Politika shqiptare ka njohur në 32 vite kapërcime tëçuditshme shumë të thjeshta nga një front politik në një tjetër. Për fatin e keq, mungesa e konseguencës politike nga drejtues dhe ish-drejtues të shtetit apo forcave politike në vend është pranuar tashmë si veti karakteristike jo vetëm e shoqërisë politike shqiptare, por dhe qytetarëve.
Pavarësisht se politikanët shqiptarë proklamohen me forcë si liderë që nuk e tradhëtojnë kurrë besimin dhe premtimin e qytetarëve për tëçuar drejtësinë, rendin, barazinë dhe ndëshkimin e merituar të kundërshtarëve deri në fund, prej vitesh në opinionin shqiptar është krijuar bindja se mes forcave politike, nuk ka një luftë të mirëfilltë idesh, bindjesh, parimesh, vizionesh, shprese, shpëtimi, përkundrazi veprojnë si organizata që gjejnë shpeshherë marrëveshjen për shumëçështje që më pas kanë rezultuar me dëme të mëdha për shtetin dhe shoqërinë.
Sado që PS, PD, LSI, PDIU dhe parti të tjera janë zotuar para çdo fushtare zgjedhore për luftë të pastër e të pakompromentuar morale dhe politike, krejtësisht e kundërta e atyre çfarë kanë thënë, kanë realizuar. Çuditshëm ngrihet pyetja: Përse në një shoqëri që ka kaluar kaq shumë pushtime, regjime shtypëse antidemokratike, diktaturë dhe që duhej të kishte krijuar një vigjilencë më të madhe morale politike e shoqërore, është kaq e vështirë që të realizohet momenti i kthesës, ndarjes nga rrugëte dështuara politike dhe krijimi i shtigjeve të reja largpamëse dhe të lejohen që tradhëtitë e pabesa, mosmbajtja e premtimeve, të kryhen shumë lehtë pa asnjë pengesë?
Një përgjigje e thjeshtë që paraqitet gjithmonë si alternativë e parëështë sepse prej shekujsh të tërë, shqiptarët nuk kanë krijuar vetëdijen e shëndoshë politike për të parandaluar, frenuar, rezistuar, luftuar e asimiluar të frymës politike autoritare, arrogante, të pamëshirshme duke krijuar nëçdo sistem politik forma të reja të degradimit, shtypjes, polarizimit, urrejtjes, përndjekjes, izolimit, prapambetjes kulturore e politike. Për shqiptarët, fatkeqësisht thuhet se është shumë e lehtë t´i frikësosh dhe t´i përçash.
Arbitrariteti i klasave politike tëçdo regjimi në Shqipëri ka bërë që shoqëria jonë të pësojë një “lobotomi” psikologjike, aq sa “mirëpret” kollaj tragjeditë e mëdha, qoftë dhe me kosto të shumta jete. Një traumatizim i tillë shoqëror, i lidhur fort dhe me një pasion sadist që dominon në shoqëri, ka shkaktuar një humbje tronditëse të kujtesës historike të shqiptarëve. Nisur nga këto deformime të rënda të politikës, shtetit dhe shoqërisë, shqiptarët kanë prodhuar, votuar forca e udhëheqës politikë, të cilëve ua kanë zgjatur jetën përtej normalitetit moral politik e koherencës. \
Më shumë se kurrë, është shtuar thirrja për nevojën e ndryshimit të klasës politike në Shqipëri, që jo vetëm nuk ka investuar në përmirësimin e shtetit, zhvillimit e emancipimit të shoqërisë, por përkundrazi, po konsiderohet gjithmonë e më shumë një faktor i rrezikshëm dhe i dëmshëm si për të ardhmen, por dhe për të tashmen tonë. Klasa politike sot në Shqipëri drejtohet nga Edi Rama, Ilir Meta e Sali Berisha.
Të tre kanë qenë armiq të përbetuar, të tre e kanë akuzuar, sulmuar anatemuar aq egërsisht njëri-tjetrin duke kapërcyer dhe kufirin rivalitetit politik, por po kaq shumë kanë favorizuar publikisht e në heshtje njëri-tjetrin. Sot do tërikthehemi te Meta dhe Berisha, të cilët sërish janë përqafuar si aleatë të vendosur për të shpëtuar Shqipërinë nga një “murtajë” e egër siçështë Rilindja e kryesuar nga Rama.
Dikur ata shenjuan një tjetër periudhë të vështirë për stabilitetin e zhvillimin politik të Shqipërisë në fillim të viteve 2000, aq sa u krijua përshtypja e gabuar se në arenën e politikës shqiptare nuk mund të kishte vend për të dy.
