Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është kthyer në një arenë “lufte” mes partive politike.
Edhe pse kreu i SPAK, Arben Kraja ka dhënë alarmin se prokurorët kanë shumë dosje në duar, partitë politike kanë paditur zyrtarët e njëra-tjetrës në Prokurorinë Speciale. Gazeta ka bërë një përmbledhje dhe janë plot 7 kryetarë dhe ish-kryetarë bashkish, ministra, ish-kryeministra dhe deputetë të kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme.
Kështu sinjali më i freskët ka ndodhur ditën e djeshme, teksa Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, me akuzën për “shpërdorim të detyrës”. Bëhet fjalë për kontratën e partneritetit publik privat që i mundëson kompanisë private ndërtimin e kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit.
Sipas PD-së, me veprimet e paligjshme të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, është favorizuar kompania private, duke falur tokë publike për ndërtimin e Kullave në qendër të qytetit të Elbasanit. “Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, Kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milion euro, duke konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e Partisë Demokratike.
Ndërkohë Llatja nuk është i vetmi, pasi i paditur në SPAK është dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit janë bërë disa kallëzime, duke filluar nga inceneratori i Tiranës, deri tek prishja e Teatrit Kombëtar.
Të paditur ish-kryetarë bashkish dhe ministra
Por nuk ndalet me kaq pasi të paditur në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë edhe disa ish-kryebashkiakë të PD-LSI. Bëhet fjalë për ish-kryebashkiaken e Gjirokastrës, Zamira Rama, për të cilën SPAK njoftoi në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas se kishte dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të saj, e akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Po ashtu, një tjetër ish- kryebashkiake e LSI-së ka përfunduar në SPAK, me akuzën për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për ish-kryebashkiaken e Përrenjasit, Miranda Rira, e cila është paditur nga kryebashkiaku Nuri Belba, lidhur me tenderi për fushën e sportit. Ndërkohë, i paditur në SPAK është edhe ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” lidhur me një leje ndërtimi që ish-kryebashkiaku i PD-së kishte dhënë për ndërtimin e një thertoreje në Laknas.
Ndërkaq, pak muaj më parë edhe Bashkia e Kukësit ka kallëzuar në SPAK ish-kryebashkiakun Bashkim Shehu. Ndërsa edhe kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi ka paditur ish-kryetarin Besnik Dushaj dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë për shpërdorim në shifra të mëdha të fondeve publik.
Të paditur në SPAK për inceneratorët janë edhe kryeministri Edi Rama; ndaj Arben Ahmetajt, ish-ministër i Financave; Lefter Kokës, ish-ministër i Mjedisit dhe Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës si dhe dy shtetasve të tjerë, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Po ashtu, padi në SPAK ka edhe për ministren Olta Xhaçka, e cila sipas PD-së ka shpërdoruar detyrën duke udhëtuar me helikopter, si dhe për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për disa tendera.
Ndërkohë të paditur nga PS në SPAK janë për privatizimin e kompleksit “Partizani”, janë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndri i Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Pra, të gjitha këto tregojnë se SPAK është arenë “lufte” mes partive.