Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka lëshuar akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-kryedemokratit Lulzim Basha, çiftit presidencial Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, etj.
Gjatë një interviste të gjatë për gazetën “SOT” zoti Braho theksoi se “riciklimi” i Berishës në Partinë Demorkatike është edhe fundi i tij. Po ashtu, zoti Braho akuzon ish-kryeministri Berisha se ka qenë agjent i trefishtë.
Sipas tij, ai ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, ndërsa më pas ka bashkëpunuar me UDB jugosllave dhe me shërbimin sekret francez. Nga ana tjetër ish-deputeti socialist ka shpërthyer në akuza ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, për të cilin thotë ka vendin në burg së shpejti si koka e korrupsionit në qytetin bregdetar.
-Zoti Braho, si e shikoni rikthimin e Sali Berishës në politikë dhe kush është fati i PD?
Ngjan si dy pika uji tentativa për riciklim në krye të Partisë Demokratike i Sali Berishës me rikthimin e pasuksesshëm te Napolon Bonapartit pas abdikimit të tij nga froni mbretëror apo si rikthimi i dështuar i Fatos Nanos për të marrë përsëri frenat e Partisë Socialiste ne vitin 2004.
Ka edhe shembuj të tjerë historikë, të ngjashëm si rastet e mësipërme ku në thelb kanë pangopësinë për të uzupuar fronin e pushtetit,me dhunë, por në shumicën e rasteve kanë rezultuar pothuajse të dështuara duke vulosur fundin politik dhe fizik të atyre. Dihet se kartoni i përdorur, i mbledhur për riciklim jo gjithmonë prodhon letër cilësore.
Por, rasti i Sali Berishës këto ditë është më shumë veprim i një personazhi politik jo burrëror dhe aventurier. Dihet tashmë se pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, Berisha deklaroi “me solemnitet” dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet shtetërore dhe “politika aktive” për të mos u rikthyer më “kurrë”. Tani pas 9 vjetësh, në kushte të tjera dhe pas nokdaunit që ai pësoi duke u shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan dhe duke ndjerë rrezikun për goditjen e tij jo vetëm morale, por edhe ligjore, për zullumet e viteve të shkuara, ju ringjallen papritur “pleshtat” e etjes për pushtet dhe zbriti me anijen e tij të marrëzisë në tokën që la dikur të djegur për të rinisur betejën politike si Don Kishoti!
Dihen arsyet e vërteta të kësaj kthese. Asgjë nuk ka parimore në këtë riciklim te Berishës që i ngjan një agonie politike, të cilën ai ia di fundin. Edhe këtë ai e ndjen dhe e kupton, por nuk e kishte ndier kaq të dhimbshme, të rëndë, asgjësues për klanin e tij keqbërës ku përfshihet edhe familja.
Për shkak të konjukturave politike dhe arsyeve të tjera ky veprim gjykohet më shumë si vonesë nga strukturat e shtetit amerikan, të cilat ja prenë fillin e zullumeve dhe aleancave të tij të dyshimta në dëm të vendit dhe interesave strategjike të tij për ta degdisur në shkretëtirën e mëkatarëve e për t’u gjykuar si fajtor edhe si personazh historik që më shumë ka bërë keq dhe dëme për demokracinë shqiptare sesa ka qene i dobishëm.
Nuk mund të mos analizojmë nxitjen e tij për riciklim edhe si rrjedhojë e vendimit grotesk të rrezikshëm dhe antiligjor të gjykatësit Agron Zhukri, i cili konfirmoi atë defekt te zhvillimit te vetingut, i cili vazhdon “ të lodrojë “ me prodhime skarco, por edhe të miqësive të tij politike e ndikimit që Sali Berisha ka mbi gjyqtarë te veçantë. Ndjehet se ky vendim i gjyqtarit Zhukri, në dukje si kthesë për të mbërthyer PD.
