Sot shënohen plot 83 vjet nga dita kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi Muharrem Xhafa, i cili u shpreh se Ahmet Zogu ishte një tradhtar dhe hajdut, që sipas tij, u arratis si një kaçak dhe mori gjithë floririn e kombit me vete. Në një intervistë për gazetën “SOT” Muharrem Xhafa, ish-funksionar i Partisë Komuniste u shpreh se ish-mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu pas pushtimit të vendit nga Italia iku në drejtim të Greqisë, duke shtuar se fashizmi arriti të mposhtej nga populloi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas Xhafës, ngritja e bustit të Zogut në Tiranë dhe Mat, por edhe glorifikim i disa figurave të tjera ballisto-zogiste si Abaz Kupi, Mit’hat Frashëri, Xhaferr Deva, Kadri Cakranit, etj, është tradhti e hapur kombëtare.
-Zoti Xhafa, sot shënohen plot 83 vjet nga dita kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Çfarë dini ju për këtë ditë, pasi ka shumë debate?
Është me shumë rëndësi të kuptohet që pushtimi fashist i Shqipërisë, më 7 prill 1939, ishte i planifikuar dhe i përgatitur në Romë. Musolini i Italisë fashiste e kishte nënshkruar planin e pushtimit ushtarak të Shqipërisë, qysh në muajin janar të vitit 1939. Për nënshkrimin e këtij akti mbreti Zog ishte në dijeni, por kishte heshtur, së pari, sepse nuk kishte ndërmend të bënte qëndresë dhe, së dyti, sepse shpresonte t’i thyente a komprometonte përfaqësuesit e shtetit fashist me lëshimet që do t’u bënte atyre për sigurimin e fronit të tij mbretëror!
-Dakord, por ju po hidhni akuza të forta dhe të padëgjuara më parë ndaj mbretit Zog, për të cilin thoni se i ka dhënë një dorë diktatorit Benito Musolini për të pushtuar vendin tonë?
Shiko! Më parë Zogu kishte ndjekur me egërsi komunistët shqiptarë dhe kishte ndërmarrë kundër tyre një valë të gjerë arrestimesh! Ai dërgoi në gjyq 75 të pandehur, ndër ta Qemal Stafën, një komunist 18 vjeçar, i cili mbajti para trupit gjykues qëndrim prej atdhetari të vërtetë dhe deklaroi hapur se ishte komunist dhe do të mbetej komunist. Me bindje, mbasi komunizmi është rendi që do të shpëtonte popullin shqiptar nga varfëria dhe shtypja! Të rinjtë shqiptarë u akuzuan që donin të përmbysnin me forcë regjimin zogist, prej të cilëve 52 vetë trupi gjykues i dënoi me masa të niveleve të ndryshme. Ndërsa nënshkrimi i planit të pushtimit të vendit tonë ishte bërë në janar 1939, vendimi për pushtimin ushtarak fashist të tij u mor më 23 mars të atij viti (1939) dhe u realizua po brenda atij viti, më 7 prill 1939.
Mbreti ishte në dijeni edhe të nënshkrimit të planit të pushtimit në janar 1939, edhe të vendimit të marrë për pushtimin ushtarak të Shqipërisë në mars 1939, edhe të ditës së pushtimi, më 7 prill 1939, por ia fshehu popullit, ashtu siç kishte bërë edhe më parë, duke fshehur tensionimin e gjendjen së krijuar në marrëdhëniet dypalëshe, Itali- Shqipëri.
Por popullit nuk i kishte shpëtuar asgjë pa e vënë re. Ai i kishte nuhatur planet e errta të fashizmit për pushtimin e vendit dhe, në një formë a tjetër, kishte shprehur indinjatën e tij të thellë.
-Çfarë ndodhi më pas, sipas jush…
Komunistët ishin të paktë në atë kohë, por u bënë organizatorë të protestave antifashiste kundër pushtimit, të cilat shpërthyen në Tiranë, kryeqyteti i vendit dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Me nismën e komunistëve e të nacionalistëve patriotë u ngritën qendra të rekrutimit të vullnetarëve për të luftuar kundër agresionit fashist.
Komunistët e burgosur dhe të internuar i kërkuan qeverisë zogiste të pajiseshin me armë dhe të dërgoheshin në vijën e parë të frontit kundër agresionit fashist italian. Përgatitjet për organizimin e qëndresës popullore u sabotuan nga vetë mbreti tradhtar, Ahmet Zogu dhe klika e tij. Populli u gjet i tradhtuar si nga klasat sunduese feudo-borgjeze antipopullore, ashtu edhe nga qeveria dhe mbreti frikacak i vendit, vegla të fashizmit.
-Po mbreti Zog si reagoi, pasi kishte premtuar se do të jepte edhe jetën për mbrojtjen e atdheut?
