Presidenti Ilir Meta dhe opozita duket se kanë kthyer sërish sytë nga George Soros. Pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emra si Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, etj., nisën sulmet ndaj reformës në drejtësi me argumentin se ajo është kapur nga George Soros. Duke qenë se Trump është armik i filantropit, sulmet e tyre ishin strategji për të fituar besimin e republikanëve në SHBA.
Por të gjithë emrat e mësipërm mbetën të zhgënjyer sepse qëndrimi i ambasadës së SHBA nuk ka qëndruar aspak. Mirëpo duket se ditët e fundit ata që deri dje e kritikonin Sorosin, i kanë kthyer sërish sytë tek ai. Pak ditë më parë gjatë një interviste televizive Ilir Meta i thuri elozhe një raporti të hartuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që financohet nga Soros.
Në këtë raport sulmohej reforma në drejtësi, por Meta tha se ai duhet marrë seriozisht sepse është serioz. Ndërkohë, pas elozheve të thurura nga kreu i shtetit për punën e KSHH, shoqata e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka vlerësuar punën e kryer nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e Metës.
KSHH ka përgatitur një raport përfundimtar për ecurinë e reformës në drejtësi dhe ngritjen e organeve të reja. Aty përmendet edhe puna e KLD tranzitore, e cila krahasohet me punën e Prokurorisë së Përgjithshme tranzitore. Sipas raportit, KLD ka lejuar vëzhguesit e Komitetit të Helsinkit të monitorojnë çdo mbledhje, ndryshe nga Prokuroria e Përgjithshme.
“Pothuajse në shumicën e mbledhjeve të realizuara nga KLD ka patur një numër të konsiderueshëm delegimesh të gjyqtarëve nga një gjykatë në gjykatën tjetër. Në ndryshim nga monitorimi i kompetencave tranzitore të KLD-së, ku vëzhguesit kanë patur akses në procesverbalet e çdo mbledhje që ka qenë objekt i monitorimit, në rastin e kompetencave tranzitore të PP, vëzhguesit e KSHH-së kanë patur akses vetëm në vendimet/urdhrat e këtij institucioni. Në këto vendime referohet baza ligjore dhe pjesa e dispozitivit të vendimit që konkretizon vendimmarrjen përkatëse”, thuhet në raport.
Sulmet ndaj Arta Markut
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i vijoi më tej sulmet për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, duke e akuzuar se ka kryer transferime të prokurorëve pa të drejtë.
“Me përjashtim të dy vendimeve të pezullimit, vendimet e tjera që janë dhënë në ushtrim të kompetencave tranzitore gjatë vitit 2018 (kampioni i studimit tonë) nuk janë të motivuara ose janë motivuar vetëm pjesërisht se në cilat kushte dhe rrethana janë marrë. Kështu, p.sh., në rastin e caktimit të përkohshëm të prokurorëve si drejtues të prokurorive, në vendimmarrjet mungon informacioni nëse është bërë një vlerësim paraprak i performancës së drejtuesve pararendës dhe drejtuesve që caktohen përkohësisht në këto pozicione, se përse lindi nevoja për të bërë këto ndryshime”, thuhet në raport. Kritikat nuk kursehen as për reformën në drejtësi në tërësi.
Sipas KSHH, ecuria e vetingut është e ngadaltë. “Vonesat në fillimin e zbatimit të ligjit të vetingut, ritmet jo dinamike në drejtim të rivlerësimit kalimtar të kandidatëve magjistratë (prokurorë dhe gjyqtarë në dy Këshillat), mos kalimi me sukses i vetingut nga disa prej këtyre kandidatëve si dhe vështirësitë e paraqitura në drejtim të gjetjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, vlerësohen se janë disa nga arsyet që kanë penguar krijimin në kohë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor”, vijon më tej raporti i KSHH. /Mimoza Ibra