Ish-kryeministri Sali Berisha u sulmua ashpër nga deputeti i mazhorancës socialiste dhe ish-zv/kryeministri Erion Braçe në seancën e djeshme parlamentare.
Teksa u diskutua për masat e marra nga qeveria për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve, Berisha akuzoi qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e situatës financiare, energjitike, furnizimit me ushqime, etj, në vend gjatë muajve të fundit duke konsideruar dhe Paketën e Rezistencës Sociale të qeverisë për qytetarët si tallje. Në fjalën e tij në parlament, ish-kreu i PD shtoi se qeveria po pasurohet në dëm të shqiptarëve.
“Ç’është kjo kokëfortësi që nuk lëviz taksat unë? Po të kishit ndjenja ju, lexoni se ka institute serioze që tregojnë masat e marra dhe këto janë bërë para luftës. Hajdutët e mbajnë sekret; e zbrazën kaskadën në mënyrë kriminale në kundërshtim me ligjet. Çdo shtet ka rezervën strategjike, këtu janë të gjitha në oborrin e kryeministrit.
Nuk mund të pranojë që prodhuesi kryesor i miellit të mos ketë rezervë të paktën 3 muaj. Këta do vënë edhe lot artificial për të treguar se po qajnë për ju. Jeni fajtorë para shqiptarëve për të gjitha këto zhvillime, pasuroheni natën mbi mjerimin e shqiptarëve”, tha Berisha.
PS: Berisha, politikan i korruptuar
Por deputeti socialist, Erion Braçe iu kundërpërgjigj ashpër Sali Berishës duke i kërkuar që të mos flasë fare në Parlament pasi ka abuzuar ekonomikisht në pushtet në dëm të qytetarëve shqiptarë. Braçe i kujtoi parafolësit privatizimet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë dhe atë të Albpetrolit, të cilat i konsideroi si afera korruptive.
Përgjegjësinë kryesore, Braçe ia ngarkoi Berishës. “Kur ke bërë vetëm keq dhe nuk pendohesh, duhet ta qepësh. Privatizimi i OSSH është një nga vendimet më të gabuara. Rritja artificiale e çmimit të energjisë, investime në dëm të qytetarëve, ndërtimi i një rrjeti menaxhimi të borxheve për të pasuruar mbështetësin tënd politik dhe për të favorizuar oligarkët që të financojnë dhe sot, prandaj s’ua përmend emrin. Duhet ta qepësh fare!
Marrëveshjet i nënshkrove vetë në dëm të interesit publik. Privatizimin e Alpetrolin e shite si sukses, por more lesh. Në fakt more, por tek fondacioni i asaj si blerje pikturash”, tha Braçe.
Berisha bën thirrje për protesta, Gjiknuri i kundërpërgjigjet
Më pas, ndaj Berishës reagoi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri. Berisha bëri thirrje për protesta kundër qeverisë për dështimin e përballimit të krizës së rritjes së çmimeve të energjisë, hidrokarbureve dhe ushqimeve. “Po bëhet problem jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.
Kjo pranverë duhet të jetë pranvera e protestave të mëdha”, deklaroi Berisha. Pas tij, reagoi eksponenti i lartë socialist, i cili e konsideroi Berishën si politikanin që përdori dhe furnizoi politikisht protestat e fundit qytetare kundër rritjes së çmimeve.
Ai e quajti politikën e ish-liderit historik demokrat si “politikën e vdekjes” që synon të shkatërrojnë vendin dhe se në mënyrë të tillë nuk vjen dot në pushtet. “Vazhdon me politikën e vdekjes.
Nxori që ka qenë furnitori politik i njerëzve në protesta. Kur njerëzit injektohet politikisht, duke mos njohur shkaqet e vërteta të krizës, kjo do të thotë që mos ta duash këtë vend, ti vësh flakën këtij vendi. Me politikën e korbave do të vini në pushtet? Kjo është papërgjegjshmëri”, replikoi Gjiknuri me Berishën.