Ky vendim i papritur ka mekur opinionin dhe turbulluar zërin kundërshtues të drejtuesve aktualë të PD; të Alibeajt, Bardhit, etj. Por ,loja vazhdon ende me të panjohura edhe paqartësi për fundin e saj duke thelluar ndarjen dhe kontradiktat e palëve për bashkimin e pjesëve të krisura të PD-së, ku grupimi i Rithemelimit të PD-së para tre muajve vuri në objektiv me sulmin e dhunshëm ndaj zyrave të saj, ku vetëm për disa minuta u synuan të thereshin me mjete vrastare të ftohta e të nxehta grupimi dhe drejtuesit legalë të PD-së me Bashën në krye. Gjithsesi jemi në pritje që drejtësia ta thotë fjalën e saj me vendimmarrjen në shkallët e tjera të gjykimit.
Bëmë ne këtë rast një analizë të shkurtër të zhvillimeve politike ne PD duke parashikuar se këto zhvillime do të jenë fundi i këtij politikani 77-vjeçare të konsumuar kokë e këmbë. Ndërkohë që themi që kjo analize ka edhe nje fill tjetër që duhet analizuar si faktor. Dhe ky është “Filli Basha”, biri plangprishës i Berishës, i diplomuar dhe formuar në inkubatorin politik të PD, i ushqyer gjatë gjithë kohës me biberonin e tij, por jo vetëm.
Ai mbeti një manekin në duart e tij, mostër në formimin karakterial, arlekin në skenën politike shqiptare, një hiç me bisht që u rrotullua gjatë viteve me gramafon në qafë e në fyt…
-Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, si e shikoni fatin e tij?
Është e ditur që Basha erdhi në politikë i importuar nga dyer që në vite nuk ishin mbyllur kurrë në Shqipëri, që ende vazhdon të jetë aktive në politikën shqiptare, nga dyer dhe politika serbe.
Personazhi i njohur për lidhjet e tij me shërbimet serbe ishte kumbari i tij, Damir Fazlliçi që luajti nëpërmjet Bashës me dosjet e luftëtarëve të UÇK-se, por jo vetëm, dhe që ndikoi në ngjitjen e tij në strukturat e larta të opozitës, por edhe të shtetit, për të realizuar synimet dhe haraçet e vjetra të Serbisë. Ne 9 vite të këtij “ylli politik”, ai realizoi vetëm humbje të njëpasnjëshme, jo vetëm në fushatat elektorale.
Humbjet më të turpshme të tij ishin ato e vitit 2017 si edhe 6 Marsit 2022. Pas këtyre, ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por nuk e bëri. Sali Berisha e mbajti. Vetëm nen presionin e humbjes së zgjedhjeve te 6 Marsit ai u detyrua të largohet duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale, por jo atë të bashkëpunëtorëve që e rrethonin. Pas vendimit të imponuar për të përjashtuar Berishën dhe disa nga ndjekësit e tij nga Partia Demokratike, ai synoi të realizonte një skenar që u dominua nga “përdhunimi” dhe poshtërimi reciprok midis tyre për disa muaj.
Të denja për dy sharlatanë, ku njëri prej tyre i duroi, i kapërceu, i lëpiu si i mësuar me gëlltitje jashtëqitjesh dhe akuzash politike për shit-blerje e korrupsion të cilat patën si finale të tyre edhe nofkën “i padenjë”, “non grata”, anti-amerikan i thekur, ndaj të cilit tani Berisha për të dalë nga qerthulli i tyre organizoi “Foltoren” e famshme me militantë të pagdhendur.
Ai luajti e po luan në daljet e tij, me alibinë se Departamenti i Shtetit, drejtuesit e tij, ambasadorja Kim, s’kanë prova e fakte, se ato janë shpifje e sajesa të financuara nga Xhorxh Sorosi, por që në mënyrë qesharake, ai nxori jashtë loje edhe gjykatësin francez, të cilit iu drejtua për ndihmë, ku shpresonte si një çilimi “i zënë në faj” ta shfajësonte nga akuzat. Lulzim Basha nën zë justifikohet se u “tradhtua” pas dorëheqjes edhe nga amerikanët, të cilët mesa duket ia njohin mirë vlerat dhe mëkatet e vjetra.
