Shqipëria arrin të sigurojë një sukses modest në Ligën e Argjendtë të volejbollit për femra, pasi zuri vendin e tretë dhe mori medalje bronzi në këtë aktivitet. Natyrisht, kjo është liga e dytë e rëndësishme në rang europian, por për vajzat kuqez ishte një progress i qëndrueshëm dhe një nivel i kënaqshëm që premton shumë për të ardhmen.
Kështu, pas suksesit të kualifikimit në Final Four të Divizionit të Argjendtë të Ligës së Europës, Kombëtarja e volejbollit të femrave nuk është mjaftuar me aq. Skuadra e drejtuar nga trajneri Altin Martiri triumfoi në sfidën për vendin e tretë përballë Estonisë, të zhvilluar në Nykoping të Suedisë, duke e mbyllur edicionin me fitimin e medaljes së bronztë.
Një paraqitje e shkëlqyer ajo e vajzave kuqezi, që dominuan në të gjitha drejtimet, duke e mbyllur duelin në diçka më tepër se një orë lojë. Përfaqësuesja shqiptare fitoi setin e parë, duke e mbyllur me shifrat 25-14, ndërsa dominimi vijoi edhe në setin e dytë, të fituar 25-17. Estonia tentoi të bënte diçka në setin e tretë, megjithatë vajzat kuqezi fituan 25-21 dhe e mbyllën finalen e vendit të tretë me rezultatin e përgjithshëm 3-0.
Festë dhe medalje bronzi për kombëtaren e volejbollit për femra. Kurorëzimi më i mirë për një edicion të jashtëzakonshëm dhe rezultat që konfirmon se ky sport po i kthehet lavdisë së dikurshme. Duhet ende shumë punë për të arritur në nivelin më të lartë të Ligës së Europës, por një hap suksesi është hedhur tashmë. /Pamfleti Sport