Speciale nga UVIL ZAJMI
Cila është historia e spartakiadave kombëtare, e atyre shfaqjeve madhështore që zhvilloheshin në “Qemal Stafa”, nën vështrimin e Enver Hoxhës? Si organizoheshin, cili ishte qëllimi, çfarë demonstronin?
Nga u kopjua ai model? “Pas kthimit të E. Hoxhës nga Moska, u hodh ideja që të zhvilloheshin edhe në Shqipëri shfaqje të tilla gjigante. Konsiderohej aktiviteti më i madh politik, sportiv i vendit.
Në Spartakiadën e 4-t morën pjesë 300 mijë të rinj e të reja gati një e gjashta e popullsisë”, tregon Petrit Qëndro, i cili bashkë me grupin dhe gruan tij Ana, ka drejtuar ato veprimtari në vitet e diktaturës. Vështirësitë, përgjegjësia, dokumentacioni, fotot e rralla që ai ruan ende sot. “‘Zëri i popullit’ nuk ma shkruante emrin dhe në Korçë më hoqën nga provat gjenerale”, tregon Qëndro për “Panorama Sport”, duke pirë kafen dhe nis rrëfimin e gjatë.
Petrit Qëndro në “Qemal Stafa”, duke drejtuar provat
PAK HISTORI – Spartakiadat në Shqipëri kanë qenë disa: studentore, shkollore, të klasës punëtore, të fshatarësisë, të punonjësve të industrisë e minierave, ajo e të rejave, e rinisë kooperativiste, e tekstilistëve, e pionierëve, e rinisë punëtore e fshatare, Ushtrisë Popullore etj., etj. Ndryshe ishin ato kombëtare, që në total u zhvilluan pesë. Më 1959, Spartakiada I, nga 4-11 tetor 1959 në Tiranë me 10.000 fizkulturistë. Në tribunë edhe Enver Hoxha. U vendosën 189 rekorde, 17 Nëntori është fitues. 1969, Spartakiada e 2-të në prag të 25-vjetorit të çlirimit, u çel më 24 gusht në “Qemal Stafa”.
U vendosën 98 rekorde, 17 Nëntori për herë të dytë merr flamurin. 1974, Spartakiada e 3- të, e ndarë në 4 faza. Nisi më 16 shtator 1973. Më 9 tetor 1974 në pallatin e sportit “Partizani” ngrihet flamuri, kurse me 12 tetor në “Qemal Stafa” zhvillohet manifestimi i madh hapës. Merr pjesë edhe Enver Hoxha. U vendosën 155 rekorde. 17 Nëntori për herë të tretë merr trofeun. 1979, Spartakiada e 4-t, në 35- vjetorin e çlirimit, u aktivizuan 500 mijë vetë u thyen 173 rekorde, triumfon sërish 17 Nëntori. Në Spartakiadën e 5-të të vitit 1984 u aktivizuan 750 mijë vetë, u vendosën 155 rekorde, përsëri 17 Nëntori është fitues.
Profesor, fillimisht kush është Petrit Qëndro?
Kam lindur në 1938. Në vitet 1950 ishnxënës në liceun artistik “Jordan Misja”, dega e pikturës me mësues O. Paskalin. Më pas, në Teknikumin e Fizkulturës. Kam qenë mësues më 18 shkolla të Tiranës e periferinë e saj. Pjesëmarrës në garat e atletikës, në rrethet çiklistike të kohës, trajner basketbolli, i kampionëve të kërcimit me shkop Dh. Dhjaku, S. Fisheku, deri sekretar i FSHA dhe Shumësporteve.
Ndërkohë që 6 vite edhe instruktor i përgatitjes fizike të arbitrave të futbollit kam qenë. Ndiej mungesën e bashkëshortes Ana, koleges, bashkëpunëtores, njeriut më të afërt në familje, punë dhe jetë. Pa harruar edhe grupin e punës, të jashtëzakonshëm!