Por, ky fund i tij, akti i dorëheqjes si kryetar i PD do të kishte qenë me dinjitoz edhe po të ishte dorëhequr si deputet. Kujt i duhet e kujt i shërben Lulzim Basha tani? Çfarë shpreson ai tani e tutje pas “Vaterlosë” të klanit të Rithemelimit të PD-së? Askujt. Madje, ky klan me në krye Berishën dhe batalionin e tij “Hakmarrja” e Rithemelimit u mori edhe zyrat “paqësisht”, të cilat ai s’ia mori me dhunë e zjarr në 8 janar 2022.
Një këshillë do kisha për këtë derdimen të paaftë, si keqardhje ndaj hakmarrjeve dhe epsheve që do të shfryjë ndaj tij Sali Berisha dhe Ilir Meta:
“Ik ne Holandë Luli, se atje mund t’ju shpëtosh dhe ke mundësi për të zhvilluar biznesin e ngritur. Mungesa e vizionit tënd në vite e ka kthyer opozitën e një masë amorfe ku askush nuk e beson më, madje as bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, e lanë në baltë.
Edhe strukturat përkatëse politike euroatlantike e kuptuan se Basha ishte njeriu i tyre, sa kohë ishte i domosdoshëm për të qenë i kësaj rruge, por pa harruar se po ky njeri në ecurinë e tij politike, s’kishte qenë gjë tjetër veçse realizues i dhunës, i rrugës, i braktisjes së parlamentit, i dëshirës për të destabilizuar vendin nëpërmjet rrëmujave, i përfshirë në afera financiare si dhe në lidhje të dyshimta me lobe serbe e ruse.
-A do ta falin amerikanët Sali Berishën dhe cili mendoni se është fundi i tij?
Po aty ne Holandë, si shtetas ligjor i këtij vendi i pajisur me pasaportë familjare për të qenë holandez, ju, i dashur Luli, do të shikoni si do t’i vejë filli dhe fundi babait tuaj të damkosur “non grata”, fund i cili s’ma do mendja të jetë një lojë me shpata druri, por një pretencë përfundimtare të shoqëruar me “letrat kredenciale” për të hyrë në portat ku kanë hyrë dhe shumë diktatorë të tjerë.
Aty ai do të gjejë edhe Noriegën e famshëm etj… Ç’të bësh ? Kështu e kanë amerikanët dhe filozofia që mësohet e përdoret në shkollat e demokracisë së saj. Por ç’do të bëhet me bashkëpunëtorët e ngushtë të z. Basha, me ata që mendojnë se janë legalë dhe besnikë ? Ata i pret fat i zi, purgatori politik ku i ka flakur Berisha kundërshtaret e tij politike këta 30 vite.
Si ish-ministër i Transportit, i Jashtëm, i Brendshëm, kryetar Bashkie i Tiranës për llogari të Berishës, do e shoh fatin e zi të kolegëve e tij që të ndoqën pas në ditët e “sprapsme”, të cilët zgjodhën vetësakrifikimin mbrapa dyerve të blinduara te SHQUP-ut, gjithmonë në rast se Gjykata e Tiranës nuk do ndryshojë vendimin e saj.
Këtë fat do të ketë, në qoftë se nuk çedon, deputeti nga fshatrat e Moglicës se Korçës që shkroi romanin e Babales, Salianji, kokëforti Alibeaj-i, të cilët presin t’i vënë në turrën e druve ku rri më pishtar zjarri në dorë për t’i vënë flakën kuksiane-prizrenasi Flamur Noka. Ai do të shohë edhe hetues-komisionerët Jorida Tabaku etj., që duke u grindur në tavolinat ku u hartua raporti i Komisionit Hetimor për impiantet e përpunimit të mbetjeve të plehrave në Fier, Elbasan, etj në pritje si Godoja, te hetimeve të Shën SPAK-ut.
– Zoti Braho, gjatë një sërë intervistash që kemi bërë së bashku, ju këmbëngulni në faktin se Sali Berisha ka qenë rekrutuar nga shërbimet e huaja sekrete, të cilave vazhdon t’u shërbejë besnikërisht. Kjo është një akuzë shumë e rëndë për një politikan shqiptar, për më tepër, ish-President dhe ish-Kryeministër i vendit. Shumë nga lexuesit e DITA-s na kërkojnë ta dokumentojmë këtë akuzë të rëndë ndaj zotit Berisha. Mund të na tregoni diçka më shumë për këtë?