Berisha: Meta, terrorist që feston Pavarësinë me gjakun e adoleshentëve tropojanë
Në fund të vitit 2000, Ilir Meta ishte në kulmin e pushtetit të tij politik pasi ishte zgjedhur me bekimin e lideri të kohës së PS, Fatos Nano si kryeministër i Shqipërisë. Socialistët kishin triumfuar në zgjedhjet lokale të 1 dhe 15 tetorit 2000 duke u fuqizuar akoma më pushtetin në vend. Demokratët pësuan një tjetër “KO” të rëndë pas rënies nga pushteti në 1997. Selia blu humbi 39 bashki krahasuar me zgjedhjet lokale të 1996, duke fituar vetëm 13 nga 65 bashki.
PD pësoi humbje të thellë edhe në votimin për kryetarë komunash ku fitoi 79 nga 309 komuna, duke humbur 181 komuna. Demokratët e frymëzuar dhe udhëhequr nga Berisha bojkotuan shumicën e zgjedhjeve në qytetet dhe komunat që kishin dalë në balotazh në 1 tetor 2000. Pas dështimit për të rimarrë pushtetin me dhunë në 14 shtator 1998, mënjanimit dhe urrejtjes nga shoqëria për katastrofën ekonomike të firmave piramidale në 1997, që u pasua menjëherë me rrënimin e shtetit dhe sigurisë, Berisha po bënte të gjitha përpjekjet për të rifituar besimin e qytetarëve shqiptarë, qoftë dhe me metoda dhune. I karakterizuar si politikan konfliktual që nuk dorëzohet kurrë, Berisha nuk ishte më pak i kursyer as ndaj Ilir Metës, të cilin e konsideronte si kreun e aktiviteteve kriminale e mafioze në vend, abuzimit me pushtetin, drejtimit me metoda fashiste, etj.
Në nëntor 2000, ai e quajti Metën terrorist që po festonte fitoren e padrejtë në zgjedhje në dëm të demokratëve të Tropojës, duke vjedhur plot 500 mijë vota. “Dënoj si autor kryesor të kësaj masakre kryeministrin terrorist Ilir Meta i cili dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve, feston ditën e flamurit me gjakun e adoleshentëve të Tropojës”, shprehej në atë kohë Berisha.
Për të përshkallëzuar polarizmin e shoqërisë dhe dërgimin drejt pikës së vlimit të urrejtjes politike, në 28 nëntor 2000, ai urdhëroi organizimin e një “mitingu” të demokratëve të Tropojës, që u shoqërua me kaos, frikë, dhunë dhe arrestime.
Rrëmuja e tmerrshme në 28 nëntor 2000 në Tropojë, 1 vrarë dhe 30 të plagosur
Pas zgjedhjeve të tetorit 2000 dhe dështimit të radhës elektoral, Berisha riaktivizoi akuzat e egra ndaj socialistëve se kishin vjedhur e manipuluar zgjedhjet lokale. Ajo që ai paralajmëroi si miting i demokratëve në Tropojë, u kthye në një përplasje të ashpër të armatosur mes demonstruesve dhe policisë. Paraditen e 88-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, protestues tropojanë dhe nga zona të tjera rrethuan Gjykatën e Komisariatin e Tropojës në shenjë pakënaqësie ndaj vjedhjeve të zgjedhjeve lokale. Urrejtja lokale e politike mes të majtëve e të djathtëve u ndez sërish, pavarësisht vrasjeve dhe humbjes së shumë jetëve të pafajshme nga viti 1997.
Qeveria e drejtuar nga Meta dërgoi një kontigjent të forcave speciale RENEA për të frenuar protestuesit në Tropojë. Por, shumë prej tyre ishin armatosur dhe hapën zjarr ndaj njësisë speciale policore, e cila nuk zgjodhi konfrontimin e përshkallëzimin e dhunës duke u tërhequr nga pozicionet. Më pas, demonstruesit shkuan në komisariatin e qytetit, ku kërkoi lirimin e militantëve demokratë të arrestuar.
Frika, mungesa e përgatitjes psikologjike dhe mundësia kalimit të konfliktit në një betejë kaotike të armatosur, bëri që efektivët të lironin të arrestuarit në fjalë. Por, fatkeqësisht ankthi, kaosi e frika nuk mundën të shuheshin pasi protestuesit kërkuan që policia të braktiste komisariatin e Tropojës. Efektivët dhe zinxhiri komandues e konsideroi këtëgjë si dezertim dhe braktisje të detyrës. Mes palëve filloi një shkëmbim zjarri, ku pati 1 viktimë Syl Lushaj dhe 30 të plagosur. Një situatë e tillë vuri në lëvizje kryeministrin Ilir Meta.