Z. Qëndro, si lindi ideja për t’i organizuar spartakiadat edhe në Shqipëri?
Kam mendimin se ideja lindi gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Moskë. Së bashku me Stalinin, kishin asistuar në një aktivitet fizkulturor masiv zhvilluar në stadium. Pas kthimit, ai hodhi idenë që edhe në Shqipëri të organizoheshin të tilla manifestime. Si karakteristikë më dalluese e Europës Lindore, këto lloj manifestimesh gjetën zbatim edhe në vendet e këtij blloku, veçanërisht në Shqipëri.
Të gjitha spartakiadat janë organizuar në përvjetorë dhe simbole kombëtare etj. Kontaktin e parë e kam në vitin 1957. Sapo kisha përfunduar Teknikumin, Lame Konomi, kishte dëgjuar për mua, e ndërsa po kryeja shërbimin ushtarak në klubin Partizani, më thërret dhe bashkë me Pal Mirashin, ish-futbollistin e njohur, mësues në shkollën “Fan Noli”, na caktojnë të ndihmonim grupin e uzinës “Partizani” e të fabrikës së këpucëve, për të realizuar ushtrime të klasës punëtore.
Edhe në kohën e Mbretërisë së Zogut, janë zhvilluat manifestime masive, apo jo?
Ato e kanë zanafillën në shkollën e parë të shqipes, 1887, kur në mbyllje të vitit shkollor në oborrin e saj, nxënësit, para prindërve dhe personelit pedagogjik zhvilluan një ceremoni festive me ushtrime gjimnastikore, të hartuara nga mësues të edukatës fizike.
Por, edhe njëra nga motrat e Ahmet Zogut kishte marrë përsipër edukimin fizik të sportit. Në fotot e kohës sheh shfaqje të tilla të organizuara te Shallvaret, shkolla vetëm me vajza. Nuk kishte parulla, as emra, as thirrje, vetëm lëvizje të shoqëruara me muzikë. Edhe në shkollën Normale të Elbasanit ose në Vlorë, Shkodër, Durrës, Tiranë organizoheshin manifestime vjetore me rastin e mbylljes së vitit shkollor. Pra, një traditë ekzistonte.
Në qershor të vitit 1946, u panë shfaqjet e para të njohura si “manifestime gjimnastikore-sportive”, që përfaqësonin demonstrimin më të madh fizkulturor në Shqipëri deri asokohe. 3500 të rinj e të reja, nga vallet, lojërat popullore, gjimnastikë mbi vegla etj.
Më 3 qershor 1949, në manifestimin fizkulturor të shkollave të kryeqytetit me rreth 3500 nxënës, për herë të parë morën pjesë tri cikle të shkollave, ato fillore me ushtrime të gjimnastikës së mëngjesit, ato 7-vjeçare me karakter bujqësor etj. E veçantë ishte “Bariu e baresha” e L. Shalës, që u vlerësua nga shtypi i kohës. Shoqëruar me një folklor muzikor e koreografi, që u konsiderua si një hap i parë cilësor.
Ju kujtohet Spartakiada e Parë?
Ajo ishte e ndarë në dy faza. Nisi në 1958, me gara, aktivitete, ndërkohë që në tetor 1959, u zhvillua ceremonia me rastin e 15-vjetort të çlirimit të atdheut. Bashkë me studentët, ushtarakët, ishte edhe klasa punëtore. Para stadiumit u ngritën çadra ku qëndronin e zhvillonin ushtrimet të ardhurit nga rrethet.
Një ndër ushtrimet ishte pa uniforma, vetëm bust. Për të marrë ngjyrë, ushtruesit i dërgonin në plazhin e Durrësit, ku edhe përgatiteshin. Kujtoj gjithashtu një anije në mesfushë, të realizuar me kartonë dhe pëlhurë nga grupi i Durrësit. Kishte grupe edhe nga Shkodra e qytete të tjera. Bashkë me shqiptarët ishte edhe një inspektore grua ruse. Unë isha vëzhgues dhe për herë të parë pashë veshje të tilla. Në tribunë ka qenë edhe Enver Hoxha. Valëviteshin flamuj shqiptarë e sovjetikë.
