Avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar fund të hidhur për presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ditën e shtunë presidenti i doli në krah ish-kryeministrit duke sulmuar amerikanët, por për avokat Ngjelën, presidenti rrezikon të ketë fat edhe më të keq sesa Berisha.
Me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook Ngjela u shpreh se politika amerikane është duke e mbajtur fjalën e dhënë ndaj shqiptarëve për luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Ai tha se rasti i parë që e provon këtë është shpallja “non grata” e Berishës e rasti i dytë së shpejti do të jetë shkarkimi i Metës. Sipas Ngjelës në javën paraardhëse Parlamenti do të pushojë Metën dhe Gjykata Kushtetuese do të marrë vendimin për heqjen e postit duke e lënë kështu pa imunitet dhe kjo pritet të jetë faza e parë.
“Politika amerikane po e mban zotimin që ua ka bërë shqiptarëve për likuidimin e korrupsionit të lartë shtetëror. Dhe koha erdhi. Departamenti i Shtetit e shpalli Sali Berishën njeri të padëshiruar dhe të papranueshëm për Amerikën. Të premten konstitucionalistët në Komisionin e Hetimit Parlamentar argumentuan që presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën. Javën që vjen,
Parlamenti do të pushojë Metën me 2/3 e votave. Dhe çështja menjëherë i shkon Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese merr vendimin për pushimin e Metës nga posti i Presidentit të Republikës dhe kështu kuptohet se Meta është pa imunitet. Kjo është faza e parë”, tha avokati. Ngjela u shpreh se faza e dytë hapet me shpalljen e Metës “non grata” dhe do të vazhdojë me goditjen kundër grupit të parë të korrupsionit të lartë shtetëror. Ai tha se krerët e korrupsionit të lartë nuk kanë asnjë mundësi për të vepruar pasi sipas tij trupat ushtarake të “Defender 21” janë duke zhvilluar trajnimin kundër kërcënimit rus në vend.
“Si rregull, faza e dytë duhet të fillojë me shpalljen e Ilir Metës si person non grata në SHBA dhe me goditjen penale të Berishës dhe të Metës. Por, shenjat janë që bashkë me ta, do të fillojë edhe goditja penale për grupin e parë të të korruptuarve të lartë.
Po këta krerë të korrupsionit të lartë shtetëror, do të kundërveprojnë? E kanë të pamundur. Ata para një muaji, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, thanë se do të bënin kryengritje. Pse nuk e bënë? Sepse sot në Shqipëri janë 8000 trupa ushtarake amerikane, me të cilat po zhvillohet një stërvitje ushtarake me synim kundër kërcënimit rus kundrejt Shqipërisë”, tha ai.
Ngjela ironizon padinë e Berishës ndaj Blinken
Avokati Ngjela u shpreh se të korruptuarit e lartë në Tiranë i ka zënë frika saqë flasin përçart. Ai mori si shembull padinë e Berishës kundrejt Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Sipas tij është për të qeshur fakti sesi Berisha mendon se mund ta dënojë Blinken në një gjykatë franceze asnjanëse.
“E gjithë kjo situatë force kundër korrupsionit të lartë shtetëror, ka sjellë një frikë që i ka bërë të flasin përçart. Saliu, për shembull, u tha shqiptarëve se do të fuste në burg Sekretarin e Shtetit amerikan Blinken, që e kishte shpallur person “non grata” në Amerikë. Por, shqiptarët e pyetën ku do ta dënonin Blinkenin? Dhe Berisha iu tha: Unë do ta dënoj në një vend asnjanës, në Francë. Dhe shqiptarët i bëri për të qeshur.
Po ta dinte presidenti i Francës, Sharl de Gaulle këtë formulë çudibërëse të Berishës, do ta kishte dënuar me burgim John Kennedy-n qëkurse ky ishte senator dhe fyeu rëndë presidentin e Francës. Ku ta dinte De Gaulle i shkretë që me një gjykatë franceze, si Saliu sot, mund ta kishte burgosur Kenedin”, ironizoi Ngjela.