Malltezi dhe Zeni merren në pyetje nga SPAK për pastrim parash me “Syri TV”
Dhëndri, të cilit i “hollohet zëri” sa herë SPAK kryen veprimin hetimor të radhës, është marrë në pyetje disa ditë më parë. Dhëndri ka dalë nga SPAK në orët e para të mëngjesit, sikur po dilte nga një sallë operacioni.
Sipas burimeve, në pyetje për pastrim parash është marrë edhe Shkëlzen Berisha, e cili ndryshe nga hera e parë kur tregoi habi para mediave se pse e kishin thirrur, këtë herë ka shkuar natën.
“Prapaskena” mëson se në pyetje janë marrë, gjithashtu në orët e vona të natës, dy persona që dyshohet se mbulojnë një nga linjat e pastrimit të parave të Shkëlzen Berishën, me Tv Syrin dhe Syrin.net. Bëhet fjalë për Gazmir Spahija dhe Çim Peka.
Gazetari Çim Peka është pronar me letra i televizionit të Familjes Berisha. Si administrator, Shkëlzen Berisha, ka caktuar të besuarin e tij, Gazmir Spahija, të cilin më parë Shkëlzeni e kishte caktuar drejtor Tatimesh kur në pushtet ishte Sali Berisha, deri në vitin 2013.
Gazmir Spahija është skeduar si një ish zyrtar që poseden një pasuri me vlerë qindra mijëra euro, apartamente pranë Gardës tek Liqeni, makina luksoze, biznese etj., me para të pajustifikuara me burime të ligjshme. Spahia dyshohet për afera miliona euro kur ishte drejtor i Shkëlzenit në Tatime, është marrë një herë i pandehur për shpërdorim detyre, por shpëtoj në 2015 nga një gjyqtar i PD-së.
Gazmir Spahija dyshohet se kamuflon edhe disa pasuri të Shkëlzen Berishës si dhe qarkullon paratë e tij. Duket e çuditshme se si BKH-së, SPAK-ut, krimit ekonomik, Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave etj., nuk u ka rënë në sy pasuria përrallore në raport me të ardhurat e ligjshme të Gaz Spahisë. Gaz Spahija është shefi i Çim Pekës, edhe pse Peka është pronari në letra i TV Syrit, me 800 USD rrogë në muaj.
Kështu i ka ndarë rolet Shkëlzeni. “Prapaskena” ka dëshmi dhe prova se si tek TV Syri ndahen çdo muaj deri në 70 % e pagave cash në të zezë. Vetë pronari Çim Peka, Adi Krasta, Andi Bejtja, Sonila Meço etj., paguhen me paga qesharake të deklaruara, thua se punojnë në rrobaqepësi. Gjithashtu, nuk ka fatura dhe burim të ligjshëm parash për shpenzimet për blerjen e pajisjeve të televizionit. Faktet sugjerojnë se Syri Tv është një skenë krimi.
Faktet
Po i marrim faktet me radhë. Syri TV është emri tregtar i kompanisë 3 DS & AF Entertainment, me nipt L71821001T, themeluar në qershor të vitit 2017, me objekt aktivitet në fushën e medias dhe televizionit. Pronarë të 3 DS & AF Entertainment deri në vitin 2019 rezultojnë Donald, Erjona, Arledia, David, Daisy dhe Deon Shena.
Në maj të vitit 2019, kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri TV), blihet për 100 mijë lekë nga organizata jofitimprurese Qendra për Informim të Halur, me nipt: L71603456N. Sipas dokumenteve, kjo organizatë jofitimprurese është themeluar nga Çim Peka, i cili është edhe drejtor ekzekutiv. Në letrat e blerjes së kompanisë, anëtarë të Bordit Drejtues të organizatës figurojnë Çim Peka, Andi Bejtja, Artan Hoxha, Lutfi Dervishi, Sokol Shameti, Bledi Kasmi, Klodian Tomorri, Brikena Kasmi dhe Armela Kromici. Me shumë gjasa shumica prej tyre mund të mos jenë më pjesë e këtij bordi dhe organizata është thjeshtë një fantazmë për të mbuluar Syrin.
Pas blerjes, Çim Peka bëhet administrator i Syri Tv, konkretisht në 3 maj 2019. Disa muaj më pas, në 29 tetor 2019, Peka largohet si administrator dhe në vend të tij emërohet Gazmir Spahija, ish drejtor i Tatimeve gjatë qeverisjes Berisha. Kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri TV), ka në pronësi edhe dy kompani të tjera TIRANA TV (Ish “TV 2000”), me nipt K21602004F dhe Emi Media Group (ish “G.M.RADIO”) me nipt L01510002C.
Pra duket qartë se jemi përballë një situate delikate, ndërkohë që theksojmë se gazeta “SOT” nuk mban përgjegjësi për lajmin e publikuar dje nga portali “Prapaskena”, por për hir të transparencës dhe misionit që ka për të denoncuar korrupsionin dhe krimin në Shqipëri, po e publikon artikullin sot për lexuesin. Megjithatë, mbetet të shihet se sa të vërteta janë këto fakte të pasqyruara me detaje nga portali “Prapaskena” ditën e djeshme, ndërkohë që kurioziteti më i madh është se si do të veprojë SPAK.