U mbajtën fjalime nga Manush Myftiu, V. Konomi, nga qytetarë e ish-partizanë. Nga studentë, nxënës, punëtorë, fizkulturistë, ushtarakë iu dërguan lule Hoxhës. Po kështu edhe Spartakiada e Dytë: ushtrimet mbi një piramidë, të ekzekutuara nga nxënësit e shkollave të ciklit të ulët apo klasa punëtore që jepte shfaqje me elementë nga bujqësia. Edhe lojëra si kaladibrançe deri me 3 kate apo “Lokomotiva në tunel” në formë stafete me fëmijë. Kurse fizkulturistët, ushtarakët demonstronin rregullin, disiplinën. U zhvilluan ndeshje futbolli, basketbolli, volejbolli, boksi, mundje. Veprimtaria shoqërohej me parullat e kohës, “Lavdi PPSH”, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”, “Rroftë PPSH”, “Lavdi 15 apo 25-vjetorit të çlirimit”.
Si përgatiteshit, çfarë metodash kishit?
Funksiononte një Komision Qendror, pjesë e të cilit ishin Ministra e Arsimit, KE i Tiranës si dhe Komisioni Teknik, me kuadro me eksperiencë. Hedhja e ideve në letër ishte faza e parë e punës. Pastaj tematika e ushtrimit, kërkesa, zbatimi si dhe grupet fillestare. Për këtë, shfrytëzonim edhe fantazinë tonë të kombinuara sigurisht nga mesazhet politike të kohës, gjithçka mbi një skenar që duhej vënë në skenë. Sigurisht duke e mbështetur mbi njohjen e mjedisit, situatën, duke u bazuar në lëvizje individuale e në grup. Ushtrimet me temë nga bujqësia realizoheshin me nxënës nga cikli i mesëm i shkollave periferike, shoqëruar me mjete figurative si shporta, lule diellin, pambukun, grurin etj., me praninë edhe të ritmeve muzikore.
Si veprohej? A mund të na thoni ndonjë detaj të veçantë nga spartakiadat?
Provat fillonin bashkë me sezonin shkollor. Në mëngjes në oborrin e shkollës, në mesditë ato të ciklit të ulët në stadiumin “Dinamo”, kurse të mesmet në sheshin para “Qemal Stafës”. Angazhoheshin të gjithë, nga ata të edukimit fizik, por edhe mësues të tjerë. Fillimisht jepej programi, punohej në grupe. Reduktoheshin orët e mësimit, gjithçka fokusohej te Spartakiada. Një javë para niste praktikimi çdo ditë në stadium, ku secila shkollë kishte sektorin e saj dhe çdo nxënës, student kishte numrin, vendin e tij në tablo dhe figurat.
A kishte kontrolle partiake para se ajo të niste?
Ishte një angazhim shtetëror, jo vetëm i seksioneve sportive. Vinin nga Komiteti Qendror, Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv, BFSSH, që ndiqnin provat. Veçanërisht ato gjenerale, që nëse kishte vërejtje, korrigjoheshin. Mendoni çfarë përgjegjësie, ankthi për mësues, nxënës, drejtues të shkollave, për ne grupin e punës, çdo gjë mund të ndodhte me atë masë aq të madhe manifestuesish. Dhe aktiviteti vazhdonte më shumë se një orë.
Ushtrimet tuaja i pëlqyen edhe specialistët kinezë… Si është kjo histori?
Ka qenë mbyllja e vitit shkollor në shkollën “20-Vjetori”, ku unë isha mësues. U zhvillua një manifestim me klasat sportive. Bashkë me M. Bushatin, L. Konomin kryeinspektor i sportit në Këshillin Ekzekutiv të Tiranës, që kishte peshën e organizimeve të manifestimeve masive, ishte edhe një specialiste kineze. Pasi mbaroi manifestimi, më thirrën mua. Kinezja, së cilës i kishte pëlqyer aktiviteti, u shpreh se edhe pse cikli ishte i ulët, t’i shtoheshin Spartakiadës. I kishte bërë përshtypje një ushtrim me rrjetë e shirita. Ky ka qenë edhe momenti që unë u angazhova intensivisht me spartakiadat.
