Sali Berisha, ish-President i Republikës dhe ish-Kryeministër, ka përdorur një datëlindje tjetër qëkurse ka nisur karrierën politike në 1991, duke kandiduar si deputet. Sipas arkivit të gjendjes civile në Bashkinë e Tropojës dhe regjistrit kombëtar të gjendjes civile, Sali Ram Berisha ka lindur në 1 korrik 1944. Këtë datëlindje e ka paraqitur Sali Berisha në dokumentet zyrtare deri në 1990.
Kjo datëlindje figuron në teserën e Partisë së Punës të Shqipërisë, të cilën ai e ka marrë në 1968, domethënë në dokumentin që vërtetonte se ai ishte komunist. Në atë kohë datëlindja në teser shkruhej sipas regjistrimit në gjendje civile, jo sipas deklarimit personal. “Tesera” e Berishës me datëlindje 15 tetorin është bërë në fotoshop, nuk është autentike.
Që nga viti 1991, Sali Berisha nisi të përdorë një datëlindje tjetër, atë 15 tetor 1944. Ndryshimi i datëlindjes nuk ka të bëjë, siç duan të thonë disa kundërshtarë politikë injorantë, me shprehjen e devotshmërisë së Berishës ndaj Enver Hoxhës, datëlindja e të cilit është vetëm një ditë më pas në 16 tetor. Sepse në 1991 tashmë Berisha ishte bërë antikomunist dhe etiketonte si “enverist” çdo kundërshtar politik të tij në Partinë Demokratike që ai e kryesonte me dorë të hekurt. Është e sigurt se nëse Berisha do të kishte lindur vërtet në 15 tetor, ai do ta kishte ndryshuar këtë datëlindje kur u bë politikan antikomunist.
Arsyeja e ndryshimit të datëlindjes nuk mund të jetë as që ia kanë regjistruar gabimisht në zyrën er gjendjes civile në Tropojë, sepse në këtë rast Berisha nuk do të kishte pritur moshën 47 vjec për të ndryshuar datëlindjen dhe nuk do ta kishte bërë këtë gjë jozyrtarisht, por zyrtarisht që kur Enver Hoxha ishte në pushtet.
Merret vesh,arsyeja për ndryshimin e datëlindjes ka qenë tjetër. Ajo ka të bëjë me një shqetësim të hershëm të Berishës, që e kishte pasur dikur si fshatar në Viçidol dhe që iu rishfaq atij më pas kur u bë fytyrë e njohur politike ndërkombëtare. Është fjala për ngjashmërinë e tij të madhe me ish-kreun e Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës, Radovan Karaxhiç.
Në librin e dy studiuesve të njohur britanikë, për çështjet ballkanike, Miranda Vickers dhe James Pettifer, me titull “Albania: from anarchy to a Balkan identity”, kur autorët portretizojnë Sali Berishën, thonë për të:
In public meetings he has a very similar persona and technique to those of the Bosnian Serb lider Radovan Karadzic.”(Miranda Vickers & James Pettifer, “Albania: from anarchy to a Balkan identity”, New York University Press, Washington Square, New York 1997, p. 82)
Këtu praktikisht thuhet se Sali Berisha i ngjan Radovan Karaxhiçit sikur të jetë vëllai i tij binjak, biologjik. Kuptohet se siç ndodh në rastin e botimeve të tilla akademike, autorë janë kujdesur që të tregojnë vetëm minimumin e taktit dhe thonë se Berisha është “very similar persona” me Radovan Karaxhiçin. Veçanërisht në kohën kur Berisha i mbante flokët e gjatë dhe të ndarë në mes, kjo ngjashmëri binte tmerrësisht shumë në sy.
Në fakt, Berisha ka vuajtur jo pak nga ngjashmëria me Karaxhiçin. Kur Berisha humbi pushtetin në 1997, Karaxhiçi sapo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si kriminel lufte. Kur Berisha udhëtonte jashtë Shqipërisë, në Perëndim, e shikonin me dyshim në aeroplan dhe kur zbriste në aeroport. Shumë shpesh ndodhte që dikush të njoftonte Policinë se në aeroplanin me të cilin kishte udhëtuar ai gjendej edhe Radovan Karaxhiç. Policët shpesh e ndalonin Berishën ndalonin për një kontroll të imtësishëm. Deri kur u arrestua Karaxhiçi Berisha ka vuajtur për shkak të tij.
