Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të ish-ministrit Lefter Koka, ish-deputetit Alqi Bllako, zyrtarë të shtetit dhe pronarë të kompanive të impianteve të përpunimit të mbetjeve (inceneratorët).
Këta persona akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
“Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjindhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e konçensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeveurbane dhe prodhimin e energjisë.
Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.