A ka pasur ndonjë moment të vështirë për ju z. Qëndro?
Ishte një ushtrim që do të bëhej me ciklin e ulët të shkollës “Labinoti”. Në prova ishte e pranishme ministrja Tefta Cami, që e pëlqeu dhe shprehu mendimin që ky ushtrim të bëhet dhe në shkollat e mesme. Nisëm përgatitjet në shkollën “Sami Frashëri”. Demonstrimi i të gjitha ushtrimeve bëhej në Pallatin e Sportit. U vlerësua shumë. Pastaj në Ministrinë e Arsimit, u bë analiza, i pranishëm edhe Manush Myftiu që kishte ndjekur provat.
Ndonëse aty u duartrokit edhe nga komisioni, ai e nisi diskutimin me ushtrimin tim. Duke qenë se figura kryesore ishte një pushkë kartoni, ai e kritikoi duke thënë që nuk mbrohet atdheu me pushkë kartoni, aq më shumë nga nxënës. Tefta Cami pati kurajën t’i thoshte: “Shoku Manush, e kam dhënë unë urdhrin që të bëhet edhe me të mesmet”. Kur dolëm në pushim, dikush më preku në shpatull, kthej kokën, ishte Myftiu: “Të erdhi keq, – më tha, – por ne mund ta ndryshojmë apo jo?” “Sigurisht, – iu përgjigja, – do ta fillojmë nga e para”.
“Ke kohë?”, më pyeti. “Po”, i thashë dhe kërkova që për vajzat të më ndihmonte M. Lasku, kurse djemtë i kisha unë. Avni Mula, që ishte kompozitori, për të më inkurajuar, duke më përqafuar më thotë: “Petrit, do ta bëjmë më të mirë”.
Në Spartakiadën e Tretë erdhi edhe ndryshimi i madh. Pse?
Dy të parat ishin thuajse të ngjashme. E treta nisi në shtatorin e vitit 1973 e shtrirë deri në fshatrat më të largëta. Faza e dytë prill-maj në zona e sektorë, e treta qershor-korrik në rreth dhe faza e katërt në Tiranë, në tetor 1974. Ishte një Spartakiadë ku merrnin pjesë pesë grup-mosha dhe me 5 kompozime për secilin grup. Deri edhe ushtrime për fëmijët e ciklit të ulët, drejtuar nga unë, sipas kërkesës së specialistes kineze. Por ajo që e bënte të veçantë ishte sfondi i madh ballor, në sektorin e ri të sapongritur në “Qemal Stafa” duke na u krijuar dy tablo, dy hapësira: në fushë e përballë.
Ishin 4000 figurantë që për herë të parë në historinë e manifestimeve ku kompozojnë figuracione, parulla me shkronja të mëdha, realizojnë ushtrime të kombinuara, nga studentë, skënderbegas, shkollat e mesme, të ciklit 8-vjeçar. U përdorën figura kartoni të ardhura nga Kina. Por, ato ishin me ngjyra të forta e nga dielli krijonin reflekse. Sokol Morina ndërhyri dhe nga Dekori i Tiranës e bë ndryshimi i ngjyrave.
Emocionues ishte momenti kur 2300 nxënës realizuan për herë të parë hapjen e flamurit kombëtar me përmasa shumë të mëdha, drejtuar nga autori Edvin Dashi. Por edhe kompozimi i ushtrimit të shkollave të mesme, djem e vajza, me autor Pashobell Resulin, shoqëruar nga Ana Qëndro. Mbyllja u bë me valëvitjen e flamurit në majën e një piramide gjigante në mesfushë. Gjithçka e gërshetuar me hyrje-dalje, pastrime të fushës etj. Unë mbaja tabelën ku kisha emrin, numrin e studentit. Rëndësi kishte ceremonia e hapjes dhe mbylljes.
Në Korçë ju larguan nga provat gjenerale, cili është motivi?
