Intervistoi Xhevdet Shehu
Edhe në këtë pjesë të pestë të intervistës me deputetin Spartak Braho, vendosëm të publikojmë disa dokumente të reja për ngjarjet e përgjakshme të vitit 1997 dhe të ngjarjeve në vijim që kanë ndikuar dhe kanë përcaktuar zhvillimet politike të 20 viteve të fundit. E kemi theksuar qysh në fillim se Baba Taku di shumë… Ka qenë jo thjesht një dëshmitar autentik i këtyre ngjarjeve të rënda, por mbi të gjitha një deputet që, si një jurist me përvojë, ka qenë në krye të komisioneve përkatëse parlamentare dhe në çdo fjalë që nxjerr nga goja, mbështetet në fakte dhe dokumente, si këto që na servir për t’i botuar në gazetë…
Në të vërtetë kemi të bëjmë me një mori të pafundme dokumentesh që e komprometojnë rëndë qeverisjen e atëhershme, të cilën e drejtonte me dorë të hekurt Sali Berisha, ish-president në atë kohë. Janë dokumente të shumta me urdhra luftarakë, dhënë nga Komandanti i Gjendjes së Jashtëzakonshme që u vendos në 3 mars 1997, Gjeneral Bashkim Gazidede, por edhe nga titullarë të tjerë të ministrive, përfshi edhe ministrin e Brendshëm demokrat në qeverinë e “Pajtimit Kombëtar” të Bashkim Finos, Belul Çelo.
Sidoqoftë, kjo intervistë me Spartak Brahon nis paksa ndryshe. Është një lajm i sapo botuar në DITA nisur nga një portal pranë Partisë Demokratike, ku pas ciklit të intervistave në gazetën tonë, kërkohet arrestimi i deputetit Braho. Arsyeja: Pse ka fshehur dokumente të rëndësishme…
Po si reagoi deputeti pas këtij lajmi? Sa i frikësuar është nga ky kërcënim publik që i bëhet? Lexoni intervistën në vijim…
– Zoti Braho, çfarë ndjesie provuat kur lexuat lajmin ku kërkohet arrestimi juaj pas intervistave në DITA dhe faksimileve të dokumenteve që kemi botuar për ngjarjet e viteve 1997 dhe 1998?
– Më zbaviti ky lajm. Është një shashkë nga ato të zakonshme që vjen nga ata që vërtet ndihen të frikësuar për krimet që kanë bërë. “Krimi” apo “fajësia” ime është se po ua kujtoj këto krime edhe pas më shumë se 20 vjetësh. Në vend që pas publikimit të këtyre dokumenteve Prokuroria të vihej në lëvizje dhe të fillonte hetimet, vjen ky reagim që mua vetëm sa më zbavit. Nuk më bën asnjë përshtypje.
– Dakord, por ata kërkojnë arrestimin tuaj…
-Kjo më kujton atë logjikën idiote që përdoret nga PD për vrasjet e 21 janarit: Dakord Berisha i vrau ata njerëz, po ata pse shkuan para Kryeministrisë? Pra fajtorë janë viktimat, jo xhelati që i vrau. Ka logjikë më të mbrapshtë se kjo? Po të shkojmë me këtë logjikë, edhe në vitin 1997, nuk ka faj as Berisha, as Gazidedja, por ata më shumë se tremijë të vrarët… Po të isha nja dhjetë ditë Kryeministër e dija unë se ç’bëja…
– E, çfarë do të bëje Taku? Ti je një njeri ligjit dhe e di fare mirë se Kryeministri nuk ndikon dot në sistemin gjyqësor. Mos deshe të thoshe se do të doje të ishe Kryeprokuror? Pse na i bën këtë provokim? Për më tepër, Kryeministri Rama na ka premtuar se do të dënojë shpifësit, qofshin dhe këta mediatikë…
– Nuk dua të jap shpjegime. Nuk kërkova të jem Kryeprokuror. Po them vetëm kaq: Sikur të isha nja dhjetë ditë Kryeministër, do të dija unë se çfarë do të bëja…
– Sidoqoftë, le t’i kthehemi kërkesës për arrestimin tuaj që bën një portal, pas të cilit është PD. Kjo është serioze apo jo?
