhe për të justifikuar pse nuk i pëlqejnë, natyrisht ata thonë që kjo prokurori është e politizuar, udhëhiqet nga interesat e mazhorancës qeverisëse, e kështu me radhë. Kaq e thjeshtë është. Ata po e përdorin si argument që gjoja prokuroria është e kapur. Nuk mund të them troç nëse janë të frikësuar apo jo sepse nuk e di se cilat janë akuzat dhe lëvizjet e prokurorisë që të them se cilat janë pasojat e këtyre akuzave. Natyrisht nuk iu pëlqejnë akuzat sepse akuzat kanë pasoja, qofshin këto të vogla, qofshin të mëdha.
Tani çdo lloj pasoje, sado e vogël të pengon të konsiderohesh i pastër”, deklaroi Fatos Klosi. Gazeta e tha dy ditë më parë që këto sulme ndaj organit të akuzës pritet të shtohen sepse liderët opozitarë kanë urdhëruar deputetët e tyre që ky të jetë fokusi në çdo dalje mediatike. Një gjë të tillë e faktuan dje reagimet e Petrit Vasilit, Endrit Braimllarit dhe Edi Palokës. Sakaq, Basha të hënën doli në një deklaratë shtypi dhe u bëri thirrje prokurorëve që të nisin rebelimet ndaj Markut. Ndërsa Monika Kryemadhi gjatë kësaj jave e kërcënoi hapur Markun. Ajo i kujtoi se si u arrestua kryeprokurorja e Rumanisë, ndërsa disa herë e ka paralajmëruar se do mbajë përgjegjësi për veprimet./Mimoza Ibra