Isha mësues në Baldushk kur vjen L. Konomi e më thotë: “Bashkë me Avni Mulën do të nisesh për në Korçë, të përgatisësh një manifestim”. Kjo ndodhi në prag të Kongresit të Bashkimeve Profesionale, ku do të ishte edhe Enver Hoxha. Një javë, a diçka më shumë kohë kishim.\
Një ditë para provave të përgjithshme me nxënësit e shkollave, Pirro Lako, sekretari i dytë, më thotë: “Petrit, do të nisesh për në Tiranë. E kuptova, biografia. Nuk duhet të isha prezent në provat gjenerale si edhe në ditën e kongresit. Qëndroi Avni Mula me grupin e punës, unë u largova.
Dhe Spartakiada e fundit, ajo në 1984 …
Nga një Spartakiadë në tjetrën ishte fituar më shumë eksperiencë, nisur edhe nga përvoja që merrej nga Olimpiadat Botërore. Kujtoj se në manifestimin e vitit 1979, autorët F. Toto dhe S. Bejtja paraqitën me studentët e ILF “Vojo Kushi”, një ushtrim shumë të bukur. Kurse Spartakiada e 1984, ishte programuar nga 20-28 tetor dhe garat, ndeshjet u zhvilluan në “Qemal Stafa”, pallati i sportit “Partizani”, pallatet e sportit në Shkodër, “Punëtori” në Durrës, poligonet e Tiranës. Ndërsa shahu në Pallatin e Kulturës.
Duheshin shumë elemente, veçanërisht uniformat me ngjyra si gjendeshin?
Kishte vështirësi, por një shtet ishte në këmbë. Uniformat porositeshin në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë dhe Trikotazhin e Korçës. Ishte i rëndësishëm shfrytëzimi i ngjyrave të veshjeve, të harmonizuara me ato të ambientit, ndriçimin, madhësinë e sipërfaqes, dekorin, si ai ballor dhe anësor.
Si bëhej publiciteti i saj? Deri edhe te revista “Nuova Albania” arrinte fama.
Nga “Sporti popullor”, “Zëri i popullit”, “Bashkimi”. Faqet e para të tyre i bënin jehonë Spartakiadës. Sidomos kur në hapje ishte edhe Enver Hoxha. Nga 1974 e në vijim ishte edhe “RTVSH”. Deri edhe vjersha, këngë, poezi janë krijuar nga autorë të njohur, si “Trupkalitur e zemërzjarrtë”, “Forcë dhe guxim përherë” apo “Zemërqeshur e hidhni hapin” etj., etj. Në dokumentarë shfaqeshin pjesë nga ceremonia hapëse, garat. Po kështu edhe revistat, deri ato në gjuhë të huaja propagandohej. “Manifestimi i hovit revolucionar të rinisë. Punojmë, mësojmë, jetojmë dhe kalitemi si revolucionarë. Manifestimi ishte një shprehje e qartë e hovit revolucionar, forcës, shëndetit dhe estetikës së rinisë sonë”, këto ishin mesazhet.
Sa rëndësi kishte një medalje në Spartakiadë?
Të shpalleshe fitues i Spartakiadës ishte eveniment i madh për klubet, individin e për të gjitha sportet si individuale, ekipore. Për fituesit jepeshin medalje ari, argjendi e bronzi. Kur zhvillohej faza finale, ndërpritej çdo aktivitet tjetër, pasi garat, ndeshjet e Spartakiadës ishin përfshirë në kalendarin sportiv vjetor. Nuk kishte shpërblime financiare, vetëm dekorime me “Naim Frashari I, II, II”, apo ato sportivë “Mjeshtër Sporti” apo i Merituar Sporti”.
Çfarë kujtoni nga ato spartakiada?
Janë tri ndeshje futbolli. 1969, 17 Nëntori-Dinamo 2-2, pas së cilës kanë pikë e golaverazh të barabartë. Gjuhen penalltitë. Ali Mema realizon 5 ndaj 3 të Dinamos. Në 1974 në futboll sërish, medaljen e artë e përcaktojnë penalltitë, Dinamo-Vllaznia 1-1 pas 120’ lojë dhe 5-3 fiton Dinamo. Po në 1979, finale futbolli Dinamo-17 Nëntori 1-0, gol i Përnaskës.
