Arben Ahmetaj ka reaguar pasi lajmeve nga media se SPAK e mori të pandehur për një tjetër akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës, për shkak se ka shkelur ligjin duke firmosur privatizimin e ish-fabrikës së bukës te “5 maji”, ku siç thuhet pronarët e truallit nuk qenkan shpërblyer me vlerën e vendosura nga gjykata Kushtetues, por me vlerën e e vitit 1991 ku pronarët kanë humbur sipas BKH rreth 700 milion lekë ku aksioner në privatizim është edhe shteti.
Me anë të një postimi në Facebook, Ahametaj shkruan se kjo është në vazhdën e përndjekjes së organizuar ndaj tij
Reagimi i plotë i Arben Ahmetajt:
Në lidhje me lajmin që qarkullon, nuk e di sa e vërtetë është, por nuk do të habitesha aspak në vazhdën e përndjekjes së organizuar në tashmë gati një vit e gjysëm e më shumë.
Faktet e fundit të botuara nga media kanë vërtetuar atë qe unë kam thënë, se ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë “delen e zezë”, përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë.
Nëse lajmi është i vërtetë, atëherë kjo do të ishte kundërshtia juridike më e madhe. Ju sfidoj miqësisht ju të medias ta merrni dosjen dhe ta “shkalafisni” në detaje.
Cili është thelbi i asaj dosje?
Ish-pronarët e njërës prej aseteve të asaj kompanie, kanë kundërshtuar vlerësimin e pavarur të aksioneve të kompanisë. Vlerësuesit e pavarur, në bazë të ligjit, kanë bërë vleresimin, që nuk i ka kënaqur ish-pronarët e njërit prej aseteve të kompanisë. Nëse do të realizohej ajo që kërkonin ish-pronarët, aksionet e shtetit do të reduktoheshin me herë. Pra në thelb, duke u zbatuar ligji, janë mbrojtur aksionet e shtetit.
Nuk habitem më nga asgjë. Që nga “faktet” e fabrikuara nga inceneratorët se kam harxhuar kaq e aq në këtë e atë kazino, apo ku di unë, deri tek përndjekja familjare dhe inkuizitive që më bëhet. Nuk e di nëse kjo që ka dalë si lajm është e vërtetë, por ju sfidoj sërish: merreni dosjen, lexojeni, gjeni nëse ka një shkresë të vetme në kundërshtim me ligjin; mos bini në kurthin e “kokës së vertetë” të teatrit absurd dhe tejet të rrezikshëm. Dhe pasi ta keni lexuar dhe analizuar, dilni në konkluzion se çfarë po ndodh vërtet sot me drejtësinë dhe tregojani publikut, jo për hatrin tim, po të tyre, se më mirë vonë se kurrë.
Imagjinoni për një sekond sikur të kishte ndodhur e kundërta: të ishin reduktuar me herë aksionet e shtetit (automatikisht vlera e marrë në buxhetin e shtetit)???
“Koka e vërtetë e zezë” ia ka dalë…përkohësisht.
Vrulli politik i SPAK s’besoj t’i ketë shpëtuar syrit të publikut. Përndjekja ekzemplare e stilit të vjetër, ngarkuar me urrejtje personale të përfolur dhe nëpër tryeza politiko-drejtësie, përtej fakteve, i ka kaluar dhe imagjinatat e filmave horror. Goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi.
Detajet për këtë dosje e të tjerat, në një kohë të shpejtë.
Ndoshta “të vërtetit” i duhet një zhurmë tjetër!