Boksieri i talentuar Alban Beqiri, ia doli dhe një herë tjetër të shkëlqejë në ringun e Beogradit, atje ku po zhvillohet kampionati botëror i boksit.
Beqiri garon në peshën trupore deri në 71 kg, dhe mbrëmë kishte përballë kampionin e Jordanisë, Zijad Eashah, në kuadër të çerekfinaleve të Botërorit të dorezave. Sportisti ynë bëri një paraqitje mbresëlënëse, duk e fituar ndeshjen me rezultatin 4-1.
Një fitore bindëse që dëshmon superioritetin e tij në ring. Ndeshja e boksierit shqiptar ishte e nivelit të lartë, me mbrojtje të kujdesshme dhe efikase si dhe sulm të shpejtë e të kombinuar, duke marrë përparësi minutë pas minute.
Dihet që edhe boksi amator tani zhvillohet pa kaska në kokë, pra është pothuajse profesionist, vetëm se ka më pak raunde lojë. Boksieri i Kombëtares Kuqezi siguron me këtë sukses minimalisht medaljen e bronztë dhe është në rrugë të mbarë drejt finales së madhe në këtë kategori peshe.
Theksojmë se kjo është fitorja e katërt radhazi e Beqirit, i cili i ka fituar këto takime në mënyrë bindëse, duke dëshmuar pjekuri në ring dhe një nivel shumë të lartë që mund t’i japin shanse në të ardhmen në karrierën e tij. Finalja e boksit do të luhet ditën e enjte në Beograd. Beqiri, me formën që gëzon, mund të na surprizojë me një rezultat historik në një kampionat botëror.
Edhe kaq sa ka bërë, ai ka ka dalë mrekullisht të shkëlqejë, madje është hera e parë në përfaqësimin e boksit tonë që një sportist shqiptar i shkon kaq afër medaljes së artë. Nëse ia del edhe në finale, Beqiri do të bëhet sportisti i parë me stemën e Kombëtares së Shqipërisë dhe i regjistruar në federatën e boksit që arrin një medalje në një Kampionat Botëror. Për momentin Beqiri duhet t’i gëzohet medaljes së bronztë, ndërsa ka ende shans të arrijë më lart. Për këtë i duhet edhe një fitore e pestë dhe e fundit, gjë që është një ëndërr e të gjithë brezave të boksit tonë.