Ylli Manjani është shprehur dje në një status në llogarinë e tij në “Facebook” se standardi i ndjekjes penale që imponon sot SPAK është më i ulëti.
Juristi ka shtuar pyetjen se nëse ky standard imponohet nga personat apo nga sistemi. “Prapë mendoj se tek sistemi është problemi. Përtej debatit se sa të ndershëm e të paanshëm janë prokurorët e SPAK, ka vend për debat dhe ndryshim sistemi. Insistoj për këtë.
Standardi i ndjekjes penale që imponon sot SPAK është më i ulëti. Pyetja është ky standard imponohet nga personat apo nga sistemi? Janë tre ndërhyrje të domosdoshme që duhen bërë në sistem: Duhet kufizuar juridiksioni dhe kompetenca e SPAK. Kjo prokurori u krijua për korrupsionin në nivel të lartë dhe jo për çdo nivel.
Gjithashtu u krijua për të luftuar krimin e organizuar në vend dhe jo çdo krim. Zgjerimi i juridiksionit dhe kompetencës sjell mbingarkesë, për pasojë cilësi të ulët hetimore. Ky debat u injorua përgjatë miratimit të reformës; Procedura penale është bërë si kullesë makaronash. Ndërhyrjet e shpeshta në të kanë krijuar gropa, përmbysje të logjikës, kronologjisë dhe ulje të standardit në ndjekje penale. Duhet një procedurë e re, e shkruar mirë dhe me logjikë harmonike. Procedura është garancia, jo personat;
Prokurori i SPAK nuk mund të punojë nën presionin e mandatit. Nuk mund të ketë prokuror të lirë, të pavarur e profesionalisht korrekt nëse duhet të performojë brenda një mandati. Mandatet kanë kuptim për të zgjedhurit dhe për drejtuesit e institucioneve, jo për profesionistët. Mandati që i vihet një profesionisti është presion.
Nga presioni prokurori ose do punojë shkel e shko për të bërë diçka brenda mandatit dhe për të kapur një punë tjetër në vijim, ose do ja varë fare deri sa të shterojë afatin, sepse një punë e ka të garantuar gjithsesi. Në të dyja rastet cilësia hetimore bie. Siç edhe ka ndodhur… Kjo cilësi e rënë bie direkt mbi standardin e ndjekjes penale, që i intereson publikut. Pastaj krimi nuk ka mandat. Pse duhet të ketë prokurori që heton krimin?!
Imagjinoni, prokurori lë në mes hetimin se i mbaron mandati. Ç’logjikë është kjo?! Ndaj them se prokurori i SPAK s’duhet të ketë mandat kohor në detyrë. Ai duhet të shërbejë përjetësisht aty dhe është përgjegjës për cilësinë e hetimeve. Drejtuesi i prokurorisë po, mund të ketë afat. Drejtimi i institucionit ndryshon, puna profesionale jo.
Dhe më në fund, e kam patur dhe e kam bindje këtë: nuk mund të ketë gjykata të posaçme. Ka hetime të posaçme, ka edhe prokurorë të posaçëm, por gjykata është e përgjithshme e zakonshme e normale. Para gjykatës janë të gjithë të barabartë. Por para gjykatave të posaçme barazia e palëve është “posaçme”, dmth nuk është fare”, shkroi Manjani.