Në qershor 1991 erdhi Sekretari i Departamentit të Shtetit James Baker në Tiranë. Baker, i cili vinte në Tiranë nga Beogradi, kur ia paraqitën Berishën, u shtang i habitur dhe tha: “Por këtë zotëri a nuk e takova në Beograd, ku ma prezantuan si lider i Partisë Demokratike të Serbëve të Bosnjë-Herzegovinës? Në mos gaboj edhe atje më thanë se ishte mjek. Si është e mundur që i njëjti mjek të jetë lider i një partie demokratike në Bosnjë dhe në Shqipëri!” Kishte kujtesë të mirë Baker. Ndërhyri Elez Biberaj, që ishte përkthyesi i Bakerit dhe i tha se ai zotëria që Bakeri kishte takuar në Beograd ishte dr. Radovan Karaxhiç, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, ndërsa ky zotëri, ishte dr. Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare. E vetmja gjë e përbashkët e tyre ishte se emrat e partive dhe profesionin e kishin të njëjtë.
Baker tundi kokën jo shumë i bindur me këtë shpjegim, sepse ngjashmëria fizike e Berishës dhe Karaxhiçit ishte e dukshme.
Në të vërtetë Elez Biberaj ishte në dijeni për një lidhje mes familjes së Berishës dhe babait të Karaxhiç. Historia zë fill në vitin 1941, kur babai i Radovan Karaxhiçit, i quajtur Vuk, ishte ushtar në kufirin jugosllavo-shqiptar, pranë Tropojës. Kur gjermanët sulmuan Jugosllavinë, në prill 1941, forcat e ushtrisë mbretërore jugosllave që gjendeshin në kufi mësynë Shqipërinë, e me këtë rast edhe Tropojën. Ushtria Jugosllave e mësyu Shqipërinë sepse vendi ynë mbahej i pushtuar nga Italia fashiste, e cila ishte aleate e Gjermanisë, që kishte sulmuar Jugosllavinë. Kur u mësua se Ushtria Jugosllave ishte thyer nga gjermanët dhe këta kishin arritur në Gjakovë, ushtarët jugosllavë të cilët hynë thellë në territorin shqiptar në Tropojë, ikën nga mundën për të mos rënë në dorë të gjermanëve.
Kështu bëri dhe Vukoja, i cili u strehua për disa kohë në katundin Viçidol, vendlindjen e Berishës, pikërisht në shtëpinë e Sali Berishës. Në atë kohë kjo nuk ishte një gjë e rrallë, pasi edhe shtëpi të tjera strehuan ish-ushtarë jugosllavë të mbetur rrugëve.
Pas të gjitha gjasave, Sali Berisha ka pasur ndërmend datën e largimit të nga Viçidoli të babait të Radovan Karaxhiçit, Vukos, kur ka ndryshuar datëlindjen e tij. Vukoja mundi të largohet për në vendlindje në situatën kaotike që u krijua me regjimin e pushtimit fashist në Ballkanin Perëndimor, pas rrëzimit të Musolinit (25 korrik 1943), që çoi në kapitullimin e Italisë fashiste. Nëse datëlindja e Berishës është 1 korriku 1944, atëherë duket krejt e mundshme që ngjashmëria e tij me Radovan Karaxhiçin të ketë arsye biologjike. Por, nëse datëlindja e Berishës është 15 tetor 1944, atëherë është biologjikisht e pamundur që ngjashmëria e Saliut me Radovanin të ketë ardhur për shkak të qëndrimit të të atit të Radovanit në katundin e Berishës.
Problemi për Sali Berishën është se ai nuk e ka ndryshuar datëlindjen zyrtarisht, sipas procedurës ligjore, por thjesht ka paraqitur një datëlindje tjetër. Kuptohet se nëse Sali Berisha, kur nisi të merret me politikë, do të kishte kërkuar të ndryshonte datëlindjen me procedurë zyrtare, kjo do të përbënte lajm në vitin 1991 e më tutje, sepse Berisha ishte tashmë një person shumë i njohur në Shqipëri dhe një politikan i njohur ballkanik e më gjerë. Prandaj Berisha zgjodhi rrugën e faktit të kryer. Për të cilën ka detyrim të na japë një shpjegim, veçanërisht sot kur politikanët shqiptarë e kanë detyrim ligjor këtë gjë. Në rastin e Berishës, një shpjegim bindës do të kërkonte dhe kryerjen e testit të ADN-së. / Kastriot Myftaraj/