As në Tiranë e as në Prishtinë, është dashur një konferencë në Slloveni që të ‘shkrihe akujt’ mes kryeministrit Rama dhe homologut të Kosovës, Albin Kurti.
Pas shumë refuzimeve, kryeministri Rama dhe homologu Kurti kanë shtrënguar duart teksa ishin të ftuar në darkën e mikpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit.
E pranishme në këtë darkë mes liderëve të tjerë është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç.
Edhe në fotot e tjera, gjatë darkës Kurti e Rama kanë zgjedhur të jenë pranë.
“Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”- shkruante Rama dje duke publikuar foto nga kjo pritje.
‘Akujt’ e Ramës dhe Kurtit
Marrëdhënia mes Kurtit dhe Ramës kanë qenë mjaft e tensionuar, madje shumë herë të dy kanë shkëmbyer replika në distancë, ndërsa homologu i tij i Kosovës refuzoi ta takojë kur Rama shkoi në Prishtinë për ta njohur me draftin për asociacionin e komunave në veri që siç tha ia kishte prezantuar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emanuel Macron
Ndërkohë në një reagim të fundit në konferencë për median Rama tha se nuk kishte asgjë personale por se nuk pajtohej me qëndrimet politike që Kurti për situatën në veri mbante, për të cilën kryeministri kosovar u kritikua edhe nga BE e SHBA.
Kjo politikë e Kurtit, lidhej me tensionet në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të kryetarëve të rinj shqiptarë në 4 komuna. Pas betimit të 4 krytarve të rinj në Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan e në Mitrovicë të Veriut, serbët në veri protestuan, madje edhe dhunuan policë, ushtarë të KFOR dhe gazetarë. Për këtë rebelim, Kurti shtoi prezencën e policëve në veri të Kosovës, gjë që solli një valë reagimesh të ashpra nga Perëndimi por edhe nga politika shqiptare me pretendimin se Kurti po izolonte Kosovën.
Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive që do mbahej në Prishtinë, ndërsa Kurti e refuzoi në 3 thirrje për takim. Kurti e refuzoi dhe tha se nuk është i nevojshëm një propozim alternativ për Asociacionin.
Ndër të tjera, Rama i bëri thirrje që të firmosej plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ka qenë ballafaqimi i parë mes dy kryeministrave që prej fillimit të këtyre tensioneve në veri në fund të muajit maj.