– Hiç fare. Pse, do thuash ti. Për një arsye të thjeshtë: Nuk jam unë i vetmi posedues i këtyre dokumenteve. Janë edhe shumë të tjerë që i kanë. Këto janë fotokopje të dokumenteve origjinale për ngjarjet që unë flas. E thoshte shumë mirë një komentues dje, të cilin po e sjell të plotë për të parë se populli i di të gjitha, njerëzit i dinë të gjitha, ata presin vetëm veprimin dhe ndëshkimin nga drejtësia që vonon prej më shumë se 20 vjetësh. E pra, ky komentues shkruante dje poshtë lajmit që ju e botuat në DITA: “Spartaku nuk ka fshehur asnjë dokument. Janë në dosjen e Komisionit Parlamentar. Ato që ka janë fotokopje dhe si të tilla nuk kanë vlerën e provës. Prokuroria i ka dokumentet në çdo institucion që përmendet. Kanë që 20 vjet atje dhe prokurorët se kanë çarë fare. Pse? Për të lënë krimet në harresë, që t’i mbulojë koha. Tani që Taku i gërvisht cipën, mutrat e tharë lëshojnë erën,kërkojnë arrestimin e Takut. Pse? Për t’i thënë “Spartak, mbyll gojën!” Mafiozët shqiptarë filo serbë janë zemëruar. Ruaju…”
-Më duket se mirë e thotë ky komentues: Ruaju! Pavarësisht se ju duket se keni marrë me sportivitet, ndërkohë që kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze…
– Mirë, Xhevdet. Meqë po këmbëngul kaq shumë dhe e konsideron këtë një çështje serioze, po të them: Ai që të citova pak më lart, është një koment që ka bërë një person, një njeri që nuk e njoh fare, që botohet pas shkrimit të portalit. E ka thënë mirë. Lexoje sa i qartë është populli. Portalin e Zenit e ka urdhëruar Saliu “të arrestohet Spartaku” që të më alarmojë, se kujton se do të më trembë sadopak…
– Vërtet nuk ju trondit aspak ky lajm, kur ndërkohë më keni thënë se duhet t’i shkohet deri në fund reformës në drejtësi pasi ai sistem është i kapur nga Saliu?
– As më trondit dhe as më tremb. Unë jam ndeshur me Saliun ballë për ballë e jo më të kem frikë nga portalet apo fejsbuku. Por hajde të vazhdojmë atë intervistën që kemi nisur…
– Keni fakte e dokumente të reja për të më treguar?
– Po. Edhe këto, si ato që ju kam dhënë në ditët e mëparshme janë mjaft komprometuese për Sali Berishën dhe regjimin e tij deri në vitin 1997, por edhe për bëmat pasi kaloi në opozitë. (Spartaku hap çantën e tij tashmë proverbiale dhe nxjerr një tufë me dokumente të reja. Janë me firmë e me vulë dhe unë e besoj se janë fotokopje të dokumenteve autentike).
***
Nga dokumentet që kam përpara veçoj fillimisht njërin që mban siglën “Sekret” E ka firmosur Komandanti i Forcave të Operacionit, Belul Çelo, ish ministër i Brendshëm në qeverinë e Bashkim Finos më 31 mars 1997. Vendosuni në kohë për të kuptuar se sa paradoksal është një urdhër i tillë, ndërkohë që prej tri javësh ishte arritur pakti për paqe dhe ky Çelua, deri atëherë një njeri krejtësisht anonim, që u shfaq papritmas dhe që u zhduk më pas po aq papritmas, jepte urdhra. Dhe jo urdhra dosido… Urdhra që të bënin gjëmën. Të ketë vepruar me kokën e tij vallë, pa dijeninë e atij që e caktoi në këtë post të rëndësishëm?! Po Finoja, a kishte dijeni për këtë urdhër, apo mbante çelësat e kashtës?