Kujtoj një ndeshje basketbolli për femra 17 Nëntori-Skënderbeu 103-57 dhe B. Shtizën realizuese të 32 pikëve. Partizanin e Agim Fagut, që nuk ka rivalë, si dhe Dinamo e Kojës. Pastaj Marjeta Pronjarin, Pavlina Evron, M. Prekën, R. Deliun, Fatmir Bajraktarin, Ajet Toskën, Elisabeta Karabollin, Diana Matën, K. Gjinin, Mihalin, Kalleshin, Belinovën, Zinon, Ramën etj., etj., të më falin nuk mundem t’i përmend të gjithë.
Krahas spartakiadave janë zhvilluar edhe paradat ushtarake për 28-29 Nëntorin, ato për 1 Majin…
Ishin më kryesoret dhe zhvilloheshin në bulevard. Përgatitjet nga grupi fillonin një muaj përpara, me plane që u dërgoheshin shkollave. Rëndësi kishte demonstrimi para tribunës, ku ishte udhëheqja, Enver Hoxha. Por, manifestimi me rastin e 40-vjetorit të ushtrisë ka qenë më i realizuari që kam bërë. Ai u zhvillua me 9 korrik 1983 në “Qemal Stafa”, me një sfond ku shkruhej “1943-1983 Ushtri Popullore”.
Fillimisht u mendua të zhvillohej në Shkollën e Bashkuar, por e merr vesh Enver Hoxha e thërret ministrin e Mbrojtjes, të cilit i thotë: “Për cilën bëhet kjo festë, për familjet e oficerëve? Ushtria nuk është e tyre, por e popullit. Të bëhet në ‘Qemal Stafa’”, urdhëron. Hoxha ishte edhe vetë i pranishëm. Vetëm 20 ditë kohë kishim.
Ka një detaj me gazetën “Zëri i popullit”, a mundet të na e tregoni?
Pas manifestimit pati entuziazëm të madh në stadium. Enveri ishte në tribunë, kur një gazetar i “Zërit të popullit” e pyet: “Shoku Enver, çfarë të bëjmë me këtë Qëndron, t‘ia nxjerrim emrin te “Zëri i popullit’, se dhe gruaja e tij Ana nuk shfaqet me mbiemrin Qëndro, por me të sajin Martinian?” “Kush ju ka thënë, – iu përgjigj ai, – të mos ia vini emrin?” Këtë ma ka treguar vetë gazetari.
Grupi i punës cili ishte, se flisni me shumë admirim dhe vlerësim?
Ishim disa miq, të njohur, mësues të edukimit fizik. M. Lasku, unë me Anën, bashkëshortët Eli dhe Sokol Morina, E. Dashi, ushtaraku T. Hamzai, P. Resuli, të gjithë të përkushtuar. Diskutonim, ideonim, projektonim dhe ishim ne që i aprovonim e që merrte përsipër organizimin. Por janë edhe disa figura të rëndësishme me kontribut të madh në këto manifestime, që dua t’i kujtoj, si A. Zajmi, L. Shala, S. Shuteriqi, K. Dilo, Z. Hila, D. Lisi, E. Bushati, V. Naqi, L. Konomi, F. Toto, S. Bejtja.
Profesor Petriti, keni një dokumentacion të jashtëzakonshëm. Si i keni ruajtur dhe si i gjykoni sot ato veprimtari?
I arkivoja pas çdo manifestimi, siç i shihni. Mbahen ende mirë. Punoja në blloqe, deri edhe 8000 emra të skeduar kam shënuar. I dija me saktësi, emrin, mbiemrin e studentit, kuadratin që kishte. Si i gjykoj sot ato veprimtari? Vërtet që sporti nuk është politikë, por Spartakiadat kishin vlerën e tyre!
Burimi: /PanoramaSport.al/