Amatorët dhe specialistët e informatikës kanë vite që e dinë se çfarë është dhe çfarë do të thotë do të thotë “Ndivia”. Por për njerëzit e zakonshëm kjo fjalë nuk shpreh kushedi çfarë. Njëlloj si para disa viteve me kriptomonedhën “Bitcoin”! Por sot të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson kjo monedhë virtuale dhe disa madje nuk ia falin vetes që nuk investuan në të që në fillimet e saj.
E njëjta dukuri po ngjan tani edhe me « Ndivia-n ». Jo « Ndivia » nuk është një kriptomonedhë e re. Ajo është një procesor elektronik, një lloj « çipi » që përdoret prej vitesh në informatikë dhe elektronikë. Ky procesor është pjesë e qënësishme e të gjithë kompjuterave, tabletave, e play station-eve etj etj. Është një çip që ka të bëjë me shfaqjen e figurave dhe imazheve në këto pajisje. Dhe ka kohë që përdoret, saktësisht që kur në PC-të e gjithë botës përveç « Word »-it u shfaq edhe imazhi lëvizës.
Por ajo që e ka nxjerrë në plan të parë këto ditë këtë përbërës bazë të informatikës është rritja marramëndëse e kursit të tij në pothuajse të gjitha bursat e botës.
ADVERTISING
Veçse më 22 shkurt, vlera e të gjitha aksioneve e fabrikantit të këtij çipi njohu një rritje prej 230 miliardë dollarësh brenda 24 orësh! Si spjegohet kjo rritje marramëndëse?! Sipas specialistëve të High Tec përgjigja është shumë e thjeshtë: Rritja dhe shtrirja e perspektivave të inteligjencës artificiale në shumë fusha të jetës, si psh e ChatGPT, solli edhe këtë « shpërthim » të vlerës së këtij përbërësi elektronik në mbarë bursat ndërkombëtare.
Në fakt epopeja e « Ndivia-s » ka nisur që para 31 vjetësh. Po si nisi kjo histori?! Si shumë të tjera gjatë fund-shekullit të kaluar dhe këtij fillim shekulli të ri. Të gjithë sot kanë dëgjuar për historitë e pabesueshme të Bill Gates dhe Paul Allen, të Hewlett dhe Packard, Stiv Jobs dhe Stiv Wozniak, të Larry Page dhe Sergey Brin etj etj. Janë këta që nga garazhët e prindërve të tyre shpikën programin informatik Window, kompjuterin HP, Microsoftin, Apple dhe Googl-in.
Tani këtyre emrave të famshëm u janë shtuar edhe emrat e shpikësve dhe prodhuesve të microçipit «Ndivia». Gjithçka për ta nisi pa shumë bujë dhe pretendime më 17 shkurt të vitit 1993. Tre veta ishin mbledhur asokohe në një restorant të San Françiskos për të festuar 30 vjetorin e njërit prej tyre. Bëhej fjalë për inxhinjerin Jensen Huang i shoqëruar nga miqtë e tij Curtis Priem dhe Chris Malachowcky. Atë ditë pas diskutimeve dhe bisedave të zgjatura, ata grumbulluan së bashku afro 40 mijë dollarë për prodhimin e këtij çipi që do të kthehej më pas në pjesën dominante të kartave grafike aq të domosdoshme për funksionimin e video-lojërave. Ishte një shpikje që e kërkonte koha. Video – lojerat dhe më pas kompjuterët do bëheshin pjesë e « orendive » të çdo shtëpie.
Dhe kështu pas një rritjeje graduale por të pandërprerë, fabrika e prodhimit të «Ndivia-s» hyri në bursë, në rajonin e elektronikës dhe informatikës, Nasdaq! Çdonjëri prej treshes, mbajti për vete 11 për qind të aksioneve të ndërmarrjes. Kushdo që investoi në atë kohë 1 000 dollarë në blerjen e aksioneve të asaj ndërmarrjeje, sot zotëron 2.77 milionë dollarë!
Atmospheric Rivers Boosting Reservoir Water Levels in California
Keep Watching
Po atë ditë «treshja» vendosi që drejtori i tyre dhe i ndërmarrjes do të ishte më i riu prej tyre, ai që po festonte atë ditë 30 vjetorin e tij, Jensen Huang. I cili vazhdon ta mbajë këtë post edhe sot, 31 vjet më pas! Ai u zgjodh jo se ishte më i riu, por sepse ishte më inteligjenti prej tyre dhe më karizmatiku.