Padyshim. Unë i justifikoj të gjithë ata që duan të dinë më shumë sepse është folur shumë për këtë fakt. Flitet për Sali Berishën, një njeri që ka aq shumë kusure mbi supe. Unë mund të flas pambarimisht për këtë person, pasi kam patur rastin të njoh nga afër një pjesë të njerëzve dhe dokumentacionit që lidhej me të. Dhe si një bashkëkohës me të në politikë mund të them me pak fjalë:
Ka kaq shumë fakte për këtë njeri saqë është e pamundur të thuhen të gjitha edhe në gazetën tuaj të nderuar. Unë kam premtuar se do t’i sjell këto fakte. Por po ju them se nuk kemi të bëjmë me një agjent të thjeshtë. Sali Berisha ka qenë një agjent kalibri, një superagjent pak a shumë, i ngjashëm me Kim Filbin, apo me Esat Toptanin. Ishte një agjent i shumëfishtë. Sepse spiunët kanë një huq, që, pasi firmosin njëherë diku, nuk dinë të tërhiqen, por zhyten thellë e më thellë në ndyrësinë e tyre…
-Kjo është vërtet tronditëse, zoti Braho. Po flasim për zotin Berisha. Le të flasim me fakte…
Padyshim. Sali Ram Berisha fillimisht është rekrutuar nga Sigurimi Shqiptar dhe ka përzgjedhur pseudonimin “Penicilina”. Si mund t’jua vërtetoj këtë? Fare thjesht. Unë disponoj dëshmitë me shkrim të ish-operativit të Sigurimit të Shtetit, Ali Anadollit, i cili e ka rekrutuar Saliun si agjent në vitin 1967.
Ka rëndësi të theksohet viti, pasi në vitin 1968 Saliu është pranuar anëtar i PPSH-së për devotshmërinë e lartë që ka treguar. Ja se çfarë ka shkruar operativi i Sigurimit të Shtetit, shkodrani Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar Saliun fillimisht.
-Ndërkohë ju edhe për Vangjush Dakon nuk keni opinion të mirë, pse e ka vendin në burg sipas jush?
Ka edhe nje variant tjetër atë të fillit pasuror me ministrat e qeverisë së Ramës, meqenëse edhe këta të “majtë” kanë një “Non Grata” në radhët e tyre, Vangjush Dako, i cili edhe ai e ka vendin në burg së shpejti si koka e korrupsionit në Durrës.
Do të shohësh Ilir Metën, presidentin ende aktual që ka “fituar të tëra betejat me gjykatat” në ceremoninë e zgjedhjes së presidentit të ri që siç e nominoi Taulant Balla mund të jetë edhe femër dhe rifillimin e karrierës se tij politike së bashku me aleatin e vjetër Sali Berisha! Po nga Holanda, Lul Basha do të ndjekë edhe turmën laramanëve të analisteve të lodhshëm televiziv duke parashikuar jo vetëm fillimin apo fundin e PD-së, por edhe të regjimit te Ramës që ka vene kufirin te 2030 dhe të Partisë Demokratike me shume gjasa të ndare me tre flamuj, por e përbashkuar njëra prej tyre rreth klithmave të Sali Berishës si në kohën e Frankos:
“Adelandes, camerades!” Do të shohësh i ngazëllyer se si Rama dhe Meta pas dekorimit të krimineleve të luftës Antifashiste, të Mid’hat Frashërit, Preng Calit, Kadri Cakranit etj, bashkëpunëtorë të pushtuesve italo-nazistë, që do të ndjekin me “qetësi e dashuri” edhe përdhosjen ditët e fundit të Varrezave të Dëshmorëve të luftës, ashtu si nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës përveçse dhunimit që u bëhet diku nga ekstremistë të djathtë antisemit varrezave të çifutëve. Por, turpi kombëtar i këtyre politikanëve aktualë ka qenë e mbetet i tyre.
Intervistoi: Rigels Seliman