Sulmet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta ndaj reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve avokati Spartak Ngjela i sheh si tregues frike. Ilir Meta dje dhe pardje e akuzoi misionin Euralius se ka penguar punën për hedhjen e shortit të KED, duke e quajtur si të kapur politikisht. Sulmet ai nuk i kurseu as për ndërkombëtarët dhe lavdet që këta të fundit thurin për reformën në drejtësi.
Mirëpo Spartak Ngjela deklaroi dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se Meta flet në këtë formë sepse është i trembur nga goditja penale që do t’i vijë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Sipas tij, ai do të ndëshkohet për aferat e kryera dhe kjo gjë e frikëson e po përpiqet ta pengojë. “Këta sa më shumë i afrohen goditjes penale që do t’ju vijë nga reforma në drejtësi, aq më shumë bëhet vrer zemra e tyre. Janë të shqetësuar.
Problemi i të provuarit në jurisprudencë me dëshminë ka një aksiomë: i dëshpëruari, i tremburi dhe idioti nuk merren për dëshmitarë sepse nuk mund të dëshmojnë të vërtetën. Edhe këta tani futen tek ata dy të parët, të dëshpëruar dhe të trembur. Krijohet një lidhje, një koneksion midis të tremburit dhe të dëshpëruarit sepse frika të çon në dëshpërim, dëshpërimi çon në frikë dhe kjo pastaj të humb arsyen.
Meta ka humbur arsyen sepse nuk mundesh ti të godasësh as OSBE, as Uashingtonin dhe as ndërkombëtarët në tërësi. Ata kanë marrë përsipër reformën në drejtësi, kë kap reforma në drejtësi nuk është përgjegjësia e tyre, por e atyre që nuk kanë ditur të drejtojnë, por janë korruptuar. Kështu që kot të merresh me ta”, tha ai. Ngjela u shpreh se Ilir Meta bëri një gabim të rëndë që iu drejtua ndërkombëtarëve me atë gjuhë sepse harroi që është kryetar i shtetit dhe filloi të bënte opozitë.
“Ne duhet të shikojmë ecurinë e shpejtë të reformës në drejtësi sepse Meta flet mbi pozitën e kreut të shtetit prandaj gabon rëndë. Sepse ke edhe këta të tjerët nga ana tjetër, të gjithë kështu flasin, por këtyre nuk iu rëndon shumë sepse ata janë opozitarë. Të trembur janë të gjithë dhe Meta duket sikur po bën opozitë me demokracinë ndërkombëtare”, u shpreh Spartak Ngjela.
Ndërkombëtarët i kanë hapur letrat Metës
Avokati Spartak Ngjela e paralajmëroi ditën e djeshme presidentin Ilir Meta se nëse vijon në këtë rrugë, atëherë ndëshkimi që do të marrë nga ndërkombëtarët do të jetë shumë i rëndë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i hapin letrat që tregojnë aferat e kryera nga Meta dhe më pas mund t’i bllokojnë vizën, duke e shpallur non-grata.
Duke marrë shkas nga heqja e vizës për Petrit Vasilin, Ngjela shtoi se fatin e tij do ta kenë edhe shumë të korruptuar të tjerë shqiptarë që sulmojnë reformën. Për Ngjelën, SHBA nuk i duron dot të korruptuarit dhe pjesë e këtij grupi është edhe Meta.
“Mos harrojmë që Zëri i Amerikës tha para disa ditësh që Petrit Vasilit mund t’i jetë bllokuar viza. Zëri i Amerikës e tha në një mënyrë të ashpër dhe derisa përmendet, diçka ka. Ata e kanë heqjen e vizës doktrinë, e kanë për ata që janë në kundërshtim me vijën e tyre.
Në këtë rast këta janë kundër reformës në drejtësi, janë të korruptuar dhe natyrisht që SHBA do të marrin masa. Mund të ketë edhe të tjerë nga këta që kundërshtojnë.
Edhe Meta mund të jetë pjesë. Po të vazhdojnë kështu, këta sa më shumë vjen afër që ti po ngul këmbë për të prishur një reformë në të cilën ata janë angazhuar ndërkombëtarisht, hapin letrat. Këta nëse janë të zgjuar duhet të rrinë të heshtur sepse do t’ju hapen letrat. Duhet ta presin të keqen me dëshpërim, por me gjakftohtësi”, deklaroi Spartak Ngjela.
Mimoza Ibra
/Agjensia e Lajmeve Sot News/