Por Huang nuk paska qënë i « lindur » për këtë post, ose ndonjë tjetër me përgjegjësi. Sepse kur ishte më i ri, ishte një fëmijë i ndrojtur dhe i rezervuar, që u rrinte larg shokëve të tij. Por ai dallohej po ashtu si një fëmijë me një inteligjencë tejet të spikatur. Aq sa për një vit kaloi dy klasa. Aq më shumë që ai vajti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi kishte mbushur 9 vjeç.
Jensen Huang ka lindur në Tajvan. Por shumë shpejt prindërit e tij u shpërngulën në Tailandë. I jati i tij, inxhinjer kimist, punonte në një rafineri nafte. Por me përhapjen e konflikteve edhe në Thailandë, i jati, për ta ruajtur, vendosi ta dërgonte djalin e tij në Amerikë, në një konvikt dosido. Huang kujton se mjedisi në atë internat nuk ishte i mirë. Nxënësit rrinin me thika me vete. Në çdo moment kishte grindje, grushta, plagosje. Por atje u forcova, – pohon Huang.
Në vështirësi financiare, Jensen, kujton se 12 vjeç e kishin vënë të pastronte WC-të e shkollës. Dhe pasdite dilte dhe shiste gazeta. Edhe në lice kisha pak shokë – pohon ai, para se të shtonte se në kohën e lirë ai ndiqte kursin e matematikës, informatikës dhe shkencës. Në atë kohë ai nuk kishte nevojë të punonte se prindërit e tij kishin vajtur edhe ata në Amerikë. Kështu që ai pati mundësi të jepej pas shkencës. “Në rast se në atë kohë do të më pyesnin nëse donja të dilnja me shokët apo të bënja detyrat e klasës në shtëpi, do preferonja zgjedhjen e dytë. Isha i ndrojtur.” – pranon ai.
Më pas ai ndoqi studimet për inxhinjeri elektrike në universitetin shtetëror të Oregonit. Në vitin 1992 ai mbrojti Masterin në universitetin e Standfordit dhe u vendos përfundimisht në zonën e famshme Silicon Valley. Vetëm një vit më pas, Huang, së bashku me Curtis Priem dhe Chris Malachwsky, dy inxhinjerë të Sun Microsystems, nisën aventurën “Ndivia”.
Si fillim ata krijuan dhe përmirësuan procesorin GPU, (Graphic Processing Unit) që mundësonte video dhe imazhe më performante dhe të sofistikuara në lojërat në komjuter. Përmirësimet, inovacionet dhe shpikjet vazhduan me rradhë, derisa Huang parandjeu se e ardhmja i takonte Inteligjencës Artificiale. Me gjithë ekipin e tij, tashmë të konsoliduar prej dhjetra inxhinjerësh, ai i parapriu shpikjes së Chat-GPT-isë. Google, Meta, Open AI u treguan tejet të interesuar për microçipat e prodhuar nga “Ndivia” që i përshtateshin mrekullueshëm projekteve të tyre. Dhe kështu filloi ngjitja e pandalshme. Vlera e aksionit të tyre arriti në 100 dollarë në vitin 2020. Dhe sot, e premte 23 shkurt 2024, ajo i ka kaluar 780 dollarët për aksion!
Sipas « Forbes » Jensen Huang zotëron sot « vetëm » 3 përqind të aksioneve të ndërmarrjes së tij. Por kaq mjafton që ai të zotërojë një pasuri në vlerë monetare prej 61.5 miliardë dollarësh ose 57 miliardë eurosh. Dhe ai sot konsiderohet nga « Forbes » dhe « Bloomberg » si njëri nga 17 apo 21 më të pasurit e globit!
Po shokët e tij, me të cilët ai filloi aventurën, çfarë janë bërë? Chris Malachowsky vazhdon të punojë te “Ndivia” ku ai mban postin e e drejtorit në teknologji. Ndërsa Curtis Priem, ia fali pjesën më të madhe të aksioneve të tij një shoqërie bamirëse, pas vitit 1999. Më 2003 ai u largua nga ndërmarrja dhe më 2006 ai i shiti të gjitha aksionet e tij. Nëqoftëse do t’i kishte ruajtur ato, sot ai do të zotëronte një pasuri me vlerë prej 92 miliardë eurosh. “Fatkeqësisht” sot ai zotëron veçse 28 milionë euro, si dhe një vilë me vlerë 5.5 milionë euro dhe një avion privat “Gulfstream G450”, me një vlerë prej 28 milionë dollarësh!
Kjo është historia e dikujt që e nisi jetën duke pastruar WC-të e shkollës.
Përgatitur nga Viron Gjymshana