Pushtimit fashist italian nuk iu bë ndonjë rezistencë e fortë, sepse vetë mbreti Zog i braktisi vendin dhe popullin e tij! Ai, edhe pse kishte deklaruar se për të mbrojtur vendin do të mbathte opingat e do të dilte në mal për të luftuar okupatorin, nuk e mbajti fjalën, ia mbathi, që më 6 prill 1939, një ditë para pushtimit të 7 prillit 1939, ditës kur trupat ushtarake të Italisë fashiste sulmuan dhe pushtuan Shqipërinë, madje shpejt.
Mbreti me oborrin e tij, ndonëse ishte në dijeni të gjithçkaje, i braktisi vendin e popullin, i la ato në mëshirën e fatit. Në fakt, që para pushtimit fashist ushtria e Zogut ishte paralizuar dhe nxjerrë jashtë luftimi prej specialistëve ushtarakë italianë dhe oficerëve profashistë në radhët e saj.
Qenë bijtë e shquar të popullit, nën shembullin dhe komandën e Mujo Ulqinakut e të trimave të tjerë, ata që mundën të organizohen dhe luftuan me armë në dorë kundër pushtuesit, duke dhënë jetën për lirinë e Atdheut dhe popullit në Durrës, në Sarandë, në Shëngjin, në Shkodër, në Vlorë etj.
-Mund të në japësh më shumë detaje rreth tradhtisë së Ahmet Zogut?
Tradhtia e mbretit Ahmet Zogu duhet kuptuar thellë. Se, sikurse thashë, ai ishte në dijeni të asaj që po gatuhej nga krerët fashistë të Italisë kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Se pushtimi fashist i Shqipërisë ishte i paramenduar, jo i papritur. Se arratisja (tradhtia) e mbretit e beri më të dobët rezistencën e popullit shqiptar përballë forcave pushtuese të armikut të armatosura me armët më moderne të kohës. Populli shqiptar nuk u mposht.
Ai e vazhdoi dhe thelloi urrejtjen e tij ndaj pushtuesve dhe nuk e njohu asnjëherë regjimin fashist! Edhe shteti borgjez i tij nuk duhet të harrojnë se pushtimi fashist i vendit, me 7 prill 1939, ishte pasojë e politikes shoviniste të fashizmit italian, i marrëveshjes kapitulluese antikombëtare e antipopullore të regjimit zogist dhe shprehje e heshtjes së politikës së mosndërhyrjes të fuqive kapitaliste të Europës, të cilat e njohën këtë pushtim!
-Po Zogistët, Ballistët dhe fraksionet e tjera si vepruan…
Zogistë, ballistë e të tjerët, që u mbanë ison atyre, e përligjin arratisjen e mbretit Zog me faktin që atij sapo i kishte lindur djali, princ Leka dhe si baba ishte i detyruar të largohej nga vendi për të siguruar pasurinë e vjedhur, jetën e vetes, të djalit e të familjes, ndonëse askush nuk i kërcënonte. Në të vërtetë, mbreti Zog u arratis, sepse vuri në plan të parë interesat e tij e të familjes së tij. Një mbret patriot nuk do ta bënte një akt të tillë tradhtie ndaj vendit e popullit të vet!
Sa di unë, mbretëresha e Anglisë nuk u largua asnjëherë nga Anglia gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu, Zelensky i Ukrainës u betua për të mos u larguar nga vendi e populli i tij ukrainas dhe për të luftuar bashke me të deri në vdekje dhe e mbajti fjalën! Ka edhe shembuj të tjerë! Ndaj pushtimi fashist i Shqipërisë, më 7 prillit 1939 nga Italia fashiste, nuk është thjesht një kujtesë! Megjithatë dikush mund të thotë se Italinë dhe popullin e saj i kemi fqinj të mirë. Po! Unë po flas për Italinë fashiste, për regjimin fashist të Italisë, jo për Italinë e sotme. Kjo nuk do të thotë që të harrojmë 7 prillin 1939! 7 prilli 1939 nuk harrohet!
-I nderura zoti Xhafa, si gjithmonë jeni shumë shterues dhe racional në idetë dhe opinionet që jepni. Por në përfundim dhe duke u ngacmuar nga ato që ju më sipër folët, më lejoni t’ju pyes që pavarësisht akuzave që ju hidhni, në Shqipëri kemi parë që po glorifikohen shumë figura zogiste dhe balliste. Keni një koment?
Është ulëritës dhe në kufijtë e skandalit kombëtar që regjimi borgjez i ka ngritur buste në Tiranë e në Burrel Ahmet Zogut, në Krujë Abaz Kupit etj., u bën nderime e tamtame figurave të tjera zogistë e ballistë si Mitat Frashërit, Xhaferr Devës, Kadri Cakranit e të tjerëve kriminelë të popullit të vet dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë! Ky turp ndodh në Shqipëri, jo në Francë, jo në Angli, jo në SHBA e gjetkë! Në Italinë e sotme masat e popullit as nuk nderojnë e as nuk e respektojnë Duçen!
Intervistoi: Rigels Seliman