Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet që të shkundë nga themelet kalanë e korrupsionit në Shqipëri. Politikanë, drejtorë administrate, gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë të tjerë të ndryshëm janë zhytur në korrupsion dhe të gjithë ia kanë hedhur paq. Por shpresat janë se diçka do ndryshojë përmes SPAK dhe BKH. Ditën e djeshme ka qenë afti i fundit për të dorëzuar dosjet që do kalojnë te SPAK dhe të rrezikuar janë shumë emra.
Por përveç atyre që i kanë çështjet e hapura, si kryeprokurori Adriatik Llalla dhe funksionarë të tjerë, të rrezikuar janë dhe ata zyrtarë që nuk justifikojnë pasuritë. Krimet e Rënda kanë rreth 900 dosje me hetime pasurore, shumica e të cilave janë për bandat kriminale, por të njëjtin fat pritet që të kenë dhe disa politikanë që janë paditur dhe ka pasur hetime ndaj tyre, por që nuk ka pasur hetim pasuror. Kryeprokurorja Arta Marku një vit më parë ka nxjerrë një udhëzim, ku detyronte të gjitha prokuroritë në vend që të kalonin te Krimet e Rënda të gjitha dosjet që kanë pasur ndër vite për korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështjet në ngarkim të zyrtarëve të lartë. Gazeta ka mësuar se një pjesë e madhe e këtyre dosjeve që janë dorëzuar aty do të kalojnë te SPAK. Por mes tyre, ka dhe shumë dosje që janë për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga politikanët në vend. SPAK do hetojë çdolloj akuze ndaj deputetëve, ministrave, zv/ministrave, kryebashkiakëve, apo dhe ish-funksionarëve të mësipërm. Sipas të dhënave, nga pasuria marramendëse rrezikohen shumë emra.
Statistikat
Gazeta ka siguruar të dhëna mbi kallëzimet ndër vite të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, nga ata që kanë fshehur pasurinë, te ata që dyshohet se kanë nxjerrë jashtë të ardhurat. Bëhet fjalë për një listë voluminoze, ku një pjesë e madhe e emrave që janë aty mund të rihetohen nga SPAK, pasi hetimet janë mbyllur në mënyrë mistike nga prokuroria. Sipas të dhënave, të rrezikuar janë 11 deputetë dhe ish-deputetë. Gjatë dy ditëve të fundit ILDKP ka kallëzuar penalisht 6 deputetë për fshehje pasurie, dosjet e të cilave do kalojnë te SPAK. Mirëpo më herët janë kallëzuar dhe 5 ish-deputetë të tjerë, të cilat ja kanë hedhur paq.
Bëhet fjalë për ish-deputetë të djathtë dhe 2 të majtë. Pas tyre të rrezikuar janë dhe 2 ish-kryetarë bashkie dhe një kryetar aktual bashkie, të kallëzuar po për fshehje pasurie. Në listë është dhe një zv/ministër aktual, i kallëzuar nga ILDKP një vit më parë. Kjo është bërë e ditur në raportin e DASH për të drejtat e njeriut, i cili ka treguar statistika nga puna e Inspektoratit në fjalë. Ata që janë kampionë në fshehjen e pasurisë, padyshim janë gjyqtarë dhe prokurorët. Në 5 vite e fundit janë mbi 20 emra të kallëzuar nga ILDKP për këtë vepër penale. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë hyrë ende në veting dhe sinjalet janë se do fundosen. Por në momentin që nuk justifikojnë pasurinë pritet që të shkojnë dhe për ndjekje penale. Në listë ka dhe disa që janë dorëhequr, duke e ditur se do fundoseshin nga KPK. Sigurisht që në këtë listë nuk bëjnë pjesë ata që kanë ngelur në veting, pasi të gjithë pritet të shkojnë për ndjekje penale. Kjo do të thotë se janë mbi 70 emra të rrezikuar. /Kliti Topalli