Meta detyroi Berishën të shkonte në polici, e “fali” pas 3 orësh
Meta bëri me faj liderin e opozitës së kohës, Sali Berisha, se po realizonte planin për grusht shteti. Pas përkeqësimit të situatës së rendit dhe sigurisë në Tropojë, ai urdhëroi shoqërimin në polici të Berishës. Kjo ngjarje për vite me radhëështë lënë si në harresë, por vështirë se mund të mohohet që gazetarët dhe protagonistët e kohës, nga strukturat policore deri te PD, të mund ta kenë fshirë totalisht nga kujtesa një moment kaq dramatik. Forca të shumta policie dhe të RENEA-s rrethuan selinë e PD dhe mbajtën nën presion militantët e lidershipin demokrat. Urdhri ishte që Sali Berisha të dërgohej me çdo kusht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Në këtë operacion që u kthye si provë force e pushtetit politik të Ilir Metës ndaj Sali Berishës, u angazhuan drejtori i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, zv/drejtori Niko Brahimi; prefekti i Tiranës Taulant Dedja dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Veli Myftari. Ideatori i kësaj skene ishte kryeministri Ilir Meta. Me forca të shumta policie të maskuara dhe të armatosura, selia blu u mbajt për orë të tëra e rrethuar.
Berishës iu kërkua nga Myftari që të dilte nga automjeti i tij, por ai refuzoi. Më pas, efektivët neutralizuan shefin e truprojave dhe grupin e tij. Për 33 minuta, Berisha rezistoi, ndërsa më pas një efektiv mori rolin e shoferit dhe e dërgoi Berishën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mbajt për 3 orë.
Demokratët u mbajtën në ankth dhe ishin të pafuqishëm të bënin asnjë lëvizje me liderin e tyre në duart e policisë dhe shtetit, palës kundërshtare. Operacioni ndodhi mesnatën e 29 nëntorit, disa orë pas trazirave në Tropojë. Në Policinë e Tiranës, Berisha sulmoi hapur drjetuesit e policisë dhe vetë kryeministrin Meta se e kishin marrë me forcë e rrëmbyer duke shkelur të drejtat e njeriut. Pas 3 orësh, ai u lirua, ndërsa “larja e hesapeve” nuk përfundoi me kaq.
Vërshimi ndaj militantëve të PD, Azgan Haklaj u torturua dhe u mbajt 7 muaj në burg
Pasi Berisha u “fal” dhe u kursye nga socialistët, revanshi i tyre ra mbi militantët dhe mbështetësit e tij. 2 muaj pas përgjakjes së Tropojës, kreu i degës së PD së Bajram Currit, kryetari i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, dhe n/kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, Azgan Haklaj u arrestua në orën 23:30 në banesën e tij në Tropojë mbrëmjen e e 21 janarit 2001.
Ai u akuzua nga mazhoranca si njëri prej organizatorëve të “kryengritjes” së 28 nëntorit 2000. Haklaj u gjykua me 14 persona të tjerë. Ai rrezikoi të dënohej me 15 vite burg për veprën penale “Vepra të dhunshme ndaj pasurisë shtetërore”. Haklaj u mbajt për 7 muaj me radhë në burgun 313. Demokratët protestuan vazhdimisht për arrestimin e tij, madje hodhën akuza ndaj Metës, socialistëve dhe policisë se kreu i degës së PD në Tropojëështë torturuar.
Edhe pse në burg, Haklaj ia doli të zgjidhej deputet në Tropojë në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, të cilat u fituan sërish nga socialistët, por që u konsideruan nga PD si “masakër elektorale”. Në 23 korrik 2001, Haklajt iu rrëzuan akuzat në Gjykatën e Tiranës dhe u shpall i pafajshëm.
Shumë vite më pas, tashmë kundërshtar i hapur i Berishës, Haklaj rrëfeu në emisionin “Spotlight” në “Vizion Plus” disa javë më parë se gjatë mbajtjes në 313, i kanë shkulur thonjtë dhe ia kanë djegur trupin me cigare. Sot, Meta dhe Berisha nuk duan ta kujtojnë më 28 nëntorin 2000, as akuzat histerike të viteve më pas ndaj njëri-tjetrit, duke i lënë vendin përshtypjes së një “miqësie” e “aleance” të vjetër që nuk ka çeduar në asgjë.