Avokati i njohur Spartak Ngjela ka folur sa i përket korrupsionit të lartë shtetëror në vend. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se korrupsioni është i lidhur me krimin e organizuar.
Avokati Ngjela, theksoi se për shkak të korrupsionit të lartë shtetëror në vend, nga SHBA filloi edhe goditja ndaj emrave që janë të lidhur me korrupsionin.
“Shqiptarët kanë vetëm një shpresë për zhvillimin e tyre: goditjen penale kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Në të kundërt, fundi është drejt një neofeudalizmi shqiptar. Korrupsioni shtetëror tani ka krijuar familjet mafioze në Shqipëri, të cilat janë të lidhura me krimin e organizuar.
Pikërisht për këtë fakt, politika amerikane filloi goditjen me emra kundër korrupsionit të lartë politik e shtetëror në Shqipëri dhe tani duhet t’ua identifikojë shqiptarëve të gjitha familjet mafioze”, tha ai. Ndër të tjera, avokati Ngjela shkruan se këtë muaj, SPAK mund të japë goditje drastike kundër korrupsionit në vend. Ai theksoi, se goditja e të korruptuarve do të shpëtojë vendin.
“Po SPAK, a do ta fillojë goditjen penale kundër korrupsionit në Shqipëri, sipas denoncimit që ka bërë Departamenti i Shtetit Amerikan? Shqiptarët po e presin me ditë, kurse, korrupsioni i lartë shtetëror ka krijuar në fakt të gjithë strukturën për ta kthyer Shqipërinë në një vend feudal. Ndërhyrja e politikës amerikane do ta shpëtojë Shqipërinë nga neofeudalizmi i tre apo i katër familjeve të korruptuara mafioze, të lidhura me krimin e organizuar”, shkruan ai. Sakaq, avokati Ngjela bëri me dije edhe detaje nga memorandumi i datës 3 qershor 2021, i formuluar nga presidenti i SHBA, në të cilin thuhet se korrupsioni e çon vendin drejt varfërisë.
Ai theksoi se e njëjta gjë është duke ndodhur edhe në vendin tonë, pasi për shkak të korrupsionit vendi është shkatërruar sipas tij, në të gjitha drejtimet. “Memorandumi i datës 3 qershor 2021, i formuluar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë se: “Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve, barazinë ekonomike, përpjekjet kundër varfërisë dhe zhvillimin e demokracisë në botë”. Sipas këtij përcaktimi edhe korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri cenon njëherësh barazinë ekonomike, mirëqenien shoqërore dhe vetë demokracinë”, shkruan avokati.