Deputeti socialist, Spartak Braho ka folur dje mbi arsyen e kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit. Ai renditet i 28 në qarkun e Tiranës dhe në një intervistë me gazetaren Marsela Karapanço në “News 24” tregoi se cilat janë qëllimet e tij nëse siguron një tjetër mandat.
Braho u shpreh se kanë qenë veteranët dhe familjarët e tyre që e kanë nxitur për të kandiduar. Ai tha se një nga qëllimet kryesore është rruga Berat -Skrapar, për të cilën u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka dhënë fjalën për ta bërë. “Unë kam marrë pjesë në listën e kandidatëve, vetëm se është kërkuar nga ana e veteranëve. Unë rrjedh nga një familje, ku kam 3 dëshmorë në familje, jam lindur në një krahinë, që ka qenë lavdia e historisë së Shqipërisë. E kam thënë se jam për të ndërtuar rrugën Berat-Skrapar.
Rama më tha se do ta bëjmë këtë rrugë. Dhe unë dua të përfaqësoj skraparllinjtë që jetojnë në Tiranë”, u shpreh Braho. Deputeti foli dhe për koalicionin PS-LSI për të cilin u shpreh se këto parti janë shumë të ndryshme në interesa dhe filozofi. Braho tha se reforma në drejtësi e ndau Metën nga Rama pasi Meta zgjodhi një rrugë të tjetër. Në lidhje me reformën në drejtësi, Braho foli për SPAK ku u shpreh se ka filluar përgatitjet për të goditur. Sipas tij nuk është habi nëse goditjet në politikë nisin me ish-kryeministrin Berisha. “Ndarja e LSI nga PS ka qenë ndarje nga Fatos Nano e jo nga Partia Socialiste.
Ne që ishim themelues të LSI-së na nxori nga lista, mua më nxori, Bashkim Finon, Ndre Legisin, Ilir Metën. Meta zgjodhi rrugë tjetër. Degraduan motivet për të cilat u krijua ajo parti . PS dhe LSI dhe janë parti krejt të ndryshme në filozofi. Është e gabuar të kenë përsëri një koalicion. Ne themi buka e thyer nuk ngjitet më. Reforma në drejtësi ka “ndarë” Ramën dhe Metën. Sali Berisha ka frikë nga drejtësia, sepse është deri në fyt. Nuk është çudi që SPAK të nisë me Berishën”, deklaroi Braho.
Braho flet për Metën
Deputeti socialist, Spartak Braho foli edhe për figurën e presidentit Ilir Meta, për të cilin tha se edhe pse është president, nuk ka bërë asgjë as për vendlindjen e tij. Braho u shpreh se presidenti nuk duhet të bërtasë, por të ketë burrëri dhe humanitet. Sipas tij nuk i shkon kostumit të presidentit të merret me ruajtjen e votave. “Meta të kishte bërë rrugën nga Berati në Çorovodë. Meta nuk e njeh historinë e Skraparit. Të jesh president nga Skrapari do të thotë të kesh burrëri e jo burrëri duke bërtitur.
Duhet të jesh human, të mos i përdorësh njerëzit me pragmatizmin tipik të Metës, se ka ngelur në presidencë pa asnjë skraparlli. Meta i ka hipur një kali dhe i shkon pas Saliut. Duhet të ndalë revanshin. Abaz Aliu e nxjerrtë andej shëndoshë. Kostumi i presidentit nuk është ai. Nuk i shkon kostumit të Presidentit të ruajë votën, si do ta ruajë ai i vetëm. Është qesharake”, u shpreh Braho.
Basha po bën gjenocid
Kandidati për deputet në listat e Partisë Socialiste, Spartak Braho komentoi edhe tubimet e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Braho deklaroi se Basha duhet të burgoset për tubimet me shumë njerëz në kohë pandemie. Sipas tij kreu i PD është duke bërë një gjenocid, sepse shumë persona janë duke humbur jetën për shkak të grumbullimeve dhe mitingjeve të tij.
“Opozita ka kurajo të çmendur që bën fushatë në kohë virusi. Basha duhet futur në burg një orë e më parë, për shkak se del e bën fushatë në kohë pandemie. Është gjenocid, është të shfarosësh shqiptarët. Situata është pak e rëndë, se ta marrësh Bashën ta çosh në polici, thonë e ke bërë politike. Vetë Basha duhet të ketë ndërgjegje dhe të mos bëjë këta veprime. Basha bën gjenocid dhe e them me plot fjalën, është gjenocid për shqiptarët, me ritme graduale”, u shpreh Braho.