Megjithëse prokuroria e Posaçme SPAK, njoftoi në fund të muajit shtator 2022, se kishte nisur një hetim pasuror për gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka, në përfundim të hetimit prokurori i çështjes, konkludoi vetëm me ngritjen e akuzës për “Korrupsion Pasiv të Gjyqtarit dhe prokurorit”.
Hetimi pasuror, i nisur me iniciativë nga prokurori i SPAK, Ervin Kondili, me qëllim kapjen e pronave të Zamira Vyshkës, u shua shumë shpejt gjatë rrugës.
Pavarësisht se në dosjen hetimore, u administruan një sërë provash, që tregojnë se gjyqtarja Zamira Vyshka, gëzon pasuri në Elbasan dhe në Dhërmi, disa prej të cilave i ka në bashkëpronësi me nipin e saj në Angli dhe persona të tjerë në Elbasan, sërisht SPAK nuk veproi në këtë drejtim.
Prokurori Kondili, u mjaftua me ngritjen e akuzës për korrupsion për gjyqtaren Vyshka, ish-qjyqtarin Ilir Pashaj, Taulant Ramollarin dhe dy personat e tjerë Xhulio Musaj dhe Andrea Tirana.
Ndërsa në dosjen e siguruar nga “Ora News”, tregohet se gjyqtarja Zamira Vyshka, prej 24 Tetorit 2016 është bërë bashkëpronare në një truall prej 4900 m2, me pjesë takuese 2/4 dhe një ndërtese me sipërfaqe 1257 m2.
Pikërisht në këtë pasuri me Nr.332/2/5, rezulton të jetë aksioner dhe Florenc Salibasha, një mik i ngushtë i ngjyqtares Vyshka.
Afërsia e tyre kuptohet edhe përmes përgjimeve të kryera nga prokuroria e posaçme SPAK, ku në një bisedë të zhvilluar në datën 6 prill 2022, Vyshka dhe Florenc Salibasha bisedojnë në lidhje me gjetjen urgjente të një banese në qytetin e Elbasanit, me qëllim futjen e puntorëve të ndërtimit.
Puntorët punonin në ndërtimin e një vile dy katëshe nga gjyqtarja Vyshka në Elbasan dhe për të siguruar strehimin e tyre, mes dy personave flitet për shtëpinë ose hotelin ku mund ti strehonin.
Pjesë takuese në këtë pasuri me vlerën ¼ ka dhe kompania dyshekëve të Salibashës, që quhet “Flobest 2003”, e themeluar prej vitit 2000 si biznes pranë Qëndrës Kombëtare të Bizneseve.
Mbi truallin me sipërfaqe 4900 m2, ku Zamira Vyshka është bashkëpronare janë ndërtuar dy fabrika, ajo e dyshekëve dhe prodhimit të sfungjerëve.
Dy fabrikat që ndodhet në këtë godinë (Fotot), janë në emër të Florenc Salibashës, por në prapaskenë të këtij biznesi, duket se qëndron dhe pronarja e truallit, gjyqtarja Zamira Vyshka.
Godina, sipërfaqja e truallit, dy makinat “Range Rover” dhe “Daimler Chrysler”, rezultojnë të jenë pjesë e pronave të pasqyruara në tabelën fotografike që ndodhet në dosjen penale, ku Zamira Vyshka është hetuar dhe marë e pandehur së bashku me 4 persona të tjerë.
Ndërsa Florenc Salibasha, rezulton të ketë pasuri të tjera si dhe 6 automjete të llojeve të ndryshme. Njëra nga fabrikat, ajo e prodhimit të sfungjerit që zotërohet nga Salibasha, në datën 5 janar 2023 u dëmtua rëndë për shkak të përfshirjes nga flakët.
SPAK ka mundur ti gjejë gjyqtares Vyshka dhe një pasuri në bregdetin e Dhërmiut.
Ndërsa mes pasurive që vetë gjyqtarja Vyshka ka deklaruar pranë ILDKPI-së është një shtëpi dy katëshe dhuruar nga babai si dhe një shtëpi tjetër me tre kate me vlerë 10 milionë lekë të reja.
Gjyqtarja deklaron në ILDKPI edhe një objektin dy kate me sipërfaqe 628 m2 si dhe objekti me sipërfaqe 1257 m2 dhe trualli 4900 m2 në bashkëpronësi me Salibashën dhe “Flobest”.
Gjyqtarja deklaron rreth 200 mijë euro llogari bankare, depozita bankare dhe obligacione.
Deklaron në bashkëpronësi 15 troje në vende të ndryshme si: 338.6 m2, 390 m2, 472 m2, 24 m2, 140 m2, 500 m2, 160 m2, 100 m2, 166 m2, 390 m2, 476 m2, 390 m2, 140 m2, 500 m2 dhe 160 m2. Ullishte dhe 13 mijë m2 tokë bujqësore në bashkëpronësi.