Kosova i jep sot lamtumirën veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, i cili vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82 vjeçare.
Varrimi i Demaçit, bëhet në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë me ceremoni shtetërore.
Sipas agjendës zyrtare, në orën 08:30, Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do ta sjellë arkivolin në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kurse në orën 9:00 do të fillojë ceremonia komemorative.
Në ketë ceremoni pritet të marrin pjesë liderët e institucioneve të Kosovës dhe ata nga rajoni. Aty pritet të flasin zyrtarët e lartë shtetëror për jetën dhe veprën e Demaçit.
Pas kësaj ceremonie në orën 11:00, kortezhi do të niset në sheshin “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve, ku do të varroset Demaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë. [27,28,29 korrik]
Në mbledhjen komemorative që u mbajt të premten në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e shtetit thanë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të 100 vjetëve të fundit.
Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, njihet si simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandella i Ballkanit”.
Në fjalimet e liderëve politik, Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.(rel)