Avokat Spartak Ngjela ka komentuar akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha në adresë të ambasadores së Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
Kjo e fundit pak ditë më parë e bëri të qartë se amerikanët nuk do të bashkëpunojnë me ish-kryeministrin Berisha nëse ai vjen në krye të Partisë Demokratike. Por kjo deklaratë nuk është mirëpritur nga Berisha, i cili ka shtuar sulmet ndaj amerikanëve.
Mirëpo në lidhje me këto përplasje, dje ka reaguar edhe avokat Ngjela, i cili gjatë një prononcimi për mediet është shprehur se Berisha aktualisht është në gjendje të rëndë psikologjike megjithatë është duke folur broçkulla dhe duke mbledhur për ngushëllim vetëm disa njerëz pas vetes.
“E kuptoj që Saliu është në gjendje të rëndë psikologjike sepse është i akuzuar nga superfuqia e botës por flasin broçkulla. Blinken s’ka gjë në dorë, ai është Sekretar Shteti. Këtë punë e bën FBI, jo Blinken. E di Saliu këtë punë por ai e bën për të mbledhur të tjerët rreth vetes”, deklaroi ai.
Më tej avokat Ngjela u shpreh sot se ish-kryeministri Sali Berisha i frikësohej një ekstradimi të mundshëm nga vendi, pasi është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ngjela ka përmendur edhe një ligj për ekstradimin të firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Gjendja është në disfavor të klithmave ‘Berisha’, ai ka frikë nga ndonjë ekstradim. Unë di që në korrik me procedurë të përshpejtuar është miratuar në Parlament ligji për ekstradimin.
Asnjë shtet nuk e ka miratuar. Ligji parashikon që çdo pushtetar i cili ka bërë shkelje kundër Amerikës, nëse kërkohet mund të ekstradohet. Ndërkohë mos harroni që Kuvendin Basha e thirri se ja kërkoi SHBA”, u shpreh ai. Ndërkohë avokat Spartak Ngjela ka ngritur pyetjen nëse ish-kryeministri Sali Berisha përplaset me SHBA nga mendja e tij, apo ia kërkon dikush.
“Po ia ka kërkuar Moska… Konflikti Rusi-SHBA këtu është në Shqipëri. SHBA u ka dhënë një shtet, kush ua ka dhënë? Klintoni. E dini që Klintoni desh e përfshiu Saliun me lecka. I di Saliu këto që më flet mua broçkulla? Pyetja është kush ia kërkon Saliut këtë? E ka nga mendja këtë budallallëk apo ia kërkon njeri? Të matet mirë”, nënvizoi Ngjela.