Pas kritikave që presidenti Ilir Meta i bëri misionit ‘Euralius’ në Shqipëri për zbatimin e reformës në drejtësi, reagon kreu Delegacionit të BE në Shqipëri Luigi Soreca.
Soreca thotë në përgjigjen për Top-Channel se reforma në drejtësi, po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës.
Ai thekson se reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve.
Përgjigja e plotë e Luigji Soreca:
Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara agjendën ereformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kerkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese.
Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur.
Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.