Sot, Sali Berisha është zyrtarisht nën akuzë për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në 21 janar të vitit 2011, mirëpo sikur të mos mjaftonin 4 të vrarët në Bulevard, ish-kryeministri e bëri të qartë që mes viktimave mund të kishte edhe Edi Rama.
Berisha zbuloi atëherë se në zyrë i ka shkuar një zyrtar amerikan, i dërguar nga Clinton, që i ka kërkuar të mos shkojë disa ditë në zyrë, por ka refuzuar, duke i zbuluar edhe “mesazhin për Ramën”. “Në 21 janar, qëndrova, ata që kanë ardhur e kanë gjetur në zyrë dhe më kanë gjetur me dosje në duar.
Pas disa ditësh erdhi një zyrtar amerikan i dërguar nga Klinton dhe më thotë, më kërkon “a ka mundësi të mos vish nesër në zyrë?” I them absolutisht, se është ditë pune, po edhe të mos ishte, do isha në zyrë. Me tha “s’bëhet nami se nuk je”. I thashë “a të të jap mesazhin për Ramën?
Po preke gjënë më të vogël, do jenë 5 snajper, 4 në 4 anët dhe unë në dritare, dhe në mënyrë absolute do goditet vetëm po se ç’poi plumbi për zjarrvënës, unë do të bëj atë që më takon, jo kryeministri, po një post policie më të lartën po prekën, në mënyrë absolute nuk do të kthehet gjallë në Tiranë”, ka thënë Berisha në një intervistë në “Real Story”.
Ndërkohë Berisha i mëshoi faktit se nëse nuk do të kishte qenë garda, mund të ishte dhe dora e tij që mund të kishte shkrepur armën. “Nuk kam asnjë lloje shqetësimi, vetëm dhimbje për viktimat e 21 janarit, sepse kam qenë në zyrën time, i sulmuar. Garda bëri detyrën që i takon në bazë të ligjit, shikoni ligjin. Ata ishin brenda rregullores, në mos garda mund të ishte dhe gishti i Sali Berishës”, nënvizoi Sali Berisha aso kohe.