Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi ngjarjen e rëndë të Gërdecit, të ndodhur para 16 vitesh, saktësisht në 15 Mars të 2008. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-deputeti socialist është shprehur se kjo tragjedi është drejt zbardhjes. Ai bën me dije se gjithë funksionarët e lartë të përfshirë në këtë tragjedi,me në krye Sali Berishën dhe Shkëlzenin do të dënohen jo vetëm penalisht si fajtor, por edhe moralisht e financiarisht nëse SPAK heton nga themeli siç duhen provat. Sipas Spartak Brahos, Prokuroria e Posaçme ka marrë “frerët” në dorë dhe do t’i vërë vulën se cilët janë fajtorët, përgjegjësit e përfituesit korruptivë financiarë të viktimave të Gërdecit.
Ai është i bindur se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe abuzuar do të dalin para drejtësisë, jo vetëm për Gërdecin, por edhe ngjarje të tjera të rënda që kanë emrin e Sali Berishës. “Mos kini merak të gjithë do të shkojnë në gjyq. Berisha ka gjynahe jo vetëm për Gërdecin. Ka gjynahe të thella që lidhen me ngjarje të rëndësishme të 1992, 1996, 1997 grushtit shtetit. Janë një kategori e veçantë e personave që kanë drejtuar këtë vend dhe e kanë mbushur kupën me kohë. Duhet të jeni optimistë dhe opinioni ta kuptojë se të tërë do të kalojnë tek guri me vrimë. Të tërë do të përgjigjen për shkeljen e ligjit,’’ tha Braho ndër të tjera.
Ja prononcimi i plotë i ish-deputetit Spartak Braho për gazetën “SOT”
“Kronika mortore tragjike e Shqipërisë gjatë këtyre 34 viteve është e mbushur dhe dominohet nga dy ngjarje të hidhura dhe të dhimbshme për popullin e saj të periudhës së drejtimit politik nga Sali Berisha dhe PD-ja e tij si çetë politike bashibozuke, që nuk u bë asnjëherë parti e aspiratave të vërteta demokratike. Këto ngjarje kulmojnë me katraurën social-ekonomike e shkatërrimin e shtetit në vitin 1997 dhe shpërthimin tragjik të përmasave të mëdha të shoqëruar me qindra viktima në fshatin Gërdec në afërsi të Tiranës në 15 mars 2008, pikërisht në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dikush që ende nuk i është thënë emri tamam ishte i interesuar që ta përdorte “detonatorin” e përgatitur nga qeveria e kohës të godiste edhe jetë njerëzish edhe objektivin strategjik ushtarak për ta anëtarësuar vendin në aleancën euroantlantike. Pas 16 vitesh amnezie hipokrite politike dhe sorollatjesh ligjore duket se kjo ngjarje e rëndë kriminale po hyn në rrugën e duhur për të evidentuar fajtorët e vërtetë dhe dënimin e tyre, që shpirtrat e viktimave dhe familjarët e tyre të gjejnë ngushëllim moral te paktën se “haka vajti tek i zoti”.
Shpresë madhi SPAK e ka marrë në dorë tani për t’i vënë vulën se cilët janë fajtorët, përgjegjësit e përfituesit korruptivë financiarë, që sajuan “hiroshimën” shqiptare. Është edhe kjo një ngjarje me pritshmëri të madhe që shqiptarët presin me sytë nga organet e reja të drejtësisë me shpresën se më në fund e drejta vonon, por nuk harron. Familja Berisha, At e Bir, por edhe funksionarë të tjerë shtetërorë të asaj kohe dhe vetë ajo kohë si mënyrë makabre qeverisëse do të jenë ne skanerin ligjor për t’u përgjigjur e dënuar jo vetëm penalisht si fajtore, por edhe moralisht dhe financiarisht. Të presim dhe të shpresojmë thotë një sentence latine.”
Përfshirja e familjes “Berisha” në dosjen “Gërdeci”
Kujtojmë se një pjesë e hetimeve të dosjes së SPAK për Gërdecin janë përqendruar ndaj Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ky i fundit nga dëshmitë dhe përgjimet del se i raportonte Shkëlzen Berishës rreth vendimit të qeverisë për punishten e vdekjes, ku demontoheshin armët. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi një faks për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës. Nuk dihet ende se ku e ka bazuar Aldo Bumçi këtë vendim, pra për të nisur shkresat zyrtare në adresë të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vetë Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por shumë shpejt ai u zbulua, pasi sekretarja e Bumçit e konfirmoi faktin në prokurori. Si Bumçi, por edhe Shkëlzeni janë pyetur nga SPAK. Një tjetër dëshmitar që mund të tronditë pozitat e familjes “Berisha” është edhe David Packouz. Ky i fundit në një intervistë të gjatë në podcast-in “Connect” në datën 7 korrik të këtij viti, ka folur dhe për kontratën që ai dhe ortaku i tij lidhën me qeverinë shqiptare për tregtinë e fishekëve. Ndër të tjera, ai përmend dhe takimet për kontratën 300 milionë dollarë me zyrtarë të lartë shqiptarë, si dhe me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, Efraim Deviroli e siguroi kontratën nëpërmjet Mihal Delijorgjit, të cilin e takoi së bashku me Shkëlzen Berishën.
Më pas Packouz shpjegon skandalin me ripaketimin e municionit për t’i fshehur origjinën e tij kineze, e cila nuk lejohej të shitej për forcat amerikane. Ata i ripaketuan ato duke punësuar për këtë Kosta Trebickën, një biznesmen shqiptar. Por një ditë Delijorgji ka takuar Diverolin dhe i ka thënë se ne mund ta bëjmë më lirë atë proces dhe kemi mbështetje shtetërore. Dhe mbështetja ishte djali i Sali Berishës, të cilin e kishte takuar. Pas kësaj Diveroli ka pushuar Trebickën dhe ka punësuar Delijorgjin, si njeri të besuar të Shkëlzen Berishës. Kosta Trebicka e bëri atë çështje publike dhe më pas u vra në “aksident”. Ndërkohë që e shqipton këtë, Packouz bën gjeste me gjuhë trupi, që nënkupton që e vranë.