E ardhmja për të ishte e ngrysur. Nuk dinte nëse karriera do t’i buzëqeshte ose jo. Te gjithë mendonin se do ta linte futbollin. Në Maqedoninë e Veriut nuk ishte vlerësuar sa duhet. Edhe pse te Vardari kishte shkëlqyer, në fund e larguan pasi nuk ishte më në planet e tyre. Në merkaton e verës 2017-të e hodhën sa “andej-këtej”. Destinacioni i fundit ishte Pobeda. Pikërisht në çastet kur kishte humbur çdo lloj shprese për meritokracinë, për Jasir Asani bien sirenat shqiptare.
Partizani e kishte vëzhguar prej kohësh, megjithatë drejtuesit e kuq ishin skeptikë për cilësitë e tij. Drejtori i Akademisë, Genc Tomorri kishte këmbëngulur që Asani t’i bashkohej kryeqytetasve. Merkato në Shqipëri ishte mbyllur, megjithatë ekzistonte mundësia që mëngjërashi t’i bashkohej ekipit B. Duhej minimalisht që të luante dy ndeshje zyrtare me skuadrën e dytë, për të nisur më pas aventurën me ekipin e parë.
Në klub nuk ishin shumë entuziastë edhe pas mbërritjes së tij. Mungesa e minutave në Maqedoninë e Veriut e kishte lënë disi në hije nga ana fizike. Edhe në skuadrën e dytë e Partizanit konkurrenca ishte mjaft e madhe. Megjithatë në ekip kishte një djal kryeqytetas si Klod Nuri, i cili në disa ndeshje të caktuara i lejoi mundësinë Asanit të bëhej protagonist. Mesfushori i “dhuroi” goditjet e penalltive dhe të faulleve.
Mjaftoi një gol i realizuar nga Jasiri dhe menjëherë në skuadrën e parë e thirrën në apel. Edhe pse në stërvitje nuk jepte përshtypjen e një lojtari që mund të bënte diferencën, në fushën e blertë ai “karikohej” dyfish. Padyshim shumë klube në elitë nisën të josheshin nga cilësitë e tij. Në performancë njohu vetëm progres. Anësori më i mirë që mund të kishte pasur ndonjëherë Superiorja jonë.
Për nga shpejtësia në krah mund të na kujtojë Gjergj Muzakën, mirëpo cilësitë teknike e çojnë në tjetër nivel atë. Arriti të fitonte një titull kampion me Partizanin, pas plot 26 vitesh për këtë klub. Me lojërat e zhvilluara fitoi edhe simpatinë e drejtuesve të kuq duke e pasur të “përkëdhelurin” e tyre, veçanërisht Gaz Demi e kishte pikë të dobët. Me ofertat e para të mbërritura në drejtim të tij, nuk iu tha “Jo”.
Përkundrazi iu dha mundësia të maste forcat në Suedi me AIK. Me suedezët nuk arriti të tregonte të njëjtin nivel si tek të kuqtë duke u rikthyer sërish në “shtëpi”. Pas një gjysmë sezoni fantastik me Partizanin, tashmë e priste Hungaria. E dinte se këtë herë nuk do të kishte më kthim pas. Shpesh fatin nuk e kishte pasur në të njëjtën linjë si performancat e tij në fushë. Mirëpo, kurrë nuk u dorëzua.
Pas Kisvardës, milionat e mbuluan nga Koreja e Jugut. Në moshën 27-vjeçare ishte momenti i duhur për të krijuar bazat e forta ekonomike. Kushdo që ka pasur mundësinë të flasë në koifidencë me të, me çiltërsinë që e karakterizon, gjithmonë shprehej: “Do të më marrin një ditë në Kombëtare”. Dhe ajo ditë erdhi. Mbërriti në momentin më të bukur të karrierës së Jasirit. Sylvinho u josh me lojën e tij. Asani ishte një model braziliani i moderuar ku driblimet i kanë të lindura.
Për ta treguar këtë, e la për sfidën me Poloninë. Profesionalisht ishte rritur shumë. Tanimë nuk ishte vetëm Jasiri sulmues, por edhe difensivisht i mrekullueshëm. I shtoi punë mbrojtjes polake, të cilët e ndalnin vetëm me faull. Spektakël në linjën e djathtë, krosime të saktë. Padyshim një nga futbollistët që mund t’i ketë munguar prej vitesh ekipit tonë kombëtar. Për nga cilësia teknike, pikë e dobët e Ilir Dajës, tanimë pikë e fortë e Sylvinhos. S’mbetet gjë tjetër, veçse të hedhim sytë nga vazhdimësia me shpresën se Jasiri spektakolar do të dashurohet shpejt dhe me golat kuqezi. /Retin TOKA/