Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar një vit burg për kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili akuzohet se në formularin e dekriminalizimit nuk ka shkruar dënimin me 3 vite burg në Greqi.
Pretenca është dhënë gjatë seancës së mbajtur ditën e sotme, në të cilën vetë Ismailaj s’ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati.
Nëse Ismailaj do të gjendet fajtor nga Gjykata atëherë dënimi i kërkuar nga SPAK zbret në 8 muaj burgim, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por një mundësi tjetër për kryebashkiakun e Mallakastrës është dhe aplikimi i nenit 63 të Kodit Penal që korospondon me punë në interes publik që kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh. Kujtojmë se Ismailaj u mor i pandehur nga GJKKO më 1 nëntor, pasi kishte fshehur një dënim me 3 vite burg në Greqi, të ndodhur 21 vite parë.
Ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Qerimaj u denoncua nga PD, ndërsa letër-porosia e autoriteteve greke zbuloi dënimin e dhënë për ngjarjen e vitit 1999 për rrahje ndaj një personi që pretendohet se ishte pronari i tij, të cilin e dhunoi pasi nuk i kishte dhënë pagën.
Gjetjet iu dorëzuan KQZ më 2 korrik 2021 e cila vendosi ta lërë në detyrë Qerim Ismailin me argumentin se dënimi penal dhënë në Greqi në Shqipëri është dënim vetëm me gjobë. Ismailaj doli kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ku garoi vetëm vetë për qarkun e Mallakastrës.