Përpjekja e përsëritur e Partisë Demokratike për të marrë peng protestën e studentëve ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale.
Postimet e realizuara këto ditë në faqen e FB dhe Instagram të Lulzim Bashës, Sali Berishës apo faqja zyrtare e Partisë Demokratike kanë provokuar komente gjithmonë e më të irrituara nga studentët, që bëjnë të qartë se lëvizja e tyre nuk ka asgjë të përbashkët me axhendën politike të partisë më të madhe në opozitë.
Në 8 dhjetor, në ditën e Rinisë, studentët shkruanin në faqen e Sali Berishës që: “Të paktën tani jemi të lirë të protestojmë, se në kohën tënde të vrisnin në shesh”.
Ndërkohë, të tjerë ironizojnë në profilin e Lulzim Bashës, duke i shkruajtur se “bën mirë të kthehesh në Holandë, këtu i dalim vetë zot vetes”.
Një prej komenteve më të përhapura në rrjet është ai i Robert Saljës, i cili shkruan: “Çfarë po ju intereson ju që merreni me protestën e studentëve”.
Ndërsa Shpëtim Azizi, një komentues në faqen e PD shkruan “Bravo studentët, poshtë politika, përfshirë edhe të gjithë ju”.
Reagimet e studentëve vijnë pasi gjatë ditëve të fundit, eksponentë të Partisë Demokratike dhe LSI kanë tentuar të përçajnë lëvizjen studentore, duke i dhënë atyre ngjyrime partiake.
Të organizuar nga PD, banorët e Unazës së Madhe tentuan t’i bashkohen protestës në fundjavë, por u larguan nga studentët, të cilët edhe një herë më shumë bënë të qartë që lëvizja e tyre nuk ka asgjë të përbashkët me synimet politike të opozitës.