Në fjalën e tij të gjatë në përfundim të protestës së opozitës, lideri i demokratëve Lulzim Basha ka sulmuar ashpër dhe televizionet kombëtare, të cilat kanë marrë rreth 4 mln euro për kalimin nga transmetimi analog në atë dixhital.
Vendimi i marrë fshehtësisht nga qeveria më 4 prill dhe i bërë publik vetëm kur doli në faqen zyrtare, ka sjellë dhe një paralajmërim të ashpër nga ana e kryetarit të PD-së. Basha ka sulmuar hapur televizionet kombëtare që kanë marrë këto para duke thënë se shërbimi që po i bëjnë “padronit” Edi Rama njëlloj si kriminelët dhe oligarkët, shqiptarët nuk do t’ja falin.
Basha: Turp për ta. Por dua t’i paralajmëroj sot se shërbimin që i bëjnë padronit të tyre njësoj si oligarkët , njësoj si kriminelët, shqiptarët nuk do t’jua falin. Mos i merrni shqiptarët për budallenj. Ekranet tuaja janë të djegura. Bojkoti ndaj jush është akti me të cilin shqiptarët do ju kthejnë reston.
Bojkoti ndaj çdo ekrani të paguar me lekët që u vithen shqiptarët dhe që janë bërë veglat e autokratit më të korruptuar të Ballkanit… por po kështu përgjegjësi do të mbajnë dhe oligarkët, ata që fusin duar në xhepat e shqiptarëve dhe nga ana tjetër bëjnë sikur nuk shohin padrejtësisë që bien mbi kurrizin tuaj.