Ja çfarë ka firmosur ai në urdhrin Nr. 483, datë 31.3. 1997. Motivi: “Për vënien në dispozicion të Ministrisë së Brendshme të 35 transportuesve të blinduar dhe të dy mjeteve të transportit të tyre”
“Në zbatim të ligjit Nr. 8194 datë 2.03.1997 “Për gjendjen e jashtëzakonshme në raste të cenimit të rëndë të rendit kushtetues dhe të rendit publik”
Urdhëroj:
Ministria e Mbrojtjes të verë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme 35 transportues të blinduar dhe shoferët e këtyre mjeteve për t’u përdorur për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë publike në komisariatet e policisë.
Ministria e Mbrojtjes të vërë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme 2 mjete transporti për transportuesit e blinduar.
Ministria e Brendshme të bëjë shpërndarjen e këtyre mjeteve në ato rrethe ku rendi dhe qetësia publike janë cenuar rëndë.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë…
Nuk flitet se kundër kujt do të përdoreshin këto mjete të blinduara. Por dihen pasojat, të gjithë i dinë: Kundër Jugut të vendit.
Lexoni mandej faksimilet e urdhrave të Gjeneral Gazidedes, të Gjeneral Sheme Kosovës…
Më tërheq vëmendjen një urdhër krejt i çuditshëm i Gjeneral Bashkim Gazidedes i datës 7 mars 1997.
Lënda: Për çelje llogarie në thesar
Degës së Thesarit, Përmet
Për dijeni: Degës SHIK
Komisariatit të Policisë Përmet
“Për kryerjen e veprimeve financiare të çelet urgjent llogari në Thesar për Degën e SHIK-ut Përmet. Të drejtën e disponimit mbi këtë llogari ta ketë z. Agron Pere. Për firmë të dytë do njoftohet nga titullari i këtij organi. Përkohësisht dokumentacioni të kalojë pa vula zyrtare. Lidhur me këtë njoftim zyrtar nga Ministria e Financave me shkresën nr. 735, datë 03.03.1997, “Mbi autorizimin e shpenzimeve për gjendjen e jashtëzakonshme”.
Sistemimi i dokumentacionit do të bëhet në një moment të dytë.
Në të kundërt veprimet të kalojnë nëpërmjet Komisariatit të Policisë Përmet.
Komandanti
Gjeneral Bashkim Gazidede
***
Ç’është bërë me këtë çelje llogarie thesari në Përmet? Askush nuk e di, përveç faktit se në Përmet u shënua një nga tragjeditë më të rënda në pranverë të atij viti… Jetët e njerëzve në atë kohë nuk vlenin asgjë përpara përfitimeve financiare dhe kushtetore.
Janë dokumente që nuk kanë nevojë për komente. Këto dhe të tjerat që po botojmë në këtë numër të gazetës. I botojmë për të kuptuar se sa me shpejtësi është vepruar, se si janë shkelur ligjet dhe se si është lujtur me jetën e këtij populli.
Për ta mbyllur për sot, e pyes deputetin Spartak Braho:
– Mbase nuk jam në dijeni, por për gjithë këto shkelje flagrante a është përgjigjur ndokush, a është vënë para përgjegjësisë ligjore ndonjë?
– Askush. Lexoni po deshët raportin e komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 97-s dhe do të bindeni. Ai raport me fakte të pakontestueshme tashmë është i arkivuar, por askush nuk është përgjigjur para gjyqit… Ndaj dhe paradoksi që kërkojnë dënimin tim pse i publikoj fakte të tilla…
Vijon…