Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka vënë në pranga një gjyqtare, një avokat dhe një qytetar.
Bëhet me dije se arrestimi i tyre është kryer pasi akuzohen për korrupsion.
Gjyqtarja e vënë në pranga është Mimoza Margjeka, ndërsa nuk dihet ende identiteti i avokatit dhe qytetarit.
Ajo njihet si gjyqtarja që rrëzoi zgjedhjet e 30 qershorit në Durrës duke i cilësuar si ‘nul’.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.186/2020. Në kuadër të hetimeve të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, (Drejtorinë Hetimore Qendrore), nëpërmjet përdorimit të metodave proaktive dhe të posaçme të hetimit, është bërë i mundur evidentimi dhe dokumentimi i një akiviteti korruptiv në sistemin e drejtësisë.
Konkretisht ka rezultuar se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas.
Mbështetur në provat e administruara dhe pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 92 datë 05.09.2020 ka caktuar :
Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.
Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Arben Cara, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.
Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.
Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetases Mimoza Margjeka, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.
Sot, në datë 09.09.2020, Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës që cakton masat e sigurimit personal, duke arrestuar shtetasit e mësipërm.